Ambasadori i BE-së, në Kosovë, Tomas Szunyog, u takua sot me përfaqësues të pakicave për të diskutuar rolin dhe mbështetjen e tyre në implementimin menjëhershëm, siç thotë Ai, të marrëveshjes për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Takova sot përfaqësues të komuniteteve joshumicë nga Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria për të diskutuar rolin dhe mbështetjen e tyre për zbatimin e menjëhershëm të Marrëveshjes në rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe funksionimin e Kuvendit.”- ka shkruar në Twitter ambasadori.
Tutje Szunyog, është shprehur se roli i pakicave është vendimtar për demokracinë në Kosovë, si dhe rrugën Evropiane
“Përfaqësuesit e komuniteteve pakicë janë pjesë e rëndësishme e strukturës politike të Kosovës dhe luajnë një rol vendimtar përfaqësues në demokracinë e Kosovës. Kontributi i tyre në arritjen e progresit në rrugën e integrimit të Kosovës në BE është i domosdoshëm”, deklaroi Szunyog.
Kujtojmë se marrëveshja e 18 marsit e dakroduar në Ohër, parasheh edhe rregullim të ri të komuniteteve në Kosovë, me theks të veçantë, neni 7 i cili parasheh “vetmenaxhimin” e komunitetit serb.