Türkiye do të fillojë prodhimin masiv të sistemeve vendase të mbrojtjes ajrore

Drejtoria e Komunikimeve e Türkiyes ka bërë të ditur se vendi do të fillojë prodhimin masiv të tre sistemeve të mbrojtjes ajrore të projektuara dhe prodhuara në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Për të forcuar mbrojtjen ajrore të vendit tonë, janë marrë vendime për prodhimin e ri masiv të sistemeve SIPER, HISAR dhe SUNGUR”, tha drejtoria e komunikimeve pas një takimi në kryeqytetin Ankara të Komitetit Ekzekutiv të Industrisë së Mbrojtjes.

Në takimin e kryesuar nga presidenti Recep Tayyip Erdoğan në kompleksin presidencial u morën vendime për të paktën 25 projekte të ndryshme në lidhje me mbrojtjen e vendit.

Projekti SIPER udhëhiqet nga gjigandët mbrojtës të Türkiyes, ‘Aselsan’ dhe ‘Roketsan’, si dhe nga Këshilli i Kërkimeve Shkencore dhe Teknologjike të Türkiyes (TUBITAK).

Përveç projektit SIPER, i cili pritet të rivalizojë sistemin rus S-400, Türkiye gjithashtu ka zhvilluar sistemet e mbrojtjes ajrore KORKUT, SUNGUR dhe HISAR.

Komiteti po ashtu vendosi të prodhojë në masë municione të ndryshme, përfshirë silurët ‘Akya’ dhe raketat ‘Tayfun’, ‘Atmaca’, ‘TRLG-230’, ‘Karaok’, ‘Gokdogan’ dhe ‘Bozdogan’.

“Gjithashtu është rënë dakord për projekte të ndryshme për modernizimin e F-16ve tanë, sisteme të reja të luftës elektronike dhe radarëve, platforma të ndryshme ajrore, tokësore dhe detare, sisteme komunikimi dhe informacioni, pajisje, simulime, logjistikë dhe siguri kibernetik”, thuhet në njoftim.

Nga komiteti u theksua nevoja për të zhvilluar të gjitha llojet e teknologjisë së mbrojtjes që Türkiye blen nga jashtë, me qëllim për një “industri të mbrojtjes plotësisht të pavarur”.





Story i mëparshëm

​Këngët e fundit të regjistruara nga artistë të famshëm

Story i radhës

Shkëndija është klubi më i mirë nga Maqedonia e Veriut në Evropë!

Të fundit nga