Tregtarët në Mitrovicë shesin në trotuare, tregu mbetet jofunksional

Komunarët e Mitrovicës kanë dështuar të realizojnë planin dhe premtimin e dikurshëm se të gjithë shitësit e rrugëve do të vendosen në tregun e ri. Prej atëherë kanë kaluar më shumë se 10 vite dhe asnjë ndryshim nuk ka ndodhur, shitësit janë në rrugë, ndërsa hapësira e tregut e zbrazët.

Shitësit ankohen se lokacioni i caktuar për tregun e gjelbër nga ana e Komunës në vitin 2012, ndodhet larg qytetit andaj nëse vendosen atje, nuk do të kenë punë, sepse qytetarët do të blejnë nëpër dyqanet që janë më afër qendrës.

Në anën tjetër, qytetarët kritikojnë shitjen e pemëve dhe primeve nëpër rrugë, duke thënë se një gjë e tillë është jashtë çdo norme dhe e dëmshme për shëndetin e tyre, kurse komunarët potencuan se janë duke e trajtuar me prioritet çështjen, pa dhënë ndonjë afat se kur do të zgjidhet ky problem.

Nazmi Beqiri, shitës ambulant, e pranon se shitja e pemëve dhe perimeve nëpër rrugë nuk është gjë e mirë, por thotë se duhet të punojë diçka për të mbajtur familjen.

Ai tha për KosovaPress se tregtarët i janë drejtuar komunës me një shkresë, ku kanë kërkuar që lokacioni afër shkollës së muzikës ‘Tefta Tashko’ të bëhet treg, dhe janë në pritje të një përgjigjeje.

Beqiri: Kërkesa jonë është që tregu të vendoset në sheshin “Shemsi Ahmeti”

“Shesim nëpër rrugë sepse tregun e kemi pasur afër me xhaminë. Prej aty na kanë larguar me arsyetimin se po na bëjnë një treg të madh, por atje nuk vjen askush. Do të thotë shitje ditore s’ka atje, sepse lokacioni është larg, 300 metra larg nga këtu, kështu që shitje s’mundemi të bëjmë atje sepse derisa qytetarët të vijnë atje, i kanë të gjitha këndej deri tek stacioni… Kërkesa jonë e tregtarëve është që tregu të vendoset në sheshin ‘Shemsi Ahmeti’ përballë shkollës së muzikës dhe kërkesën e kemi bërë që dhjetë ditë, por vetëm po na japin premtime, ndërsa konkretisht s’ka gjë. Ne jemi rrugëve dhe të gjithë tregtarët janë të vetëdijshëm se kjo është keq”, ka thënë Beqiri.

Ndërkaq, Afërdita Tahiri, qytetare e Mitrovicës, thotë se shitja e gjërave ushqimore në rrugë është e dëmshme për shëndetin.

Ajo preferon që shitësit të shkojnë tek lokacioni i tregut të ri, sepse siç tha, nuk është shumë larg nga qendra, ose të vendosen në një lokacion tjetër ku nuk ka pluhur.

Tahiri: Tregu i ri nuk është larg, 200 metra nga këtu ku shesin tani

“Ndikon shumë keq në shëndetin tonë… Shitësit që shesin në rrugë nuk shkojnë atje tek lokacioni i tregut, për shkak se po thonë se frekuentimi është shumë më i vogël, por unë mendoj se prapëseprapë nuk është larg, sepse është 200 metra nga këtu… Unë zgjidhjen e shoh që të gjithë shitësit e artikujve ushqimorë të vendosen në një pjesë të caktuar ku është sado pak e mbrojtur nga qarkullimi i veturave, pluhurit etj.”, u shpreh Tahiri.

Edhe Qëndresa Shyti, një qytetare tjetër, bënë të ditur se shitja e artikujve ushqimorë në rrugë i ekspozohet pluhurit dhe diellit, andaj mund të ndikojë negativisht në shëndetin e qytetarëve.

Shyti: Artikujt e ekspozuar në pluhur rrezikojnë shëndetin e qytetarëve

“Gjithë ky pluhur i madh i makinave dhe ekspozimi i tepërt i gjërave ushqimore edhe në diell, nuk është aspak i mirë për shëndetin tonë dhe natyrisht ndikon negativisht në shëndetin e të gjithë qytetarëve…. Zgjidhjen e shoh që shitësit të vendosen në një vend të caktuar dhe të dedikuar vetëm për gjëra ushqimore dhe të mos ketë kontakt me pluhurin e makinave dhe të ngjashme”, tha Shyti.

Në anën tjetër, drejtori i Drejtorisë së Inspekcionit në Mitrovicë, Valon Brahimi, tha se tregu i ri në të cilin është investuar vite më parë, fatkeqësisht nuk është funksionalizuar në tërësi për shkak të, siç tha ai, praktikave të këqija të instaluara nga pushtetet e kaluara.

Sipas tij, çështja e tregut mbetet të diskutohet në mes të dy alternativave, e para, të rifunksionalizohet tregu aktual me disa investime shtesë, ose të ndërtohet apo të përcaktohet një lokacion i ri.

Brahimi: Problemi i shitësve ambulantë është çështje komplekse

“Çështjet e shitësve ambulantë dhe të tregut në Mitrovicë janë çështje komplekse. Ne po bëjmë përpjekje që të lirojmë hapësirat publike dhe të rifunksionalizojmë tregun në të cilin është investuar vite më parë, por i cili fatkeqësisht nuk është funksionalizuar në tërësi, për shkak të praktikave të këqija të instaluara nga pushtetet e kaluara… Çështja e tregut besoj se mbetet për t’u diskutuar në mes të dy alternativave. Ideja e parë është që të rifunsionalizohet tregu aktual, i cili kërkon disa investime shtesë për arsye se ka nevojë të përmirësohen disa aspekte në kuptimin higjieno-teknik… Një ide tjetër e cila mbetet vetëm në nivel idesh, është ndërtimi ose vendosja e një lokacioni të ri, një mini-tregu për pemë dhe perime, dhe kjo për arsye të ankesave të mëdha të shitësve ambulantë, të cilët ankohen se në vendin ku është caktuar tregu, është e pamundur të mbijetohet. Komuna e ka marrë parasysh kërkesën e tyre dhe është duke e trajtuar”, sqaroi Brahimi.

Ai shtoi se përkundër vullnetit, komuna nuk ka mundësi të bëjë një zgjidhje të shpejtë rreth këtij problemi, ndërsa nuk precizoi ndonjë afat kohor se kur do të zgjidhet kjo çështje.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Biznes me shpifjet kundër Sali Berishës!

Story i radhës

Vrau 30-vjeçarin në Kosovë, autori i ngjarjes vëllai i reperit Buta

Të fundit nga