Të mos e fshehim Edi Ramën pas gishtash

Kryetari i bashkisë së Tiranës ia ka futë shpatullat barrës së huaj. Do të dalë si rrufepritës ndaj pakënaqësive të qytetarëve ndaj Edi Ramës. Por kryetari i bashkisë nuk është kryeministri Edi Rama dhe ai vetëm po shërben si gisht që njerëzit të mos shohin Ramën të fshehur pas gishtit, një taktikë perverse e Edi Ramës që të devijojë rrufetë tek të tjerët. Duke u marrë me kryetarin e bashkisë, pa dashje bëhet ajo që dëshiron Edi Rama, devijimin e shigjetave të zemërimit qytetar që në fakt janë kundër Ramës. Kryetarët e bashkive, të emëruarit e Ramës, kanë hisen e tyre të madhe në fatkeqësitë e përditshme të vendit.

Nuk është arkitekti i të keqes se vendit kryetari i bashkisë së Tiranës e i asnjë bashkie, por është Edi Rama, i cili është gati të ofrojë fakte e skandale bashkiakësh, vetëm që t’i shalojë si kuaj justifikimi për veten e tij bashkiakët, që mallkimet e qytetarëve të shkojnë të pushtetarë të tjerë, që Rama të ketë fytyrë te kërkojë përvujtësisht mandat të tretë se e morën në qafë kryebashkiakët e poshtër. Që njerëzit të mos merren me Ramën por të kalojnë ditët duke u marrë me kryebashkiakë e me spiropalizmin qeverisës. Sikur qëllimi ynë është të përmirësojmë qeverisjen e Ramës e Ramën vet e jo ta largojmë nga pushteti si fatkeqësi, si njeri që nuk prodhon asgjë pozitive por veç ka bllokuar vendin në gjithë pikëpamjet dhe mashtron ngado shkon, mbjell përçarje e urrejtje ngado shkon, sikur ai e PS janë progresistë e Basha e PD regresiste.

Pa dashje ne, qortues të ndryshëm, po ia bëjmë këtë nder Ramës, duke devijuar kritikat drejt atyre që nuk kanë gjë në dorë veçse të zbatojnë urdhrat e Ramës dhe klanit të tij. Kam një drojë se po vihet re një tendencë për më e paraqite Edi Ramën kloun, karikaturë, budalla por jo njeri te keq, artist në shpirt por që ia punojnë pas shpine, njeri që qan e loton për hallet e njerëzve se është shumë i ndjeshëm si njeri, por që nuk ka çfarë i bën injorancës se të tjerëve.

Duke harruar kështu me dashje se të gjithë të tjerët me të cilët qeveris e punon ai, i ka punësuar vetë Rama dhe ai është gurra e të ligës në këtë vend, me injorancën e arrogancën e pangopësinë, me inatet e tij, me mllefet e mbledhura që në fëmijëri e rini, për shkak të dështimeve të hershme. Edi Rama nuk mundet as rrëzohet me karikatura e parulla, nuk dëmtohet as cenohet nga këto karikatura e parulla. Se ai është në zanatin e tij për këto, është më i zoti me shpifë, me rrejtë, me mashtrua, me fallsifikua, me qa, me u ankua, me bë si shpirt i keq, si i përvuajtur e gjynahqar. Ai është tiran në pushtet por po qe nevoja, po iu desh, ta mbanë shurrën në grusht. Të tall e përgojon, të linçon, të demaskon, e nëse i duhesh të lëpinë e të përgjërohet. Cinizmi i tij ndaj të vobektit është mizor.

Edi Rama nuk mundet duke ia kritikuar ushtarët. Edi Rama e do “në lule të ballit”. Duhet t’i thuhet e t’ia kujtojmë përditë ata mijëra njerëz që futi nëpër burgje kur erdhi në pushtet dhe dramat e tragjeditë që shkaktoi nëpër familjet shqiptare sikur ata ishin shkaktare te abuzimeve me energjinë elektrike. Kush vdiq në burg, kush mbeti në terr. A ia kanë falë familjet shqiptare ato tragjedi… Unë di një familje që ka qëndruar një vit pa drita elektrike, ne terr, plotësisht në terr. Veç territ në shtëpi, kësaj familje ia ka mbyllë dyqanin, 6 metër katror dyqan, që kishte kjo familje. Dhe ne fund, kjo familje ia dha votën familjarisht e fisërisht Edi Ramës edhe pas gjithë atij ndëshkimi që i bëri ai kësaj familje… Unë po flas për familjet që kanë dinjitet, ato nuk duhet ta harrojnë përbuzjen, urrejtjen, mërinë, dhe me e pakta që duhet të bëjnë, të mos votojnë Edi Ramën edhe nëse u jep 200 euro për një votë. Duhet t’ia kujtojmë përditë tritolin dhe shembjet selektive te banesave e pallateve që bëri nëpër atdhe.

Duhet t’ia kujtojmë përditë karagjozllëqet antishtet me tritole të paligjshme që e ndëshkuan shtetin e qytetarin. Sa vendime të poshtra të Edi Ramës rrëzoi gjykata e Strasburgut, duhet t’ia kujtojë dikush përditë. Duhet të kujtojmë përditë shembjet e shtëpive pa i paguar. Faturat e rënda financiare që për pordhat e Edi Ramës karagjoz që duhet të paguajë shteti shqiptar ndaj të huajve apo vendasve. Ose duhet të besojmë vetë se kemi shaluar kauza koti, kauza të rremë dhe kemi dërdellisë kot udhëve e shesheve kundër Ramës. Edi Rama është më i aftë se ne që të çelë problem të ri me mbyllë skandal të vjetër, është më mjeshtër se ne të gjithë. Sepse ai është arkitekt i mashtrimit e falsifikimit, është bojaxhi, lustraxhi dhe ka vetëm këtë punë, si të përsosë mashtrimin, si ta shesë të zezën për të bardhë, si t’ua hedhë fajin të tjerëve, si të zbusë zemrat e të dëshpëruarve ndaj tij Edi Rama tall njerëzit, njerëzit e durojnë se i mblidhen njerëz që kanë dëshirë të tallen e të ndjejnë kënaqësi të argëtohen me vjershëtore me të meta që i këndojnë himne Ramës. Rama është gati të bjerë barkas vetëm të fitojë mëshirën e votën e njerëzve. Por dikush duhet t’ia kujtojë përditë e për natë talljet që u bënte grave për burrat e tyre e burrave për gratë e tyre sikur ky të ishte modeli i përsosjes kur në fakt është modeli i të keqes.

Duhet t’ia kujtojmë për ditë deklaratat mashtruese, premtimet e bujshme të pambajtura, pasigurinë që ka rritur në vend, braktisjen e vendit nga mungesa e shpresës dhe e vendeve të punës. Ai e shet veten edhe si Skënderbe edhe si Ismail Qemal me mjekër të bardhë që e lyen më shpesh se gratë lyejnë flokët me fshehë thinjat, por është shumë karikaturë. Ai e di, por gëzohet që njerëzit merren me këtë gjë se ky është qëllimi i tij, të hutojë njerëzit që të mos merren me thelbin e gjërave. Edi Rama shtiret deri në perfeksion por shtirja i duhet zbuluar. Ai shkon i vetëm në takime të ndryshme ose nuk lejon të shfaqen krah tij ata që e shoqërojnë, ndryshe nga Basha që del me ca shoqërues që nuk i durojnë njerëzit për arsyen se cenojnë Bashën dhe njerëzit e duan Bashën të distancuar nga ata lloj shoqëruesish. Gjithë sekreti është kush e si e shpërthen tullumbacen Edi Rama. E ka veshë e mbështjellë veten tullumbace aq mjeshtërisht sa duket si trup i shenjtë qiellor i pacenueshëm. Ia ka mbushë mendjen vetes se është modeli i politikanit, modeli i modës me citjane e poture. modeli i shtetarit artist piktor dhe këto i shet si të vërteta absolute duke denigruar të tjerët.

E ka në majë të gjuhës justifikimin e fyerjen ndaj tjetrit derisa tjetri ia përplasë në fytyrë. Rama është mësuar veç ai ta ngrejë zërin kudo nëpër mbledhje e studio se nuk ka dalë dikush t’i thotë stop publikisht dhe ai pastaj të përgjërohet e të thotë, avash o avash se jemi live në televizion… Edhe në tentativën e tij më të synuar që të shfaqej lider rajonal dhe në pajtimin nënshtrues e servil i ulët ndaj Vucicit, del dikush dhe thotë se Rama është i padijshëm në raport me serbët. Të thuash kështu do të thotë ta justifikosh Ramën. Rama ka mbi dy dekada në pushtet, nuk është i padijshëm, por është i nënshtruar ndaj serbëve dhe i qahet Vucicit për Vulinin. Nuk ka gazetar që e justifikon Ramën që i dha çelësin e Tiranës këngëtarit serb frymëzues ushtarësh serbe, Ramën që doli gjithë kohën kundër Rrugës së kombit, ndërsa vetë rrugët i bën varr të buxhetit të shtetit. Dolën shumë fjalë por në krye pata veç një qëllim, të mos lejojmë të fshihet Edi Rama pas gishtash të ndryshëm qofshin ata kryetarë bashkie apo ministra të tij dhe të mos mashtrohemi siç do ai sikur e keqja nuk është Edi Rama por njerëzit që e rrethojnë. Kështu thuhej në kohën e Enverit, sikur Enveri është i mirë por ia kanë më hile të tjerët. Ai boll po burgos e po vret por nuk po ia del dot i shkreti, e popullit i vinte keq për Enverin….

Ngjarja paraprake

Edhe kjo ndodhë në Kosovë, i rrahën, pastaj fituan ndeshjen në tavolinë

Ngjarja e ardhëshme

ASH dhe Alterantiva në një vijë me LEVICËN, votuan përmbajtur për masën uikend pa TVSH

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian