Turqia bllokon qasjen në informacionin në gjuhën turke të Zërit të Amerikës

Organi rregullatori i medias turke bllokoi të enjten qasjen tek informacionet e shërbimit në gjuhën turke të Zërit të Amerikës dhe Deutsche Welle-s pasi transmetuesit publikë ndërkombëtarë nuk aplikuan për liçencat që rregullatori kishte kërkuar.

Në shkurt, Këshilli i Lartë i Radios dhe Televizionit, i njohur si RTUK, u dërgoi tre transmetuesve ndërkombëtarë, përfshirë Shërbimin Turk të Zërit të Amerikës, një njoftim të shkurtër, ku kërkohej marrja e liçencave të transmetimit, ose në të kundërt, përmbajtja e tyre do të bllokohej. Në këtë urdhër përfshihej edhe Deutsche Welle e Gjermanisë.

Ilhan Tasci, një anëtar i bordit të RTUK-së nga Partia Popullore Republikane opozitare dhe kritik i zëshëm i kërkesës për liçencim, njoftoi të enjten në Twitter se qasja në shërbimin e Deutsche Welle-s në gjuhën turke dhe tek Zëri i Amerikës ishte bllokuar me një vendim gjykate.

“Qasja tek DW Turkce dhe Zërin e Amerikës, të cilat nuk aplikuan për liçenca, është bllokuar nga Gjykata Penale e Ankarasë, me kërkesë të bordit të RTUK-së”, tha zoti Tasci të enjten. “Ja ku është liria juaj e shtypit dhe demokracia e përparuar!” shtoi ai me sarkazëm.

Vendimi i shkurtit për liçencat bazohej në një rregullore që hyri në fuqi në gusht 2019. Në atë kohë, disa mbrojtës të lirisë së medias ngritën shqetësime për censurën e mundshme, sepse rregullorja i dha RTUK-së autoritetin për të kontrolluar të gjithë përmbajtjet në internet.

Nënkryetari i RTUK-së, Ibrahim Uslu, hodhi poshtë kritikat për censurë, duke thënë se vendimi “nuk ka të bëjë me censurën, por është pjesë e masave teknike”.

Sipas rregullores, RTUK-ja është autorizuar të kërkojë liçenca transmetimi nga “ofruesit e shërbimeve mediatike” në mënyrë që shërbimet e tyre radiofonike, televizive dhe audiovizive, të vazhdojnë praninë e tyre në internet.

Rregullorja lejon RTUK-në të vendosë gjoba, të pezullojë transmetimin për tre muaj, ose të anulojë liçencat e transmetimit, nëse të liçencuarit nuk ndjekin rregullat e RTUK-së.

Me këtë vendim, u përdor për herë të parë autoriteti i RTUK-së mbi faqet e lajmeve, tha Can Guleryuzlu, kryetar i Shoqatës së Gazetarëve Progresivë.

Zëri i Amerikës dhe Deutsche Welle “raportuan për shumë çështje, që u ndoqën nga miliona banorë dhe që shtypi kombëtar nuk mundi t’i sillte në rendin e ditës” dhe “me vendimin e fundit të gjyqësorit, kjo qasje është bllokuar. Gjyqësori nuk iu bind drejtësisë, por qeverisë në Turqi”, shtoi zoti Guleryuzlu.

Yaman Akdeniz, një profesor i ligjit kibernetik në Universitetin Bilgi të Stambollit, i tha shërbimit turk të Zërit të Amerikës se “bllokimi i plotë i qasjes në këto faqe interneti të lajmeve, mund të cilësohet vetëm si censurë”.

Vendimi i gjykatës për të bllokuar qasjen në faqen e Zërit të Amerikës në turqisht erdhi pas takimit mes Presidentit Joe Biden dhe presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan gjatë takimit të nivelit të lartë të NATO-s në Madrid.

Agjencia Amerikane për Media Globale, USAGM e cila mbikëqyr Zërin e Amerikës, kritikoi bllokimin e lajmeve në internet nga qeveria turke.

“Me tentativën për bllokimin e Zërit të Amerikës dhe Deutsche Welle-s, RTUK-ja ka bërë një zgjedhje alarmante për të hapur rrugën për censurën e informacionit në internet. Audiencat në Turqi meritojnë qasje në lajme të bazuara në fakte për botën përreth tyre. Pavarësisht sulmit të fundit ndaj lirisë së shtypit, USAGM-ja nuk do të pengohet në misionin e saj për të mbështetur rrjedhën e lirë të informacionit për njerëzit në Turqi dhe në mbarë globin”, tha Kelu Chao, ushtruesja në detyrë së Drejtoresha e Përgjithshme në detyrë e agjencisë USAGM-së.

“Zëri i Amerikës beson se çdo përpjekje e qeverisë për të mbyllur gojën e mediave është një shkelje e lirisë së shtypit, që është një vlerë thelbësore e të gjitha shoqërive demokratike,” tha zëdhënësja, Bridget Serchak.

“Nëse qeveria turke bllokon zyrtarisht faqet tona të internetit, Zëri i Amerikës do të bëjë çdo përpjekje për të siguruar që audienca e saj turqishtfolëse të ruajë qasjen në një internet të lirë dhe të hapur, duke përdorur të gjitha metodat e disponueshme,” shtoi ajo.

Drejtori i përgjithshëm i DW-së, Peter Limbourg, tha në shkurt se transmetuesi do ta apelonte vendimin.

Në një deklaratë të publikuar nga DW-ja, ai theksonte se kërkesa do t’u japë “autoriteteve turke mundësinë për të bllokuar të gjithë shërbimin në se raportime të veçanta janë kritike”.

Turqia ka një renditje të dobët për lirinë e shtypit, duke u radhitur në vendin e 149 nga 180 vende, në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit.

Organizata Gazetarët pa Kufij, e cila përpilon indeksin vjetor, thotë se praktikat diskriminuese ndaj mediave në Turqi janë të zakonshme dhe se RTUK-ja “ndihmon në dobësimin ekonomik të kanaleve televizive kritike, duke u dhënë atyre gjoba të rënda”./VOA

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Gjërat që na shkaktojnë stres pa e kuptuar

Story i radhës

Bashkimi Evropian miraton rregulloren e kriptomonedhave

Të fundit nga

AlbanianMacedonianEnglish