Subvencione për faturat e energjisë elektrike, Bekteshi tregon cilat familje do të përfitojnë

Vazhdon subvencionimi i faturave të energjisë elektrike për kategoritë më të rrezikuara të qytetarëve. Këtë vit për këtë masë janë planifikuar 60 milionë denarë ose një milion euro.

Siç njoftoi sot ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi, subvencioni do të jetë 600 deri në 800 denarë, ndërsa thirrja publike tashmë është publikuar në faqen e Ministrisë së Ekonomisë dhe të gjithë qytetarët që i plotësojnë kushtet mund të aplikojnë më së voni deri në fund të shkurtit.

“Për beqar me të ardhura deri në 18.000 denarë, për amvisëri me dy anëtarë deri në 25.000 denarë, për amvisëri deri në tre anëtarë deri në 30.000 denarë, ulja e faturës do të jetë 600 denarë, ndërsa për amvisëri me katër anëtarë me të ardhura deri në 36.000 denarë dhe për amvisëri me pesë anëtarë e më shumë anëtarë deri në 43.000 denarë, ulja e faturës do të jetë 800 denarë”, tha Bekteshi në konferencë për shtyp në Qeveri.

Sipas tij, këtë vit kjo masë është zgjeruar për të përfshirë edhe kategori të tjera të rrezikuara sociale të personave si përfituesit e së drejtës për kompensim për shkak të aftësisë së kufizuar, prindërit e vetëm që nuk janë të regjistruar përfitues të ndihmës minimale të garantuar dhe përfituesit të së drejtës për kompensim për dëmtim fizik.

“Ajo që është e re është se nëse këto amvisëri kursejnë rrymë për 10 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, atëherë do të kenë ulje shtesë të faturës së energjisë elektrike prej 200 deri në 300 denarë, varësisht nga kategoria”, tha Bekteshi.

Vitin e kaluar me këtë masë janë subvencionuar 4.379 amvisëri, ndërsa janë paguar gjithsej 33 milionë denarë, ndërsa këtë vit pritet të mbështeten mbi 8.500 amvisëri.

Story i mëparshëm

Kundër Guardiolës

Story i radhës

Lipovski – Osmani: Mbështetje e vazhdueshme çeke për hyrje të Maqedonisë së Veriut në BE

Të fundit nga