Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se pret që së shpejti të mirëpresin Suedinë, si një anëtare e plotë të aleancës, sa më shpejt të jetë e mundur.
Pas dritës jeshile nga parlamentet e Hungarisë dhe Turqisë për anëtarësimin e Finlandës në NATO, Stoltenberg shpreson që së shpejti drita jeshile do të jepet edhe për Stokholmin, shkruan ANSA.
“Të gjithë aleatët bien dakord se përfundimi i shpejtë i procesit të ratifikimit për hyrjen e Suedisë në NATO është në interesin e të gjithëve”, theksoi ai.
Parlamenti i Turqisë ratifikoi sot protokollin për anëtarësimin e Finlandës në NATO.
Vendi nordik mori miratimin zyrtar të Ankarasë për t’iu bashkuar aleancës ushtarake me 276 vota pro.
Votimi i sotëm do të thotë se tani, të 30 shtetet anëtare të NATO-s kanë ratifikuar pranimin e Finlandës, si kusht që ajo të bëhet pjesë e aleancës.
Burimi: GAZETA.MK