Tomor Kotorri nderohet me titullin “qytetar nderi” i Rahovecit

Komuna e Rahovecit ka nderuar me titullin “qytetar nderi” kryetarin e shoqatës “Vëllezërit Frashri”, Tomor Kotorrin për merita të veçanta për ruajtjen dhe afirmimin e kulturës shqiptare.

Kryetari i kësaj komune, Smajl Latifi tha se sot po nderojnë një aktivist të palodhshëm, një atdhetar të përkushtuar dhe një njeri me vlera të larta morale.

Ai foli edhe për bashkimin kombëtar, ku tha se bashkimi i natyrshëm i trojeve shqiptare ndonëse mund të përbëjë problem për dikë, nuk duhet të jetë “mollë e ndaluar”.

Latifi: Bashkimi kombëtar nuk duhet të jetë ‘mollë e ndaluar’

“Lufta e UÇK-së dhe ndihma e aleatëve tanë në NATO përmirësuan sadopak historinë tragjike të ndarjes e copëtimit të trojeve shqiptare. Megjithatë, ne ende mbetemi të copëtuar në disa shtete dhe të degdisur gjithandej nëpër botë. Tashmë ndodhemi në një situatë ku fatin tonë mund dhe duhet ta marrim vetë në dorë. Nëse bashkimi i natyrshëm i trojeve shqiptare mund të përbëjë problem për dikë, për neve kjo nuk duhet të jetë ‘mollë e ndaluar’. Edhe pse kemi formuar dy shtete shqiptare, edhe pse kemi shqiptarë shtet-formues e pjesë e qeverive në shtetet fqinje, ne duhet të frymojmë shqip. Lidhjet shoqërore, kulturore, ekonomike, politike, sportive, infrastrukturore, shkëmbimet tregtare, vajtje-ardhjet vëllazërore duhet të intensifikohen, thellohen e zgjerohen. Në funksion të kësaj është edhe takimi ynë i sotëm… Roli i z. Kotorri në intensifikimin e marrëdhënieve vëllazërore Rahovec-Përmet ka qenë i padiskutueshëm. Përmes tij ne patëm shkuar në Përmet e Frashër më 25 maj 2012, ku e kishim nënshkruar marrëveshjen për binjakëzim ndërmjet dy njësive tona administrative”, tha ai.

Në këtë ceremoni kishte ardhur edhe kryetarja e Bashkisë së Përmetit, Alma Hoxha me përfaqësues të tjerë komunalë.

Ajo para të pranishmëve shprehu nderime për të gjithë dëshmorët dhe heronjtë e marsit te vitit 1998-1999.

Hoxha: Jemi këtu falë përpjekjeve titanike të popullit tuaj

“Dita e sotme është e veçantë dhe emocionuese, jo vetëm për prezencën tonë dhe nderimin që i bëni veprimtarëve premetarë por, edhe si muaji i cili përkon me përkujtimin e motrave dhe vëllezërve dëshmorë të komunës tuaj… Jemi këtu falë përpjekjeve titanike të popullit tuaj, të trimave dhe luftëtarëve të Rahovecit”, tha ajo.

I nderuar me çmimin u shpreh Tomor Kotorri, i cili tha se çmimi i marrë dhe harta e cila iu dhurua i kujton diçka shumë të bukur.

Kotorri: Harta më kujton diçka të bukur kur ne e filluam këtë veprimtari

“(Harta nga z. Smajl Latifi) Më kujton diçka të bukur kur ne e filluam këtë veprimtari. Z. Adriatik, kryetar i Ballit Kombëtar më thotë që ‘unë kam disa miq në Rahovec dhe kam qejf që të vijmë dhe të marrim pjesë në aktivitetet që organizoni, por kam edhe një gjë’, thotë, ‘pak më të veçantë, ato duhet të pasqyrojnë patjetër Shqipërinë e Madhe. Po që se nuk e pasqyrojnë, atëherë nuk do të vijmë’. Atëherë kjo ka qenë fillesa, që kemi nisur bashkëpunimin me Bekim Kelmendin dhe ata e pasqyruan kaq bukur”, tha ai.

Komuna e Rahovecit ndau mirënjohje edhe për kryetaren e Bashkisë së Përmetit Alma Hoxha.

Ngjarja paraprake

FC Prishtina: Në këto momente dhimbjesh qëndrojmë pranë familjes së të ndjerit Rasim Thaçi-Cima 

Ngjarja e ardhëshme

Ruskoska: Dekonspirohet aksioni në Gërçec, bosët e drogës në arati

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian