Tarifat me shumicë të telefonisë celulare kanë pësuar ulje të re prej fillimit të këtij viti

Që nga fillimi i këtij viti, tarifat me shumicë ose tarifat e terminimit të telefonisë celulare në vend kanë pësuar një ulje të re, në 0.89 lekë për minutë, nga 1.02 lekë për minutë që ishin deri në fund të vitit 2022.

Ulja e përshkallëzuar e tarifave me shumicë ishte parashikuar në dokumentin final për rezultatet e modelit të kostove të shërbimeve me shumicë të rrjeteve celulare, i miratuar nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) në korrik të vitit 2021.

Dokumenti në fjalë synonte vendosjen e tarifave me shumicë të thirrjeve që të reflektojnë kostot direkte, të matura për operatorët e komunikimeve të lëvizshme në Shqipëri.

Dokumenti ka matur kostot e shërbimeve me shumicë të ofruara nga operatorët celularë në Shqipëri sipas metodologjisë së kostove rritëse për një kohë të gjatë (Long-Run Incremental Cost, LRIC), në përputhje me rekomandimet e Komisionet Europian. Kjo është teknika bazë e përdorur nga rregullatorët e komunikimeve elektronike për vendosjen e tarifave të terminimit të orientuara në kosto.

Sipas analizës së kostove të miratuar nga AKEP për këtë qëllim, kosto e terminimit të thirrjeve kombëtare ka rezultuar rreth 0.751 lekë për minutë, ndërsa për thirrjet hyrëse ndërkombëtare 0.762 lekë për minutë. Për t’i orientuar këto tarifa në kosto, AKEP vendosi një ulje të përshkallëzuar të tyre. Pas uljes në 0.89 lekë për minutë në fillim të këtij viti, prej 1 janarit 2024 tarifat e terminimit do të pësojnë edhe uljen finale në nivelin 0.75 lekë për minutë.

Tarifat e terminimit janë tarifat që operatorët i paguajnë njëri-tjetrit për thirrjet që kryhen drejt rrjeteve respektive. Për shembull, për çdo minutë thirrje që një përdorues i rrjetit X kryen drejt një rrjeti tjetër Y, sot operatori X i paguan operatorit Y 0.89 lekë për minutë.

Përcaktimi i këtyre tarifave është instrumenti kryesor i rregullimit të tregjeve të komunikimeve elektronike nga autoritetet përkatëse. Orientimi në kosto i tarifave me shumicë vlerësohet si mënyra më e mirë për të mundësuar një konkurrencë të drejtë dhe të ndershme mes operatorëve në tregun me pakicë.

Vendimi i AKEP është kundërshtuar nga disa prej operatorëve celularë gjatë konsultimeve të kryera para marrjes së vendimit final, në 2021. Sipas tyre, ky ndryshim drastik do të dekurajojë ndjeshëm investimet, veçanërisht ato afatgjata, të tilla si ato në teknologji 5G ose investime të tjera në rrjete broadband.

Prej datës 1 janar 2023, Shqipëria ka zyrtarisht vetëm dy operatorë celularë. Dy operatorët, ONE dhe ALBtelecom u bashkuan ligjërisht, në përfundim të një procesi të nisur pas blerjes së tyre nga grupi hungarez 4iG. Numri i operatorëve në treg është ulur nga tre në dy, numri më i ulët që prej vitit 2008, kur pikërisht ALBtelecom pati nisur aktivitetin në këtë treg, nëpërmjet kompanisë së saj celulare, Eagle Mobile.

Ulja e numrit të operatorëve krijon shqetësime për rënie të konkurrencës dhe rritje të mundshme të çmimeve për përdoruesit fundorë. Nga ana tjetër, konsolidimi është një tendencë që po ndeshet gjithnjë e më shpesh në tregjet e telekomunikacioneve në dekadën e fundit.

Kjo ndodh sepse operatorët më të vegjël e kanë të vështirë të jenë eficientë në afatin e gjatë, sidomos në tregje me përmasa të vogla, si Shqipëria. Po të shohim treguesit financiarë të operatorëve celularë në Shqipëri gjatë dekadës së fundit, ka një tendencë në dukshme të rënies së fitimeve edhe për operatorët më të mëdhenj, ndërkohë që operatorët më të vegjël kanë rezultuar në mënyrë konstante me humbje.

Përkeqësimi i performancës financiare të tregut të vështirë sigurimin e burimeve për të financuar investimet e reja në teknologji. Nevoja për investime dhe ekzistenca një madhësie kritike është e lidhur shumë edhe me sjelljen konsumatore, sepse përdorimi i shërbimeve celulare nga shqiptarët po orientohet gjithnjë e më shumë drejt internetit, në përputhje me tendencat globale.

Kjo tendencë e bën cilësinë e ofrimit e shërbimit një element gjithnjë e më të rëndësishëm mes operatorëve. Krahasuar me shërbimet bazike të thirrjeve zanore dhe mesazheve të shkruara, ofrimi i shërbimit cilësor të internetit është më i kushtueshëm, sepse kërkon më shumë frekuenca dhe më shumë investime në infrastrukturë rrjetesh dhe në teknologji.

/Monitor

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Shkrin akulli me Kurtit dhe Erdoganit, sot darkojnë në Stamboll

Story i radhës

Kurti kërkon bisedime për planin evropian dhe Asociacionin

Të fundit nga