Sudan: Gjenerali i lartë thotë se marrja nën kontroll e vendit nga ushtria shmangu luftën civile

Komandanti më i lartë ushtarak i Sudanit, gjenerali Abdel-Fattah Burhan tha të martën se rrëzimi nga ushtria i qeverisë kalimtare të vendit ishte i nevojshëm për të shmangur një luftë civile.

“I gjithë vendi ishte bllokuar për shkak të rivaliteteve politike,” tha Gjenerali Burhan në një konferencë shtypi në Kartum.

“Përvoja gjatë dy viteve të fundit ka vërtetuar se pjesëmarrja e forcave politike në periudhën e tranzicionit është me të meta dhe shkakton mosmarrëveshje.”

Ai tha gjithashtu se kryeminisafriktri i rrëzuar Abdalla Hamdok ishte në shtëpinë e gjeneralit, një ditë pas njoftimeve se ai ishte arrestuar nga ushtaria gjatë marrjes së kontrollit. Gjenerali tha se Hamdok ishte “në gjendje të mirë shëndetësore” dhe “do të kthehej në shtëpi kur të përfundojë kriza.”

Ai pranoi gjithashtu se “ne arrestuam ministra dhe politikanë, por jo të gjithë” dhe tha se disa do të përballeshin me gjyq për nxitjen e një rebelimi brenda ushtrisë së vendit.

Ngjarjet në Sudan do të diskutohen me dyer të mbyllura të martën nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.

Protestuesit vazhduan të dilnin në rrugët e kryeqytetit të Sudanit, Kartum për të protestuar kundër arrestimit të hënën të kryeministrit Abdalla Hamdok dhe zyrtarëve të tjerë të Këshillit Sovran në pushtet.

Gjenerali Burhan shpalli një emergjencë kombëtare disa orë pas marrjes së kontrollit nga ushtria dhe njoftoi shpërndarjen e këshillit të përbashkët civilo-ushtarak, i cili kishte drejtuar vendin që nga gushti 2019, menjëherë pas përmbysjes së presidentit autokratik Omar al- Bashir.

Në një fjalim televiziv, gjenerali Burhan tha se ai shpërndau këshillin dhe qeverinë për shkak të “mosmarrëveshjeve politike, që po kërcënonin sigurinë e vendit” dhe njoftoi se një “qeveri e re teknokratësh do të emërohet së shpejti”.

Ai premtoi se ushtria do t’ia dorëzonte pushtetin një qeverie civile në korrik 2023, kur të mbahen zgjedhjet e përgjithshme.

Komiteti i Mjekëve të Sudanit tha se të paktën katër persona u vranë dhe të paktën 80 të tjerë u plagosën të hënën, kur forcat e sigurisë hapën zjarr ndaj demonstruesve në Kartum.

Megjithë dhunën, protestuesit dolën sërish në rrugët e Kartumit të martën, duke denoncuar grushtin e shtetit dhe duke thirrur “jo sundimit ushtarak”.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Sudan i ka paralajmëruar amerikanët në vend që të mos dalin nga shtëpitë.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, Bashkimi Afrikan dhe Lidhja Arabe ishin mes atyre që shprehën alarmin dhe shqetësimin të hënën për ngjarjet e fundit në Sudan dhe i kërkuan vendit të qëndrojë në rrugën drejt sundimit civil.

Shtëpia e Bardhë tha se është “e alarmuar” nga zhvillimet, ndërsa Departamenti i Shtetit tha se po pezullonte 700 milionë dollarë ndihmë financiare për vendin.

Një deklaratë e përbashkët e lëshuar nga Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Norvegjia përmes Departamentit të Shtetit dënonte grushtin e shtetit dhe u bënte thirrje forcave të sigurisë që të lirojnë menjëherë të gjithë ata që janë “arrestuar në mënyrë të paligjshme”.

Kryeministri Hamdok, një ekonomist dhe diplomat, që kishte punuar për OKB-në, u emërua kryeministër kalimtar i vendit në gusht 2019. Tranzicioni fitoi mbështetje të fortë nga vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara, të cilat e hoqën Sudanin nga lista e mbështetësve të terrorizmit.

Por zoti Hamdok ishte përballur me rezistencë të ashpër nga elementë të ushtrisë sudaneze.

WWW.GAZETA.MK

Ngjarja paraprake

Тачи: Во понеделник Беса ќе се спои со СДСМ, Алтернатива со ДУИ, а Алијанса со ДПА

Ngjarja e ardhëshme

Shqipëri, projekt buxheti 2022: Rritja ekonomike 4.1%

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian