Të paktën 16 të vrarë në protestat e stome në Mianmar

Të paktën 16 njerëz humbën jetën si rezultat i ndërhyrjes së armatosur të forcave të sigurisë në protestat kundër puçit ushtarak dhe ndalimit të anëtarëve të zgjedhur të qeverisë në Mianmar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ushtria e Mianmarit, e cila ndërhyri në protestat e zhvilluara sot në qytetet Yangon, Mandalay, Myeik, Wundwin, Meikhtila dhe Kyaukpadaung, hapi zjarr mbi turmën, njoftoi faqja e internetit Myanmar Now, duke cituar aktivistët që ndoqën protestat.

Duke folur për AA, aktivistja Keren Khin theksoi se numri i vdekjeve mund të rritet gjatë ditës.

“Ne nuk mund të përcaktojmë numrin e saktë të vdekjeve në terren sepse trupat e disa protestuesve u morën nga ushtarët”, tha ajo.

Numri i të vdekurve si rezultat i ndërhyrjes së forcave të sigurisë në protestat në Mianmar tani ka arritur në 344.

“Sot është ditë e turpit për forcat e armatosura”, tha Salai Maung Taing San, një anëtar i Komitetit Përfaqësues të Asamblesë Kombëtare (CRPH), i cili u krijua nga deputetët kundër grushtit të shtetit për të rikthyer qeverinë civile.

Duke kujtuar se ushtria e Mianmarit po feston Ditën e Forcave të Armatosura sot, San tha: “Ata e pritën këtë ditë të rëndësishme si një ushtri që ka vrarë më shumë se 300 civilë”.

Grushti ushtarak në Mianmar

Ushtria e Mianmarit, pas pretendimeve nga grupet e afërta politike pranë saj për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe pas rritjes së tensioneve në vend, mori pushtetin më 1 shkurt.

Ushtria në vend shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit, ndërsa më pas arrestoi shumë zyrtarë dhe drejtues të tjerë të partisë në pushtet, përfshirë edhe ministren e Jashtme, njëherësh lideren e vendit, Aung San Suu Kyi.

Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe shumë vende, duke përfshirë Turqinë, kanë reaguar ashpër ndaj puçit ushtarak.

Qytetarët e Mianmarit më 6 shkurt filluan protestat kundër grushtit të shtetit me kërkesën për kthimin e demokracisë, ndërkohë që forcat e sigurisë kanë përdorur dhunë për t’i shtypur ato.



. .

Ngjarja paraprake

Qytetarët nisen drejt Serbisë për t’u vaksinuar, pritje deri në 40 minuta në Tabanoc

Ngjarja e ardhëshme

6 shenjat më të pavarura të Zodiakut

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian