Nuk kanë mbetur më shumë se 11 ditë nga sfida që e pret ekipin e vajzave të EP Com nga Hajvalia, në kuadër të garave kualifikuese në Champions League në futboll.
Kryetrajnerja e EP Com, Suada Jashari, po punon pareshtur me futbolliste duke komponuar ekipin në mënyrën më të mirë për sfidën e 18 gusht ndaj Benfica-s nga Portugalia.
EP Com në rast se e kalon këtë ekip do të ndeshet me fituesin e përballjes Twente – Agarista CSF.
Jashari është e kënaqur me formën e futbollisteve, të cilat dje e mposhtën me rezultat 6:0 ZFK Skopjen.
“Forma duket e mirë, kemi bërë maksimumin gjatë kësaj faze përgatitore dhe patjetër që do të mundohemi ta bëjmë maksimumin edhe në ndeshjet që na presin sepse e dijmë që janë shumë të vështira.
Lojtaret janë të motivuara dhe besoj të bëjmë një paraqitje të mirë”, thotë Jashari për gazetën kombëtare “Bota sot”.