Standardi i Xhafer Devës dhe “heronjtë” serbo-komunistë!

Ka ditë që diskutohet në publik se çfarë ishte dhe çfarë përfaqësoi Xhafer Deva! Iniciativa e ministrit të Kulturës së Kosovës, zotit Hajrullah Çekut, për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë e nxiti debatin në të dy polet e veta: Pro dhe kundër! Ata që janë pro rehabilimit të figurës së tij, ku bën pjesë edhe autori i këtyre radhëve, kanë dhënë shumë prova se Xhafer Deva ishte nacionalist i formatit të lartë dhe se në zemër kishte mbrojtjen e Kosovës e të territoreve shqiptare nga dhuna, terrori, mizoritë dhe barbaritë e ushtrisë, policisë e shtetit të Serbisë. Ai ishte ndër shqiptarët më të shkolluar dhe më autoritativ i kohës e ndoshta edhe i kohëve të sotme.

Për këtë arsye ai e pa pushtimin italian dhe gjerman si shans për t’u çliruar nga Serbia. Ashtu siç e pamë ne NATO-n dhe SHBA-të në vitin 1998-1999! Ashtu si e sot shohim Amerikën. Ai e pa Gjermaninë me ata sy që ne shohim sot Evropën dhe SHBA-të. Por me ndryshimin që ne “delet” që na priste në qafë Milosheviçi dikur, sot duhet të durojmë “pordhët” e Vuçiqit, ndërsa Xhafer Deva nuk duronte “pordhë” të askujt në Serbi! Pra, ndryshimi është se Xhafer Deva nuk bënte kompromis as më serbët as me komunistët, ndërsa ne sot bëjmë kompromise, deri me territore, me serbët dhe me sorosistët më të zinj se komunistët!

Ministri që inicioi restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës dëshmoi se qëndron shumë më lart se të gjithë ministrat e Kulturës në Kosovë para tij, më lart edhe se ata ministra që e quanin veten “të djathtë”! Thjesht ai nuk duhet të tërhiqet, se kështu do të bëjë një lloj historie të vogël. Kjo ndodh sepse kriteri i këtij ministri është atdheu e kombi dhe jo ideologjia. Por çfarë po bëjnë ata që mbrojnë ideologjinë sllave në Kosovë, Shqipëri e kudo gjetkë! Janë alarmuar! E konsiderojnë Xhafer Devën xhelat, bashkëpunëtor të gjermanëve, madje i ngjisin edhe vepra të pabëra, sipas propagandës serbe, se “paska masakruar hebrej”! Po si mund të jetonte në SHBA për dekada një nazist që kishte masakruar hebrenj?! Si mund të varrosej me nderime edhe nga përfaqësues të administratës amerikane të kohës një person i tillë?! Zot na ruaj prej shqiptarëve pro-serbë, se prej serbëve ruhem vetë!

Nëse Xhafer Deva ishte ministër i Brendshëm i Shqipërisë në periudhën 1943-1944, kur në Shqipëri erdhën gjermanët, kjo nuk e bën atë nazist. Sepse ai ishte ministri i Brendshëm që zbatoi urdhrin e kryeministrit të vendit asokohe për të mos dorëzuar asnjë hebre te gjermanët! Fakti që Xhafer Deva kreu ndonjë masakër kundër serbëve, kjo nuk e bën atë fashist e as nazist! Sepse këta anti-xhaferistët po na i nxjerrin heronj ata që kanë masakruar asokohe e deri në vitin 1999 së paku 60-70 mijë shqiptarë në Kosovë dhe ish-Jugosllavi. O janë heronj ata që kryen Masakrën e Tivarit dhe nuk I mbrojtën rininë shqiptare nga kjo masakër ose është hero Xhafer Deva! të dy palët nuk mund të jenë pjesë e historisë pozitive të shqiptarëve! O është hero Xhafer Deva, ose janë serbët që kanë masakruar një 20 herë më shumë shqiptarë sesa Xhafer Deva serbë!

Jo pak shqiptarë na hiqen “parimorë” dhe flasin sikur Ballkani në kohën e Xhafer Devës jetonte në paqe e harmoni. Nuk duan t’ia dinë se asokohe serbët në Kosovë masakruan rreth 40 mijë shqiptarë! Duhen mirëkuptuar serbët kur shpifin se Xhafer Deva paska eliminuar hebrenj, pavarësisht se e vërteta është ndryshe. Por nuk e di si mund t’i mirëkuptojmë shqiptarët që i bashkohen korit serb kundër Xhafer Devës. Po t’i pyesësh këta shqiptarë se po bëni të njëjtën gjë si edhe serbët, menjëherë të thonë: “Jo, ne jemi parimorë”! “Jemi kundër dhunës”! Pra, ne jemi delet që i shkojmë pas kasapit edhe pse e shohim atë ta mbajë hanxharin në dorë për të na pre në qafë sërishmi! Xhafer Deva vendosi një standard tjetër: – Standardi i tij ishte të reagonte me të njëjtat mjete dhe në të njëjtën mënyrë si edhe agresori, Serbia!

Kam shkruar para 16 vitesh se Mit’hat Frashëri në vitin 1926, atëherë kur grekët po dëbonin çamët nga trojet e veta etnike, i shkruante nga Athina, ku ishte ambasador, ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Sulejman Delvina dhe i thoshte se “Nëse ne nuk përdorim të njëjtën metodë, (shpërnguljen) ndaj minoritetit grek në Shqipëri, këta (grekët) nuk do të ndalen në eliminimin e elementit shqiptar në Greqi”! Por në Tiranë e refuzuan mendimin e Mit’hat bejt! Dhe ja ku jemi sot pas gati 100 vitesh! Ashtu si Mit’hat Frashëri në teori, Xhafer Deva në praktikë u përpoq dhe ndoqi të njëjtën metodë kundër serbëve, siç serbët bënë kundër shqiptarëve! Kjo quhet herezi prej shqiptarëve pro-sllavë e pro-serbë ose me mendësi sllave e mendësi serbe! Ndërsa në televizione kërkojnë haptazi “faljen e krimeve serbe në Kosovë”!  

Por unë dua të shkoj pak përtej Xhafer Devës. Si është e mundur që të gjitha personalitetet shqiptare anti-serbe të shekullit XX u persekutuan dhe u denigruan nga regjimi komunist e për turpin tonë vazhdojmë t’i denigrojmë edhe sot?! Kështu ka ndodhur e po ndodh me Patër Gjergj Fishtën. Me Mit’hat Frashërin e Mehdi Frashërin. Me Xhafer Devën, Mustafa Krujën, Patër Anton Harapin, Ernest Koliçin e të tjera figura, të cilat i anatemojmë për atë çfarë kanë qenë, për të mos i vlerësuar për atë çfarë ata kanë bërë për Shqipërinë. Le të më thotë se kush ka bërë më shumë për Shqipërinë dhe shqiptarët sesa këta personalitete?! Ndërkaq kryeministri i Shqipërisë shkon në Serbi dhe i ngre lavde Ivo Andriçit, Kosturicës, Bregoviçit e sa e sa diplomatëve dhe artistëve të tjerë serbë e anti-shqiptarë, si dhe bashkëpunëtorë në krime me regjimet e kohës së tyre!

Këta jemi ne! Kur bëhet një përpjekje sado e vogël të rehabilitohen patriotët e vërtetë, ngrihemi me leva, me sfurqe, me kosa, kazma e tarrakopë në dorë për t’i rrënuar ata, gjithnjë në emër të aleancës dhe vëllazërisë me serbët dhe me Serbinë. Patriotët, edhe pse ata nuk janë gjallë, prishin planet për aleanca, kompromise, marrëveshje dhe krushqira me Serbinë dhe me serbët. Prandaj ata duhen linçuar! Në memorien tonë duhet të kenë vend të gjithë heronjtë e Serbisë e të Jugosllavisë në Shqipëri e në Kosovë, por jo heronjtë e vërtetë të kombit shqiptar, të cilët luftuan e dhanë gjithçka pikërisht kundër Serbisë e Jugosllavisë! Këta “nuk meritojnë nderim, respekt dhe piedestal”! Sepse kanë luftuar kundër Serbisë!

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Dy persona në Angli infektohen me virusin “Lassa”

Story i radhës

Linja e tabletëve të Samsung vjen me një model Ultra

Të fundit nga