Thatësira detyron banorët të kursejnë ujin në Kaliforni

Thatësirat e përkeqësuara në të gjithë perëndimin e Shteteve të Bashkuara, kanë çuar në kufizime të reja të përdorimit të ujit në Kaliforninë Jugore. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Genia Dulot nga Los Axhnelosi, zyrtarët përgjegjës për furnizimin me ujë po zbatojnë masa të reja për kursimin e ujit, ndërsa banorët po mundohen të shmangin ujitjen e kopshteve të tyre, duke i zëvendësuar hapësirat e gjelbruara me bimë të egra.

Kopshtet e gjelbëruara janë një tipar dallues i shumë lagjeve të Kalifornisë.

Por thatësirat kanë bërë që pjesa më e madhe e qytetit të Los Anxhelosit të kufizojë ujitjen e tyre në vetëm dy herë në javë.

Banorët që furnizohen nga ujësjellësi i distriktit “Las Virgenes”, mund t’i shfrytëzojnë sistemet vaditëse vetëm një herë në javë, pasi kjo zonë nuk ka ujëra lokale nëntokësore.

Zyrtarja e çështjeve publike, Riki Clark thotë se kursimi i ujit është i domosdoshëm sepse mbi 70 për qind e ujit të distriktit shfrytëzohet për mjedise të jashtme.

“Çdo klient, adresa e të cilit mbaron me numër çift, mund t’i ujisin bahçet të martën, të tjerët, me numër tek, dita e tyre e caktuar për ujijte është e enjtja. Në ditën e tyre ata mund të ujisin për tetë minuta”, thotë zonja Clark.

Punonjësit e ujësjellësit të distriktit kontrollojnë nëse rregullat po respektohen. Shkelësit fillimisht marrin vërejtje, pastaj dënim me gjobë. Nëse shkeljet vazhdojnë, furnizimi me ujë pakësohet në gati 4 litra në minutë.

“Në lavamanin e kuzhinës mund të mos e vëreni kufizimin. Por në dush vërehet dallimi. Në dush zakonisht furnizoheni me mbi 8 litra në minutë. Presioni do bjerë, por prapë mund të laheni. Mund edhe të gatuani. Lavatriçes ose tualitetit tuaj mund t’ju duhet më shumë kohë për t’u mbushur, por ato vazhdojnë të funksionojnë. Brenda shtëpisë mund të jetohet me këto kufizime. Por në oborr, sasia me të cilën furnizoheni nuk mjafton për të futur në përdorim sistemin tuaj të ujitjes”, thotë Cason Gilmer.

Disa njerëz mundohen të shmangin përdorimin e ujit jashtë shtëpisë. Sarah Lariviere, e cila bleu shtëpinë para një viti, në vend të hapësirës së gjelbër para shtëpisë, ka mbjellë lule të egra, që mbijetojnë në kushte thatësie.

“Pas disa kërkimesh gjeta bimë që mund të lulëzojnë në Los Anxhelos, në kushte thatësire. Shkova në një fondacion bimësh vendase. U regjistrova një kurs që të mësoja se si duhet të kujdesesh për to”, thotë Sarah Lariviere.

Ajo shfrytëzoi një program të Kalifornisë që ofron ulje çmimi për ata që duan të zëvendësojnë kopshtet e tyre me bimë lokale. Ndërsa kufizimet për përdorimin e ujit duket se do të vazhdojnë, banorët që duan t’i kenë kopshtet e tyre të gjelbëruara, po shohin se lulet po zverdhen./VOA

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Kovaçevski: Do të ketë metodologji të re për pagat

Story i radhës

Pendarovski dhe Sholc diskutuan për BE-në, NATO-n, Ballkanin Perëndimor, luftën në Ukrainë

Të fundit nga

AlbanianMacedonianEnglish