Strategjitë pozitive disiplinore si parandaluese për zhvillimin e situatave të pakëndshme me fëmijët

Ndërtimi dhe aplikimi i strategjive me natyrë parandaluese janë shumë të rëndësishme, por nga ana tjetër ato nuk duhet që ato të mos ndërlikojnë marrëdhëniet prindër-fëmijë që të dyja palët të mos ndihen të nervozuar dhe frustruar. Jo gjithmonë strategjitë disiplinore nuk janë efektive për të gjithë fëmijët, sepse ata janë të ndryshëm, me temperament dhe sjellje të ndryshme, ndaj nisur nga individualiteti duhen ndërtuar strategji konkrete dhe sa më të përshtatshme, në mënyrë që të kenë efektivitet dhe të përmirësojnë vijën e sjelljes së fëmijëve. 

Sigurisht dhe domosdoshmërish, në lidhje me ndërtimin e strategjive nga ana e prindërve duhet që të bashkëpunohet dhe me psikologë me përvojë në këtë fushë.

Disa strategji të cilat kanë natyrë parandaluese

Përgatiteni fëmijën tuaj

Tregoni fëmijës suaj se çfarë po ndodh. Shprehni qartazi pritshmëritë tuaja rreth sjelljeve të fëmijës suaj dhe krijoni një ambient që u përshtatet këtyre pritshmërive. “Ne do të ndalemi te banka. Ti nuk mund të vraposh rreth e qark, por ka karrige të veçanta, ku ti do të mund të ulesh dhe të lexosh ndonjë tregim. Cilin tregim dëshiron ta lexosh?”

Njihuni me ndjenjat e fëmijës tuaj

Tregojini fëmijës se çfarë mendoni që ndien ai. Kur fëmijët ndiejnë se po i kuptojnë, janë më të prirur për përgjigje pozitive. Bëhuni empatik dhe përqendrohuni në sjelljen, jo në fëmijën. “Shihet se ti dëshiron të luash me nënën njëherë. Nganjëherë është vështirë të presësh.”

Përcaktoni kufij për sjelljet e padiskutueshme

Thuajani fëmijës qartazi kufijtë dhe ndiqni ata me vendosmëri.

Ofroni zgjidhje, në vend që të jepni urdhra

Askush në botë nuk i ka në qejf urdhrat. Kur fëmija zgjedh alternativën, ai është më i angazhuar rreth rezultatit. Ofro një zgjidhje ndërmjet dy alternativave të pranueshme.

Zgjidhni problemet bashkërisht

Gjeni kohë për t’u ulur me fëmijën tuaj dhe për t’i përshkruar gjendjen. Pranoni ndjenjat e fëmijës dhe shkëmbejini ato me tuajat pa gjykuar. Mendoni bashkërisht rreth zgjidhjeve të mundshme dhe provoni të tjera në qoftë se njëra nuk hyn në punë.

Siguroni forcë pozitive

Kur fëmija juaj sillet mirë, lavdërojeni dhe nxiteni atë. Bëhuni i veçantë. Pranoni çdo shenjë të progresit drejt sjelljes së dëshiruar, pa marrë parasysh se sa e vogël është. Përqendrohuni më shumë në përpjekjen, jo në rezultatin.

Shpërqendrojeni vëmendjen e fëmijës

Shpërqendrojani vëmendjen fëmijës nga konflikti, në një aktivitet të ri. Në qoftë se kjo nuk është e mundur, atëherë përdorimi i humorit, i imagjinatës ose i lojës në një gjendje e cila del jashtë kontrollit shpesh e neutralizon atë.

Lejojini fëmijët që t’i përjetojnë pasojat e veprimeve të tyre

Ne gjithmonë nuk u bëjmë mirë fëmijëve duke i shpëtuar ata nga gjendjet e vështira. Për shembull, në vend që të zemërohemi se duhet t’ia dërgoni drekën fëmijës suaj në shkollë për herë të dytë në këtë javë për shkak se ai e ka harruar, mos ia dërgoni. Ai do të marrë një mësim shumë të vlefshëm rreth përgjegjësisë, pa pasur nevojë që ju ta qortoni.

Njëmbëdhjetë rregulla disiplinore

1.Ndihmojeni fëmijën që të mësojë si të sillet duke e vënë atë në sprova të drejtpërdrejta, nga të cilat do të mësojë sjelljet e dëshiruara. Lejoni atij që të vërejë se po silleni siç do të donit të sillej ai.

2.Sjelljet duhet të shoqërohen me vlera edukative, të cilat t`i mësojnë fëmijët se ç’është mirë dhe ç’është keq. Pasojat me të cilat shoqërohen sjelljet e mira quhen shpërblime. Ndërkaq pasojat me të cilat shoqërohen sjelljet e këqija quhen dënime.

3.Nëse do të kujdeseni më shumë, rezultati do të jetë më i mirë. Një prej qëllimeve kryesore të edukatës është që të ndiqni se ç’sjellje kanë fëmijët tuaj.

4.Dënimet (ndalesat) përdoren për t’i ndihmuar që t’u ndryshojnë sjelljet e pahijshme fëmijëve, ndërsa janë efektive vetëm nëse përdoren bashkë me shpërblime për stimulimin e sjelljeve të hijshme.

5.Dënimet asnjëherë nuk duhet të jenë qëllim i keqtrajtimit, shkaktimit të lëndimeve, ose i kërcënimit për t’i lënduar fëmijët.

6.Ndalimi për të dalë do të jetë efikas atëherë kur kjo kohë shfrytëzohet në mënyrë cilësore. Në qoftë se koha e ndalimit të daljes nuk shfrytëzohet në mënyrë cilësore, fëmija do ta përjetojë emocionalisht këtë ndëshkim.

7.Ndalimi për të dalë duhet të përdoret me masë dhe vetëm për qëllime mësimi për fëmijët e vegjël. Për fëmijët e fazës së pubertetit dhe tek ata në këtë fazë përdoren forma të tjera të dënimeve, që janë më të përshtatshme.

8.Dënimi duhet të jetë në harmoni me shkallën e gabimit. Po ashtu, duhet të jetë i arsyeshëm, korrekt dhe të ndërlidhet me gabimin e bërë. 

9.Dënimi duhet të ketë shkakun dhe të mos zgjasë shumë. Dënimet e gjata nuk e motivojnë fëmijën për të mirë.

10.Në qoftë se ndalesa keqpërdoret ose përdoret në mënyrë joadekuate, duhet kërkuar masë tjetër ndëshkimi dhe mënyrë tjetër të përdorimit. Një prej qëllimeve të disiplinës është që fëmijët të mësojnë të sillen si duhet. Në qoftë se fëmijëve nuk u jepet edhe mundësi tjetër, atëherë si do të mësojnë të sillen si duhet?

11.Në qoftë se diçka shkatërron, duhet të përgjigjesh. Në qoftë se çrregullon, duhet ta rregullosh. Dëmshpërblimi është mënyra më e mirë për t’i mësuar fëmijët se cilat janë pasojat e sjelljes së keqe.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Betin fiton pozicione në renditje

Story i radhës

Gazetarëve u ndalohet hyrja në Irpin

Të fundit nga