Turqia bën përpjekje diplomatike për anëtarët e ekuipazhit të anijes së rrëmbyer

Burimet diplomatike bëjnë të ditur se Turqia nisi përpjekjet diplomatike për të gjetur anëtarët e ekuipazhit që u rrëmbyen pas një sulmi pirat mbi një anije turke mallrash pranë Nigerisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Më herët u bë e ditur se anija turke e mallrave Mozart me 19 anëtarë të ekuipazhit u rrëmbye nga piratët në Gjirin e Guinesë.

Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan zhvilloi një bisedë telefonike me Furkan Yaren, kapitenin e katërt të anijes që u rrëmbye, bëri të ditur Drejtoria e Komunikimit të Presidencës së Turqisë.

Presidenti Erdoğan mori informacionin se anija po lëvizte drejt Gabonit me tre anëtarë të ekuipazhit, thuhet në njoftim.

Duke ndjekur nga afër procesin, Erdoğan udhëzoi autoritetet në lidhje me shpëtimin e personelit të anijes.

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, gjithashtu bisedoi me Yaren-in dhe mori informacion në lidhje me incidentin dhe situatën në anije.

Çavuşoğlu bisedoi edhe me Osman Levent Karsanin, operatorin e kompanisë që zotëron anijen dhe i përcolli ngushëllimet e tij, duke theksuar se do të ndërmerren veprimet e nevojshme për të shpëtuar ekuipazhin sa më shpejt të jetë e mundur dhe për t’i kthyer ato në mënyrë të sigurt.

Kryediplomati turk gjithashtu kishte një telefonatë me homologun e tij azerbajxhanas, Jeyhun Bayramov, të cilit i shprehu ngushëllimet e tij për anëtarin e ekuipazhit i cili u vra në sulm.

“Sot, pronarët dhe operatorët e anijes M/V MOZART, e cila u rrëmbye me armë në Gjirin e Guinesë, për fat të keq kanë konfirmuar se një nga anëtarët e ekuipazhit të saj u vra dhe të tjerët u kidnapuan”, njoftuan nga kompania Boden me seli në Stamboll.

Në njoftimin e kompanisë, zyrtarët e kompanisë shprehën ngushëllime dhe mbështetje për familjet e ekuipazhit.

Ata bënë thirrje për një qasje të ndjeshme ndaj operacionit të shpëtimit për hir të anëtarëve të ekuipazhit dhe nënvizuan se po përpiqeshin të zgjidhnin problemin sa më shpejt të jetë e mundur në mënyrën më të sigurt.

Ndërkohë, burimet diplomatike bëjnë të ditur se ambasadat turke nga vendet përreth, përfshirë Nigerinë, janë mobilizuar për anëtarët e ekuipazhit.

Në një deklaratë të David Johnson-it, kreu i Grupit të Rrezikut EOS me seli në Mbretërinë e Bashkuar, tha se u kidnapuan 15 anëtarë të ekuipazhit që ishin duke lëvizur nga Lagos, Nigeria në Cape Town, Afrika e Jugut, ndërsa njëri u vra dhe 3 mbetën me piratët.

Ai shtoi se anija Mozart e kompanisë Boden me seli në Stamboll, u sulmua në Gjirin e Guinesë, 160 kilometra larg Sao Tomes.

Në një regjistrim të shpërndarë në Twitter, që besohet se i përket kapitenit të anijes, thuhet: “Nuk e di se ku po shkoj. Piratët çmontuan të gjitha kabllot, asgjë nuk po funksionon. Vetëm navigatori punon. Ata më dhanë një itinerar, unë jam duke lëvizur në përputhje me rrethanat”.



. .

Ngjarja paraprake

Veliaj i përgjigjet akuzave të opozitës

Ngjarja e ardhëshme

Atalanta, leksion Milanit, nuk përfiton Interi, kuqezinjtë kampionë dimri

të fundit nga