Të premten e javës së kaluar kryeministri Albin Kurti ishte i gatshëm të nënshkruante në Bruksel për themelimin e Asociacionit, sipas një propozimi ndërkombëtar. Shtatë ditë më vonë ai do të raportojë në Kuvend, megjithëse ka thënë se diplomatët i kanë kërkuar të mos flasë konkretisht për draft-statutin. Opozita kërkon transparencë dhe qasje në dokumentet e këtij propozimi, të cilin, sipas tyre, deputetët e LVV-së e kanë parë.
Gazeta Express
Kryeministri Albin Kurti të premten do të raportojë në Kuvend për udhëtimin e tij të fundit në Bruksel të enjten e javës së kaluar, ku zhvilloi negociata të gjata me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni. Ai ishte i gatshëm të nënshkruante aty për themelimin e kësaj bashkësie komunash, sipas propozimit të ndërkombëtarëve, por Serbia nuk deshi.
Pasi u kthye, Kurti të nesërmen doli në një konferencë për media së bashku me zëvendësin e tij, Besnik Bislimi, dhe të dy folën me tone pozitive për këtë propozim.
Kurti nuk deshi të fliste për hollësitë e propozimit, duke përmendur një kërkesë të ndërkombëtarëve për këtë çështje.
“Sa i përket këtij propozimi, ne e respektojmë kërkesën e pesë emisarëve deri sa të na kërkohet që të mos flasim konkretisht për të, por më e rëndësishmja është që emisarët kanë deklaruar që e kanë shkruar me kujdes, duke pasur parasysh Kushtetutën dhe ligjin dhe se përgjigjen për çfarëdo dilema gjithnjë do ta japë Gjykata Kushtetuese”, tha ai.
Ndërsa propozimin e kanë lexuar edhe presidentja Vjosa Osmani e kryeparlamentari Glauk Konjufca, opozita nuk duket shumë optimiste se do t’i marrë përgjigjet e kërkuara nga Kurti pasnesër.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, të shtunën shkroi për mungesën e shpjegimit “se çfarë ka pranuar Kosova në relacion me Serbinë”, duke i ftuar institucionet e vendit që “ta shpalosin draftin e propozuar publikisht para qytetarëve” dhe kryeministrin që “ta prezantojë atë draft në Kuvend”.
Në pritje të seancës, shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Arben Gashi ua ka kërkuar krerëve të shtetit dokumentet e propozimit për Asociacionin, pasi tha se “Qeveria ka vendosur që të na lë në terr”. Ai pret që “më së largu deri të enjten” t’i marrë dokumentet e kërkuara.
“Sipas deklarimeve të deputetëve në pushtet, konstatojmë se ata i kanë parë dokumentet lidhur me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. Pra, vetëm ne si opozitarë dhe populli nuk i kemi parë këto dokumente për këtë temë. Ndërkaq, më 03.11.2023 (ditën e premte), do të mbahet seanca raportuese e kryeministrit lidhur me pranimin e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. E, sot, në cilësinë e shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së, iu kam dërguar krerëve të pushtetit një kërkesë për qasje në dokumente zyrtare, përkatësisht për dokumentet e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, të cilin kryeministri tashmë veç e ka pranuar edhe publikisht”, shkroi Gashi të martën në Facebook.
Deputetët e LVV-së e dinë përmbajtjen e draft-statutit. Të hënën, pasi në Kryesinë e Kuvendit u vendos për raportimin e Kurtit, shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila
Përderisa përfaqësuesit e partive opozitare thanë se nuk e kanë parë dokumentin e prezantuar nga ndërkombëtarët, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, Mimoza Kusari-Lila, tha se pikat kryesore të propozimit “janë në përputhje me Kushtetutën”.
“Ne si grup parlamentar jemi të informuar për përmbajtjen e draftit të parë, përkatësisht pikave kryesore që janë në përputhje me Kushtetutën, por gjithashtu nuk është versioni final. Do të thotë, kjo është një punë në proces. Nuk kemi të bëjmë me diçka të finalizuar ende. Ju e dini që nuk ka pasur nënshkrim të marrëveshjes në Bruksel”, tha ajo.
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha atë ditë se Kurti të premten duhet të njoftojë se për çfarë saktësisht është pajtuar dhe si do të dukej një Asociacion në bazë të propozimit europian.
“Është shumë e rëndësishme që ta kuptojnë qytetarët dhe ne si përfaqësues të qytetarëve se për çfarë është pajtuar Qeveria e Kosovës, në këtë rast përmes kryeministrit, në cilat pika dhe si do të jetë ai lloj Asociacioni”, tha ai.
Edhe shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri kërkoi më shumë transparencë. Raportimin e Kurtit për këtë çështje e quajti të rëndësishëm “jo vetëm sa i përket transparencës, por edhe për t’i dhënë llogari Kuvendit”.
Konjufca pas një “shikimi sipërfaqësor”, pati thënë se propozimi ndërkombëtar për Asociacionin “është plotësisht në përputhje me Kushtetutën”. Por Kurti e Osmani nuk janë të sigurt që s’bie ndesh me Kushtetutën, përveçse thonë se gjithçka do t’i nënshtrohej vlerësimit të Gjykatës Kushtetuese.