Të skalitësh dhimbjen, Robert Dedaj i riu që mbylli plagët e luftës me punën e tij

U rrit duke shikuar familjarët se si latonin metalet. Qysh në fëmijëri ai e kuptoi se edhe gjërat më të paforma, nëse u kushton kujdes janë më të bukurat në botë. Gdhendja e arit në njërin nga qoshet e Gjakovës së pasluftës, për Robert Dedaj u bë punë ngushëlluese. Ishte vetëm trembëdhjetë vjeç, por dhimbjen për humbjen e babait dhe vëllait gjatë luftës në Kosovë, nuk ia fshinte asgjë, kështu ajo dhembje nxori nga dora e Robertit gjërat më të mrekullueshme.

Roberti tregon se stolitë u bënë pjesë e jetës së tij qysh kur ishte vogël, sepse babai i tij, kishte dikur një argjendari në Novalje të Kroacisë. Ndërsa pas luftës gjithë ato njohuri i praktikoi në argjendarinë e gjyshit në Gjakovë.

“Pas luftës në Kosovë kam filluar të punoj në argjendarin e gjyshit në Gjakovë, isha vetëm 13 vjeç. Më parë kanë punuar më shumë me filigran, ndërsa aty vërejta se puna në ari ka shumë dallime me punën me filigran dhe fillova ta përvetësoj atë punë dhe të bëj riparime të arit. Që atëherë kam filluar të punoj në mënyrë autodidakte, derisa arrita të realizoja punimet që doja. Pas luftës në Kosovë dhe humbjes së babait dhe vëllait, puna me ari ishte shpërqendrim për mua! Dhimbjet dhe kujtimet që më peshonin si metal i rëndë shkriheshin në pasionin tim për arin. Kështu duke u perfeksionuar çdo vit e më shumë kuptova se ky ishte pasioni dhe talenti im”, rrëfen ai për Akademi Pune.

E veçanta është pjesë e punës se Robertit, jo vetëm për shkak të modeleve, por edhe për shkak të mënyrës sesi ai punon. Pavarësisht zhvillimit të teknologjisë, stolitë e tij nuk prehen me laser apo CNC- makinë që bën prerjen e metalit me anë të kompjuterit. Ato janë tërësisht të krijuara me dorë, duke i gdhendur dhe lëmuar deri në detajin më imët.

“Shumë nga punimet së pari fillojnë të skicohen në mendjen time, duke përfunduar edhe të realizuara më vonë, por patjetër që kërkesat e klientëve janë primare dhe realizoj çdo punim të kërkuar nga ata! Një ndër veçoritë është pikërisht realizimi i kërkesave të klientit! E gjithë puna është e bërë 100% me dorë, unike! Pa prerje me laser, pa CNC. E thjeshtë nëse ke një unazë të ëndërrave, unë do ta bëj me përkushtim deri në detajin e fundit”, tregon ai.

E gjithë kjo punë e Robertit nuk ka shpëtuar pa u vënë re. Falë mundësive që rrjetet sociale kanë sjellë, stolitë e tij kaq unike kanë rënë në sy të shumë kompanive të njohura, për punën e tyre me ari jashtë Kosovës. Kjo është njëra ndër arsyet që e shtynë këtë mjeshtër për të vazhduar më tutje.

“Patjetër vlerësimi nga të tjerët. Falë teknologjisë në këtë rast Instagramit, kam marrë mesazhe nga disa kompani të njohura, që punojnë me ari jashtë Kosovës, dhe që më bëjnë të ndihem i vlerësuar për punën që bëj dhe gjithashtu të përkushtohem më shumë!

Kam shume qëllime, por janë shumë të vështira për t’u realizuar… shpresoj të bëhen të mundura në të ardhmen! Për momentin do vazhdoj me këtë përkushtim në punimin e arit dhe në realizimin e kërkesave të klientëve”, shprehet Roberti.

Ani pse Robert Dedaj e dashuron punën e tij, ai ka shumë sfida me të cilat përballet për ta kryer atë. Roberti tregon se edhe për veglën me të thjeshtë duhet të kalojë kufijtë që të pajiset me të, sepse ato nuk gjenden në tregun kosovar.

“Sfidat me të cilat përballem në punimin e arit me dorë janë të shumta. Duke filluar nga mungesa e mbështetjes nga shteti, pasiqë punimi i arit me dorë është një art dhe po ashtu një zanat në vete, që duhet të ketë shumë mbështetje dhe lehtësira nga shteti. Një tjetër sfidë është mungesa e mjeteve dhe pajisjeve në tregun e Kosovës, të gjitha mjetet e nevojshme duke filluar nga ato më të thjeshtat duhet blerë jashtë Kosovës”.

Por pavarësisht sfidave me të cilat përballet ai dhe profesioni i tij, Dedaj ka këshilla për të rinjtë që duan më merren me zanatin e të punuarit me arin, por ende kanë dyshime nëse duhet ta fillojnë.

“Çdo ditë e më shumë po rritet kërkesa për arin në Kosovë. Ari ka qenë gjithmonë dhe është pjesë e rëndësishme te shqiptarët, edhe atëherë kur kushtet ekonomike ishin apo janë jo të mira. Tradicionalisht fejesat, darsmat dhe shumë data të rëndësishme janë festuar me dhurata nga ari. Asnjë punë nuk mund të ketë sukses nëse mungon përkushtimi ndaj saj. Nëse ky është pasioni që ju djeg brenda dhe mendimi që bluani çdo ditë në kokë, atëherë fillo…”, i motivon Dedaj të rinjtë

Me thellësinë që e nisi qysh në fëmijëri, ashtu po vazhdon ende, atë nuk ia zbehi as koha, madje Roberti thotë që lumturia që ndjen teksa punon, e bën të kuptojë se nuk ka asgjë tjetër në botë që do ta bënte me kaq pasion.

Ngjarja paraprake

Ky është tualeti në Kosovë, më i famshmi në botë! E veçantë apo jo!

Ngjarja e ardhëshme

Zaev: S’kam pasur kontakt direkt me Spasovskin, do të bëj test për Covid-19

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian