Takimi i NATO-s në Madrid

Sot në Madrid mblidhen 30 udhëheqësit e aleancës së NATO-s, për një takim të nivelit të lartë që zhvillohet nesër dhe pasnesër. Takimi vjen në një periudhë të vështirë, të shkaktuar nga agresioni rus kundër Ukrainës. Gjatë takimit udhëheqësit pritet të shfaqin unitetin e tyre në mbështetje të Kievit, të vendosin për shtimin e pranisë së forcave të NATO-s në krahun lindor të saj dhe miratimin e një koncepti strategjik mbi përparësitë e aleancës në dekadën e ardhshme. 

Rrugët e kryeqytetit spanjoll janë shumë të ngarkuara.

“Madridi është i pakalueshëm nga numri i madh i njerëzve, trafiku dhe siguria”, thotë një banor.

Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut takohet këtë javë në Madrid në një periudhë urgjente të ripohimit të misionit të saj origjinal, atë të parandalimit të agresionit të Rusisë kundër demokracive perëndimore.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara dhe udhëheqës të tjerë të aleancës më të fuqishme ushtarake në botë, duan të tregojnë forcën dhe unitetin në mbështetje të rezistencës së Ukrainës ndaj sulmit të ashpër të forcave të Presidentit rus Vladimir Putin.

30 anëtarët e NATO-s pritet që të rrisin mbështetjen për Ukrainën, të shtojnë praninë e forcave të tyre në krahun lindor të aleancës dhe të miratojnë një koncept strategjik, që përcakton përparësitë kryesore për dekadën e ardhshme – me theks të veçantë ndaj ambicieve ushtarake ndërkombëtare në rritje të Kinës.

“Është një takim i nivelit të lartë që zhvillohet në një nga momentet më dramatike të marrëdhënieve të Bashkimit Evropian me Rusinë dhe gjithashtu me Shtetet e Bashkuara. Është takim shumë i rëndësishëm. Është hera e parë që ndodh gjatë një lufte në Evropë”, thotë Javier Solana, ish-Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.

Sulmi rus në Ukrainë e ka kthyer NATO-n në parimet fillestare të saj.

Rusia është çështja dhe kundërshtari kryesor me të cilin përballet aleanca. Në takimin e nivelit të lartë në Madrid do të diskutohen mënyra për të mbështetur Ukrainën dhe për të forcuar mbrojtjen përgjatë kufijve lindorë të NATO-s, ku vendet si Rumania deri tek shtetet baltike shqetësohen se mund të jenë shënjestra e radhës e Vladimir Putinit. 

Zgjerimi i NATO-s drejt lindjes, në atë që zoti Putin e sheh si sferë tradicionale të ndikimit të Rusisë, çon në thelbin e arsyetimit të Moskës për sulmin e saj ndaj Ukrianës.

Para luftës, Presidenti Putin kërkoi nga NATO të ndalonte zgjerimin dhe të tërhiqte forcat e saj nga lindja.

Por, sulmi rus po shkakton të kundërtën.

Aleanca po përpiqet të ruajë një ekuilibër të ndjeshëm, duke armatosur Ukrainën, por pa u futur në një konfrontim të drejtpëdrejtë me Rusinë, e cila zotëron armë bërthamore.

Kjo është arsyeja përse nuk parashikohet futja e Ukrainës në NATO në të ardhmen e afërt, pavarësisht se ky vend është futur në rrugën e anëtarësimit, së bashku me Gjeorgjinë, më 2008.

Presidenti ukraians Volodymyr Zelenskyy pritet që t’u drejtohet udhëheqësve të NATO-s në një lidhje videofonike, por ai ka pranuar se anëtarësimi në NATO është një synim i largët dhe se tani ai është i përqëndruar në anëtarësimin e vendit të tij në Bashkimin Evropian.

Sidoqoftë, zgjerimi i alenacës mund të ndodhë. Finlanda dhe Suedia kanë braktisur statusin e tyre neutral, duke kërkuar anëtarësim në NATO, si masë mbrojtjeje ndaj një Rusie gjithnjë e më agresive. 

Por Turqia, e cila ka ushtrinë e dytë më të madhe të NATO-s, është pengesë për qëllimet e Suedisë dhe Finlandës, të paktën tani për tani.

“Turqia nuk ka kundërshtuar në mënyrë të pakthyeshme, por ajo dëshiron që shqetësimet e saj të sigurisë të zgjidhen”, thotë Salvador Sanchez Tapia, profesor në Universitetin e Navarrës. 

Suedisë dhe Finlandës u duhet mbështetje unanime e të gjithë anëtarëve të NATO-s, por presidenti turk Recep Tayyip Erdogan vazhdon të këmbëngulë se ai do të lejojë futjen e dyshes nordike në NATO, vetëm nëse ato ndryshojnë qëndrimin e tyre ndaj grupeve rebele kurde, të cilat Turqia i konsideron si terroriste.

Turqia kërkon po ashtu ekstradimin e anëtarëve të organizatave kurde që janë kundër qeverisë së presidentit turk dhe heqjen e kufizimeve ndaj Turqisë për eksportet e armëve.

“Nuk do të ndryshojmë qëndrimin tonë derisa Suedia dhe Finlanda të ndërmarrin hapa të qartë, konkretë dhe të vendosur për luftimin e terrorizmit”, tha zoti Erdogan dy javë më parë në parlamentin turk.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg organizoi bisedime me Turqinë, Suedinë dhe Finlandën javën e kaluar, në përpjekje për të tejkaluar ngërçin, por nuk është e garantuar se në takimin e Madridit do të ketë përparim./VOA

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Drama e Gabigolit tek Interi

Story i radhës

Vazhdoi tensioni në KÇE, VMRO konteston miratimin e rendit të ditës

Të fundit nga

AlbanianMacedonianEnglish