Turqi, provinca Muğla me pasuritë antike dhe natyrore tërheq vëmëndjen e turistëve edhe gjatë pandemisë

Turqia është një vend që njihet në gjithë botën si një nga destinacionet turistike më tërheqëse me pasuri të bollshme historike, kulturore dhe natyrore.

Kur këtij gërshetimi të bukurisë i shtohen masat e përshtatshme për turizmin e sigurt gjatë pandemisë së koronavirusit (COVID-19) që autoritetet turke zbatojnë me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të turistëve dhe qytetarëve të tyre, reflektohet formula e suksesit në turizëm edhe gjatë kohës së pandemisë, gjë që paraqet një dukuri të rallë në këtë periudhë të ndjeshme që po kalon njerëzimi.

Sistemi i certifikimit për turizëm të sigurt që ofron siguri shëndetësore për turistët, me çka autoritetet turke nëse është e nevojshme kujdesen falas për vizitorët në vend, temperatura e trupit të tyre matet rregullisht, në të gjitha objektet mbahen maska ​​mbrojtëse, nuk detyrohet testi PCR për hyrje në vend, është një nga masat që e bëjnë Turqinë si destinacion turistik të zgjedhur për vizitorët.

Turqi, provinca Muğla me pasuritë antike dhe natyrore tërheq vëmëndjen e turistëve edhe gjatë pandemisë (Milas)

Turqia është një vend që njihet në gjithë botën si një nga destinacionet turistike më tërheqëse me pasuri të bollshme historike, kulturore dhe natyrore. Kur këtij gërshetimi të bukurisë i shtohen masat e përshtatshme për turizmin e sigurt gjatë pandemisë së koronavirusit (COVID-19) që autoritetet turke zbatojnë me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të turistëve dhe qytetarëve të tyre, reflektohet formula e suksesit në turizëm edhe gjatë kohës së pandemisë, gjë që paraqet një dukuri të rallë në këtë periudhë të ndjeshme që po kalon njerëzimi. ( Abdulbesar Ademi – Anadolu Agency )

Ekipi i Anadolu Agency (AA) nga Shkupi ishte pjesë e grupit gazetaresk që nga Maqedonia Veriore vizitoi vendet turistike në Republikën e Turqisë, në kuadër të programit për promovimin e turizmit, organizuar nga Agjencia Turke për Promovimin dhe Zhvillimin e Turizmit (TGA) pranë Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Turqisë, në bashkëpunim me Ambasadën e Turqisë në Shkup.

Ndër vendet turistike që ishin pjesë e programit të planifikuar për të vizituar ishte provinca jugperëndimore turke Muğla, e cila përveç bukurisë natyrore, ofron edhe akomodime hotelierike me cilësi të lartë, që është arsyeja pse çdo vit shumë turistë të huaj kalojnë pushimet në këtë pjesë të Turqisë.

Bodrumi, bukuri antike, atraksion turistik

Një nga destinacionet më të njohura turistike në Turqi është pa dyshim qyteti limanor jugperëndimor i Bodrumit, ku Deti Mesdhe takohet me Egjeun. Ky qytet ka pasuri të tij të famshme kulturore dhe historike, si dhe bukuri natyrore, të cilat tërheqin turistë nga e gjithë bota.

Ndër objektet kulturore dhe historike që zbukurojnë këtë qytet është Kalaja e Bodrumit, që njihet me emrin e dytë si Kalaja e Shën Pjetrit, ose Petronium. Kjo fortesë, e cila në vitin 2016 hyri në listën e përkohshme të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, u ndërtua nga Kalorësit e Shën Gjonit, të cilët erdhën në shekullin e 16-të nga ishulli i Rodosit.

Kalaja ka pesë kulla. Kalorës nga vende të ndryshme jetonin në secilën prej tyre – kulla britanike, franceze, italiane, gjermane dhe spanjolle. Kjo ndërtesë historike sfidon vitet deri më sot, siç dëshmohet nga ruajtja e saj e mirë.

Kalaja shërbeu gjithashtu si burg në dekadat para Luftës së Parë Botërore, dhe para kësaj ishte një bazë ushtarake.

E vendosur në një gadishull shkëmbor midis dy porteve, kalaja shërben si shtëpia e Muzeut të Arkeologjisë Nënujore për më shumë se gjysmë shekulli, një nga muzetë më të rëndësishëm të këtij lloji në botë, sipas UNESCO-s.

Muzeu i Arkeologjisë Nënujore ka objekte të shumta të gjetura në det, përfshirë një koleksion të madh amforash, por artefakti më i famshëm në këtë muze nënujor është anija e madhe të fundosur në vitin 1025. Sipas rrëfimeve, kjo anije transportonte xham, prandaj tani qëndron mbi të si një lloj ekspozite në muze.

Kalaja e Bodrumit vizitohet nga një mesatare prej rreth 150 mijë vizitorësh në vit, ndërsa këtë vit ajo u vizitua nga rreth 50.000 njerëz.

Varri i Mauzolit

Përveç kalasë, Bodrumi është i famshëm në botë për faktin se ky qytet është vendi i një prej shtatë mrekullive të botës së vjetër, dhe ky është varri i mbretit Mauzol. Ishte sipas tij që ndërtesat e tilla në periudhën e mëvonshme morën emrin mauzole. Në Muzeun aktual të Mauzolit, vizitorët kanë mundësinë të shohin themelet e varrit, i cili thuhet të ketë qenë rreth 50 metra i lartë dhe është ndërtuar nga Artemisia. Sipas të dhënave në dispozicion, ndërtimi përfundoi rreth vitit 350 para erës sonë. Një model është i ekspozuar në muze, i cili ofron një mundësi për të parë se si dukej varri.

Vlera shtesë historike e qytetit i jepet nga muret e gjata shtatë metra që datojnë që nga shekulli i katërt para erës sonë. Muret u ndërtuan nga Mbreti i Halikarnasit Mauzoli dhe u shembën nga Aleksandri i Madh.

Përveç kësaj mrekullie botërore, Mauzoli la gjurmët e tij në Halikarnas duke ndërtuar muret me gjatësi shtatë kilometra që rrethuan qytetin. Në shekullin e katërt para erës sonë, Aleksandri i Madh me ushtrinë e tij në një betejë të vështirë arriti të shembë muret dhe të hyjë në qytet. Ekzistojnë tre hyrje në oborr. Me përjashtim të portës lindore, nuk është e qartë nëse dy hyrjet ndihmëse mund të konsiderohen se datojnë nga shekulli i katërt para erës sonë. Porta në lindje të oborrit çonte në qytetin antik të Bodrumit.

Në kodrën në qendër të qytetit të Bodrumit ekziston një teatër antik i cili thuhet se daton nga shekulli i katërt para erës sonë. e Në këtë sanatorium kulturo-historik tani mbahen koncerte dhe ngjarje të tjera me karakter kulturor. Të dhënat e disponueshme tregojnë se sot teatri mund të presë rreth 4.000 vizitorë, ndërsa në kohërat antike mund të pranonte trefishin e kapacitetit të tij aktual.

Bukuria e Bodrumit mund të shihet nga kodra në anën perëndimore të gjirit, e cila ofron një pamje perfekte të “qytetit të bardhë”, të cilit shtëpitë e vogla të bardha i japin hijeshi shtesë. Në këtë kodër ndodhen disa mullinj me erë që datojnë që nga shekulli i 18-të, të cilat janë përdorur deri 50 vjet më parë. Këtu, turistët përdorin rastin për të bërë fotografi në sfond me Bodrumin e bukur.

Milas: Varri Hekatomnosit hap horizonte të reja në historinë arkeologjike

Qyteti i Milas ndodhet 40 minuta nga Bodrumi në rajonin jugperëndimor turk Muğla, ku takohen detet Egje dhe Mesdhe. Në këtë vend, në vitin 2010, me përpjekjet e Ministrisë turke të Kulturës dhe Turizmit, u zbulua varri monumental i mbretit karian Hekatomnos (babai i Mauzolit), i cili daton nga shekulli i katërt para erës sonë. Gjegjësisht, dhjetë vjet më parë, gërmuesit e paligjshëm gjetën objekte dhe i shitën ato në mënyrë të paligjshme. Pas këtij rasti, institucionet përkatëse filluan kërkimet dhe zbuluan se në këtë vend gjendet varri i Hekatomnosit.

Sipas tregimeve të udhëzuesve turistikë, ky varr u zbulua nën një vendbanim ilegal. Tani, ende po punohet në këtë vend historik. Ai po kthehet në një muze në ajër të hapur, i cili tërheq vëmendjen e turistëve. Janë pikërisht këto zona arkeologjike në Turqi që hapin horizonte të reja në historinë e arkeologjisë.

Qyteti bregdetar i Marmarisit

Më pak se tre orë me makinë nga Bodrumi në rajonin Muğla, arrihet në qytetin bregdetar të Marmarisit, bukuritë e të cilit shijohen nga turistë nga shumë vende të botës. Ky qytet turistik, sidomos në vjeshtë, ka një klimë të këndshme dhe kushte të përshtatshme moti për turizëm. Qyteti është i famshëm për plazhet e tij të bukura, pazarin e pasur ku mund të gjendet një larmi bizhuterish, pëlhurash, rrobash, por edhe ushqimesh të shijshme turke.

Edhe ky qytet, si shumë qytete turke, ka kalanë e vet.

Kalaja Marmarisit u rindërtua në vitin 1522 gjatë sundimit të Sulltanit osman Sulejman. Që nga viti 1979, fortesa është rinovuar në mënyrë që të rikthehet në gjendjen e saj origjinale, dhe nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës, ajo është shndërruar në muze. Në muze ka shtatë galeri, më e madhja prej të cilave përdoret si hapësirë ​​ekspozite, ndërsa oborri është zbukuruar me lule. Ekziston edhe një karvansaraj, i cili është ndërtuar për qëllime ekonomike, në të njëjtën periudhë kur u ndërtua fortesa.

Bukurinë e veçantë qytetit ia japin rrugicat e ngushta të fshehura në kodrat e qytetit, të cilat janë zbukuruar me lule të bukura, dhe macet të cilat tërheqin vëmendjen e vizitorëve.

Përndryshe, emri i lashtë i Marmarisit është Pitania, dhe ka pretendime se qyteti mori emrin Marmaris si një vend që ishte burim mermeri, nga ku u eksportua ky gur i çmuar.

Si faktet, ashtu edhe rekomandimet e faktorët relevantë, tregojnë se rajoni jugperëndimor turk Muğla është një atraksion i vërtetë për turistët. Në këtë kontekst, vlen të përmendet se në mars, gazeta britanike “Daily Express”, si vend të sigurt për të pushuar në kohën e pandemisë së koronavirusit e rekomandoi Turqinë dhe provincën Muğla.

Vitin e kaluar, shumica e turistëve që vizituan rajonin ishin nga Britania. Numri i turistëve që vizituan Muğla-n vitin e kaluar ishte mbi 3,2 milionë, që përbënte një rritje prej 16 për qind në krahasim me vitin 2018.

Pasuria e bollshme kulturore dhe historike e Turqisë, plazhet dhe hotelet tërheqëse, bukuria natyrore me të cilën dashurohen të gjithë vizitorët, janë vetëm disa nga gjërat që e klasifikojnë Turqinë midis liderëve të turizmit në botë, por edhe një vend që ka bukurinë e veta unike, që vështirë mund të përshkruhen me fjalë, fotografi ose video. Ky vend i bukur duhet thjesht të vizitohet në mënyrë që bukuria e tij të ndihet dhe përjetohet në mënyrën e duhur.



.. .

Ngjarja paraprake

Rama i kundërpërgjigjet ashpër ministrit serb - Vrasësit janë në Beograd

Ngjarja e ardhëshme

Fillon festimi i Javës botërore të Gjithësisë

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian