Turqia apelon për kthim të sigurtë dhe dinjitoz të refugjatëve Rohingya

Zv/ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Yavuz Selim Kıran i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të shpejtojë përpjekjet për kthimin e sigurtë të refugjatëve Rohingya në Mianmar, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ne do të dëshironim të lehtësojmë kthimin e sigurtë dhe dinjitoz të muslimanëve Rohingya në shtëpitë e tyre në Mianmar mbi baza vullnetare. Me këtë mendje, komuniteti ndërkombëtar duhet të përshpejtojnë përpjekjet e tyre”, tha Kıran.

Duke folur në një video-konferencë mbi temën “Mbështetja e qëndrueshme për reagimin e refugjatëve Rohingya”, Kıran tha se populli Rohingya ka nevojë për ndihmë nga e gjithë bota, sepse janë përballur me “një nga tragjeditë më të mëdha në epokën tonë”.

“Përballë kësaj tragjedie humanitare, është e një rëndësie kritike që kushtet e jetesës të detyruara për muslimanët e Arakanit (shtetin Rakhinë në Mianmar) të përmirësohen”, shtoi ai.

Duke theksuar se shuma totale e ndihmës së ofruar nga Turqia gjatë 8 viteve të fundit ka arritur në 65 milionë dollarë, përfshirë 8 mijë shtëpi dhe 1.200 strehimore të përkohshme, 36 shkolla dhe 5 qendra trajnimi, Kıran tha se Turqia do të vazhdojë të ofrojë mbështetje në vitin 2021 me projekte në vlerë prej 6 milionë dollarë për rajonin.

Ai po ashtu vlerësoi mbështetjen nga Bangladeshi, i cili ka marrë përgjegjësinë e sigurimit të ndihmës dhe strehimit për mbi një milionë refugjatë Rohingya. 

Rohingya, popull i persekutuar

Populli Rohingya, i përshkruar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) si njerëzit më të persekutuar në botë, është përballur me frikën e rritur të sulmeve, pasi dhjetëra u vranë në dhunën e vitit 2012.

Sipas organizatës “Amnesty International”, më shumë se 750 mijë refugjatë Rohingya, kryesisht fëmijë dhe gra, u larguan nga Mianmari dhe kaluan në Bangladesh, pasi forcat e Mianmarit nisën një goditje ndaj komunitetit pakicë musliman në gusht të vitit 2017, duke e çuar numrin e njerëzve të persekutuar në Bangladesh në më shumë se 1.2 milionë.

Sipas një raporti të Agjencisë Ndërkombëtare të Zhvillimit Ontarios (OIDA), që nga 25 gushti i vitit 2017, rreth 24 mijë muslimanë Rohingya janë vrarë nga forcat shtetërore të Mianmarit.

Më shumë se 34 mijë Rohingya u hodhën në zjarr ndërsa mbi 114 mijë të tjerë u rrahën, tha raporti i agjencisë OIDA, i titulluar “Migrimi i detyruar i popullit Rohingya: Përvoja e patreguar”.

Raporti tha se rreth 18 mijë gra dhe vajza Rohingya u përdhunuan nga ushtria dhe policia e Mianmarit si dhe mbi 115 mijë shtëpi Rohingya u dogjën dhe 113 mijë të tjera u vandalizuan.



.. .

Ngjarja paraprake

Jakup Krasniqi flet për akuzat e Speciales, ja si i quan ato ndaj Thaҫit e Veselit

Ngjarja e ardhëshme

SHBA miraton Remdesivirin për trajtimin e COVID-19

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian