Turqia ashpërson qëndrimin ndaj anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë në NATO

Ndërsa po afron takimi i NATO-s këtë muaj, mbeten në pikëpyetje kërkesat e Finlandës dhe Suedisë për t’u anëtarësuar në aleancë. Siç njofton nga Stambolli korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dorian Jones, Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan po ashpërson pozicionin e tij kundër anëtarësimit të këtyre dy vendeve, duke i akuzuar ato për mbështetje të terrorizmit.

Me shumë bujë, Suedia dhe Finlanda aplikuan zyrtarisht në maj për t’u anëtarësuar në NATO. Në atë kohë, aplikimi shikohej si një formalitet, por tashmë fati i kërkesës së tyre është i pasigurt.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan thotë se do të vendosë veton kundër aplikimeve të Suedisë dhe Finlandës, nëse nuk i japin fund asaj, që e quan mbështetje për grupin rebel kurd PKK, që lufton kundër forcave turke dhe që Ankaraja e konsideron grup terrorist.

Helsinki dhe Stokholmi mohojnë se mbështesin PKK-në. Zyrtarët finlandezë dhe suedezë thonë se po përpiqen t’u japin zgjidhje shqetësimeve të Turqisë.

“Fakti është se Turqia mban një kartë shumë të rëndësishme, veton. Dhe mendoj se kjo nuk do të zgjidhet aq lehtë”, i tha Zërit të Amerikës Asli Aydintasbas, studiuese me Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e kanë përcaktuar PKK-në një organizatë terroriste.

Presidenti Erdogan po u bën gjithashtu thirrje vendeve të ndryshme, që të ndalin mbështetjen për grupin sirian kurd YPG, për të cilin thotë se mban lidhje me PKK-në.

Finlanda, Suedia dhe disa vende të NATO-s, përfshirë Shtetet e Bashkuara, e mbështesin YPG-në, e cila ka qenë një aleate kryesore në luftën kundër grupit Shteti Islamik në Sirinë veriore.

Presidenti Biden mund të jetë objektivi i vërtetë i ngurtësimit të pozicionit të zotit Erdogan për sa i përket zgjerimit të NATO-s.

“Shumë njerëz mendojnë se kundërshtitë ndaj Finlandës dhe Suedisë janë realisht mesazhe për Shtetet e Bashkuara, që ta marrin Turqinë seriozisht, të angazhohen me Turqinë dhe për Presidentin Biden, që ta ringjallë marrëdhënien personale, që Presidenti Erdogan kishte krijuar me Presidentin Trump”, thotë profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin “Kadir Has”, Soli Ozel.

Ndryshe nga paraardhësit e tij, Presidenti Biden, i cili kritikon gjendjen e të drejtave të njeriut në Turqi, i është shmangur përgjithësisht ndërveprimit të drejtpërdrejtë me Presidentin Erdogan. Analistët thonë se Uashingtoni do ta anashkalojë kërcënimin e Turqisë për vendosjen e vetos, duke dislokuar forca sigurie së bashku me vende të tjera të NATO-s në territorin e Suedisë dhe Finlandës dhe duke e izoluar kështu më tej Turqinë.

Ekspertët thonë se ky ngërç po lë pasoja tek ekonomia e Turqisë, ndërsa monedha turke lira gjendet tashmë nën trysni të shtuar.

Megjithatë, analistët thonë se ky është një çmim që Presidenti Erdogan është i përgatitur ta paguajë, i vetëdijshëm se imazhi i një personi që sfidon NATO-n pritet mirë nga votuesit e tij./VOA

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Kush janë kompanitë që kanë më së shumti Bitcoin në pronësi

Story i radhës

Një çift i ri i shtohet showbizit shqiptar, dy këngëtarët në një lidhje?

Të fundit nga