Tirana mirëpret Forumin Ballkanik kundër Antisemitizmit 2020

Shqipëria miraton rezolutën për antisemitizimin të Aleances Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit dhe mirëpret Forumin Ballkanik kundër Antisemitizmit 2020.

Shqipëria iu bashkua 34 vendeve anëtare të Aleances Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit, (IHRA) mes të cilave edhe Gjermania, duke miratuar rezolutën për përkufizimin e përdorshëm për antisemitizimin, të përcaktuar nga kjo Aleancë. Rezoluta mori votat unanime pro të deputetëve të pranishëm dhe asnjë votë kundër.

“Antisemitizmi është një perceptim i caktuar për hebrenjtë, i cili mund të shprehet si urrejtje ndaj hebrenjve. Manifestimet retorike dhe fizike të antisemitizmit drejtohen ndaj individëve hebrenj ose jo hebrenj dhe/ose ndaj pronës se tyre, ndaj institucioneve dhe objekteve fetare të komunitetit hebraik”, thekson rezoluta përkufizimin e përdorshëm të Aleancës Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit.

Miratim me unanimitet

Ky përkufizim dënon përpjekjet për të mohuar Holokaustin dhe zbatuar standarde të dyfishta në qëndrimet ndaj Izraelit. Shqipëria u bë kështu vendi i dytë në rajon, pas Kosovës, që miraton përkufizimin përmes miratimit të rezolutës mbi antisemitizmin. Miratimi i saj me unanimitet nuk është i papritur. Ai është në vijim të qëndrimit unikal të shqiptarëve, që gjatë Luftës së Dytë Botërore, strehuan hebrenjtë, i mbrojtën, rrezikuan jetën e tyre por nuk dorëzuan asnjë hebre tek nazistët.

Image

Në këtë kontekst është kuptimplot zhvillimi në Tiranë, më 28 tetor, i Forumit Ballkanik kundër Antisemitizmit. Burime zyrtare bëjnë të ditur se në këtë forum do të jetë i ftuar dhe sekretari i shtetit në SHBA, Michael Pompeo, që përmes një video konference do të jetë folësi kryesor në këtë Forum. 

“Qëllimi i Forumit është krijimi i një fronti të bashkuar në Ballkan për të punuar së bashku që antisemitizmi të zhduket nga ligjërimi dhe të mundësohet një shoqëri më e mire dhe më tolerante për brezat e ardhshëm” – theksohet në një njoftim të Parlamentit të Shqipërisë, organizator i Forumit në bashkëpunim me Lëvizjen Kundër Antisemitizmit dhe Agjencinë për Hebrenjtë të Izraelit.

SHBA dhe BE përshëndesin miratimin e rezolutës

Image

 Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, e cilësoi miratimin  e rezolutës nga parlamenti në një deklarat zyrtare si “një akt që vazhdon traditën e gjatë të Shqipërisë në luftën kundër urrejtjes dhe na kujton historinë e Shqipërisë dhe strehimin e viktimave të persekutimit në mënyrë të guximshme, pa marrë parasysh koston dhe pavarësisht nga rreziku.Shtetet e Bashkuara janë krenare që e quajnë Shqipërinë partnere dhe aleate ndërsa vazhdojnë angazhimin e tyre për dinjitetin e çdo individi.” 

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca, theksoi në median sociale se BE ”mirëpret rezolutën, që miraton përkufizimin IHRA të Antisemitizmit dhe është i vendosur të luftojë të gjitha format e antisemitizmit.. Për të mbështetur veprimet kombëtare, BE do të paraqesë një strategji gjithëpërfshirëse mbi antisemitizmin në vitin 2021.” /DW/

Ngjarja paraprake

Bleona i bashkohet fushatës së Trump

Ngjarja e ardhëshme

Igor Durlovski po largohet nga Kuvendi

të fundit nga