Tri fazat e degradimit të Komunikimit Publik- mediet nuk duhet t’u japin hapësirë degraduesve

Fatkeqësisht, sot, këtë formë të komunikimit publik të degraduar, të ftuarit publik e kanë bartur edhe në mediet tradicionale, e sidomos në debatet televizive, të cilat realisht bartin përgjegjësinë kryesore në krijimin e opinionit publik dhe që deri më sot, kanë prezantuar vlerat kryesore të shoqërisë. Mediet kredibile dhe profesionale, sot, duhet të punojnë në atë drejtim që të parandalojnë këtë formë të dekadencës, duke i vendosur vetës kritere të larta profesionale, etike dhe duke e minimizuar hapësirën për gjithë ata që në esencë nuk prezantojnë vlera të komunikimin në publik, nuk kanë komunikim të strukturuar dhe që përdorin gjuhë vulgarë dhe jo përmbajtjesore

Komunikimi
publik në vendin tonë kohës së fundit ka degraduar, madje një komunikim i tillë
nuk mbahet në mend me aq pak argumente e ide, e me aq pak përmbajtje e
strukturë, por, me aq shumë fyerje e ofendime, denigrim, stereotipe,
stigmatizim e gjuhë të urrejtjes. Nga legjislativi, tek rrjetet sociale, e nga
viralet aty, e deri tek debatet televizive, sot, kemi shumë fjalime e diskutime
me një gjuhë joformale, të pastrukturuar, të paargumentuar e me një  kriter minimal të etikës së të folurit
publik.

Madje
sot, nuk mund të imagjinojmë që ta kalojmë një mbrëmje pa ndonjë skandal që
prodhohet në komunikimin publik, e që më pas ky diskutim vazhdon në hapësirën
ku participojnë të gjithë, atë të rrjeteve sociale.


mediet tradicionale dikur kishte një komunikim normal publik, por, zhvillimi i
teknologjisë e bashkë me të edhe transformimi i medies e shkundi për rrënjësh
këtë traditë, duke sjellë ndryshim të shpejtë dhe duke i zënë shoqëritë në
tranzicion të papërgatitur në aspektin e komunikimit publik, e të pa përgatitur
në aspektin e gjykimit kritik.

Para
një dekade problemi më i madh në komunikimin publik ishte me komentet e
lexuesve, që kishin mundësi dhe qasje të lirë për të shkruar në fund të çdo
teksti. Aty, nisi edhe degradimi, linçimi e gjuha e urrejtjes, që në esencë
ishte një paralajmërim për kohët që do të vinin. Kjo gjuhë dhe ky komunikim i
paorganizuar, përdorej nga qytetarët e rëndomtë, të cilët në esencë nuk kishin
peshë në sferën publike, nuk përfaqësonin institucione e nuk përfaqësonin
kategori të ndryshme të shoqërisë. Ky komunikim që përvidhej në hapësira
publike, zhvillohej kryesisht në fund të teksteve të gazetave online, të cilat
të gjendura nën presion, shumica nga to filluan filtrimin e këtyre përmbajtjeve,
ndërsa një pjesë e tyre mbyllën hapësirën për komentim. Më një fjalë këtij
degradimi iu gjet përgjigja edhe pse ishte goxha autoritare në esencë.

Zhvillimi
i rrjeteve sociale paraqet fazën e dytë të degradimit në komunikimin publik.
Megjithatë, mediet tradicionale dhe ato me kredibilitet të lartë profesional
dhe etik, qëndronin të palëkundura në parimet e tyre. Ndërkaq, e gjithë gjuha
denigruese, linçuese, e urrejtjes, e personave privat e publik, mori hov në
rrjetet sociale, aty ku nuk ekzistonin rregulla të lojës dhe aty ku diskutimi
publik më nuk i takonte vetëm njerëzve që në esencë do të duhej të kishin
përgjegjësi për fjalën e tyre publike. Edhe në këtë hapësirë publike u konfirmua
mungesa e kulturës së debatit, mungesa e përgjegjësisë publike dhe mungesa e
etikës së komunikimit. Jo rrallë herë diskutimet e zhvilluara në rrjetet
sociale dhe komunikimi desturktiv, përcaktuan edhe komunikim publik të fazës së
ardhshme. Ky komunikim i cili zhvillohet paralel më zhvillimet dhe debatet që e
përcjellin shoqërinë, sjellë në mënyrë të vazhdueshme edhe diskutimet që
paraqesin probleme serioze dhe dëmtim të lirisë së shprehjes dhe demokracisë.

Fatkeqësisht,
sot, këtë formë të komunikimit publik të degraduar, të ftuarit publik e kanë
bartur edhe në mediet tradicionale, e sidomos në debatet televizive, të cilat
realisht bartin përgjegjësinë kryesore në krijimin e opinionit publik dhe që
deri më sot, kanë prezantuar vlerat kryesore të shoqërisë. Mediet kredibile dhe
profesionale, sot, duhet të punojnë në atë drejtim që të parandalojnë këtë
formë të dekadencës, duke i vendosur vetës kritere të larta profesionale, etike
dhe duke e minimizuar hapësirën për gjithë ata që në esencë nuk prezantojnë
vlera të komunikimin në publik, nuk kanë komunikim të strukturuar dhe që
përdorin gjuhë vulgare dhe jo përmbajtësore.

Kjo
lloj diskrepance në komunikimin publik, sot ka prodhuar polarizim në shoqëri,
mungesë të konkurrencës së ideve, koncepteve përmbajtësore, por edhe shkelje të
standardeve të komunikimit dhe vlerave etike.

Një
pjesë e madhe e këtyre pjesëmarrësve në debatet publike, diskutimet e tyre nuk
orientojnë në interes të publikut, por, realisht janë aty për të mbrojtur
qëndrime politike, parapolitike apo të grupeve të interesit.

Sot,
diskutimet publike duke filluar nga Kuvendi i Kosovës e tutje, nuk prezantojnë
përmbajtje, nuk paraqesin ide, nuk trajtojnë probleme konkret, por, i gjithë
diskutimi mendohet dhe organizohet për klikim dhe shpërndarje virale, duke i
ikur përdorimit të një gjuhe formale të mbështetur në ballafaqim të ideve dhe
një etike të lartë të komunikimit publik.

(Autori
është profesor në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës
“Hasan Prishtina”)

Ngjarja paraprake

Rusi, shkon në mbi 1 milion e 618 mijë numri i të prekurve me COVID-19

Ngjarja e ardhëshme

Tërbohen

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian