TAP: 10 miliardë metër kub gaz në Europë

Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) njoftoi të enjten se 10 miliardë metër kub gaz natyror nga Azerbajxhani ka hyrë në Europë nga shtatori i vitit të shkuar nëpërmjet pikës së interkonjeksionit në Kipoi, në kufirin Greqi – Turqi, aty ku TAP bashkohet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP).

Nga sasia e përgjithshme rreth 8.5 miliardë metër kub janë dërguar në Itali. Drejtori Menaxherial i TAP-it, Luca Schieppati, tha se “10 miliardë metër kub është një arritje simbolike, por shumë e rëndësishme”.

Sipas tij, “prej rreth një viti aktivitet tregtar, TAP-i ka ofruar shërbim efikas, të vazhdueshëm dhe të besueshëm, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm për sigurinë dhe diversifikimin e burimeve të energjisë në Europë.

Zoti Schieppati ka pohuar se aktualisht është mundësia të arrihet kapaciteti i plotë i transportit prej 10 miliardë metër kub në vit dhe mund të shtohen më tej kapacitetet nëpërmjet ankandeve me afat të shkurtër.

Ndërsa Drejtoresha Komerciale e TAP-it, Marija Savova, tha se “Transportimi i sasisë së parë të gazit natyror prej 10 miliardë metër kub në Europë rrit likuiditetin në tregjet e gazit dhe përforcon rolin e TAP-it si një transportues i besueshëm që mund të japë një kontribut të rëndësishëm për sigurinë e energjisë në Europë”.

Image

TAP-i është i rëndësishëm për Europën

Ajo tha se brenda 45-65 muajve, mund të dyfishohet kapaciteti, duke u zgjeruar në disa faza, deri në 20 miliardë metër kub në bazë të kërkesave.

Sipas kompanisë TAP, segmenti europian i korridorit jugor të gazit ka kapacitet të transportojë afërsisht 10 miliardë metër kub gaz në vit në disa tregje evropiane.

TAP transporton gaz natyror nga fusha e Shah Deniz-it në sektorin azerbajxhanas të detit Kaspik për në Europë.

Gazsjellësi, i gjatë afërsisht 878 km, lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian pranë kufirit turko-grek në Kipoi, përshkon Greqinë, Shqipërinë dhe detin Adriatik, përpara se të mbërrijë në brigjet e Italisë jugore. TAP-i pritet të lehtësojë furnizimin me gaz të vendeve të Europës Juglindore përmes interkonektorëve të ardhshëm.

Në veçanti, Bullgaria do të jetë në gjendje të mbulojë deri në 33% të kërkesës së saj totale për gaz përmes gazsjellësit TAP, pas përfundimit të interkonektorit Greqi- Bullgari. Pikat e daljes së TAP-it në Greqi dhe Shqipëri, bashkë me daljen në tokë në Itali, ofrojnë mundësi të shumta për transportin e gazit nga Azerbajxhani drejt tregjeve më të mëdha europiane.

Image

TAP-i është i rëndësishëm për Europën

TAP-i është i rëndësishëm për Europën, si një pjesë kyçe e Korridorit Jugor të Gazit si nga pikëpamja strategjike, ashtu edhe ekonomike.

Në Shqipëri Presidenti Ilir Meta e përshëndeti vendimin e furnizimit me gaz natyror të Europës Perëndimore përmes gazsjellësit TAP.

“TAP është investimi i huaj më i rëndësishëm strategjik në Shqipëri, frut i bashkëpunimit të suksesshëm dhe strategjik ndërmjet Shqipërisë, partnerëve europianë dhe SHBA-ve me qeverinë e Azerbajxhanit”, deklaroi Presidenti Meta.

Sipas tij “përveç ndikimit të jashtëzakonshëm të këtij investimi madhor në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, veçanërisht në zonat e kalimit të gazsjellësit, ky projekt rrit ndjeshëm pavarësinë e Europës nga gazi rus”./VOA

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Përfundon me sukses trajnimi i radhës i UEFA-s mbi sigurinë në finalen e Conference League

Story i radhës

Donika Kadaj: Nuk bëhet fjalë për martesë mes gjinive të njëjta, por për bashkësi civile

Të fundit nga