Kombëtarja shqiptare e futbollit barazoi 1-1 kundër Moldavisë ditën e premte dhe zyrtarisht kuqezinjtë janë në fazën finale të Europianit 2024, që do zhvillohet verën që vjen në Gjermani.
Sonte është ndeshja e fundit me Ishujt Faroe, e cila do të luhet në Air Albania, në orën 20:45. Mijëra tifozë kuqezi, të veshur me ngjyrat dhe simbolet kombëtare kanë vërshuar nëpër rrugët e kryeqytetit disa orë para ndeshjes së fundit të ekipit kombëtar duke kënduar këngë patriotike.
Gazetarja Ortenca Budlla intervistoi një tifoze e veçantë të Kombëtares, e cila e veshur me një fustan të kuq me shqiponjën dykrenare ka ardhur nga Belgjika të ndjekë skuadrën e zemrës për të tetin vit me radhë.
“Jetoj në Belgjikë dhe prej 8 vjetësh e ndjek Kombëtaren në çdo ndeshje, si në Shqipëri edhe në transfertë. Mendoj se Kombëtarja jonë do fitojnë 3 ose 4 me 0. Jemi tifozeria më speciale pasi nuk shkaktojmë asnjëherë probleme kudo ku shkojmë, por vetëm festë”, tha ajo.