Agim Lumit, kur i kujtohet burgu i Nishit, për një moment i rrënqethet trupi! Iu kujtohen shumë gjëra të rënda, që nga viti 1998 deri në janar të vitit 2000!
Lumi në vitet e 90-ta dhe në vitet e pasluftës, ka qenë ndër volejbollistët më të mirë në Kosovë.
Në vitin 1998 u arrestua për çështje kombëtare nga milicia e pushtuesit serb!

Vitrina me mirënjohje, medalje e kupa të volejbollit, që u fituan nga Agim Lumi
Ai akuzohej për veprimtari armiqësore kundër Serbisë.
Ish volejbollisti u burgos! Ai u dërgua në burgun e Dubravës ku e kishte pa me sy masakrën ndaj të burgosurve shqiptarë nga paramilitarët dhe milicia serbe! Me 10 qershor të vitit 1999, të burgosurit shqiptarë së bashku me Agim Lumin, u dërguan në burgun e Nishit!
Aty pas një kohë e bien edhe Albin Kurtin, ish zëdhënës i UÇK-së, ndërsa sot është kryetar i VV-së dhe ish kryeministri i Kosovës.
Lumi me pak fjalë tregon atë periudhë të terrorit të shfrenuar serb.
”Fillimisht më dërguan në burgun e Dubravës.
Me 10 qershor të vitit 1999 na dërguan në Nish!
Kemi pasur kushte shumë të rënda, që nga 10 qershori e deri në dhjetor të vitit 1999. Nuk kemi pasur ushqim të mjaftueshëm, as higjienë dhe tortura të llojllojshme, që as njeriu nuk mund i mendon, dhunë e shfrenuar nga milicia serbe.
Kur ka ardhur kryqi i Kuq, ndryshuan gjërat sa i përket ushqimit dhe higjienës. Nuk më kujtohet saktë, në shtator apo në tetor, Kurti nga Pozharevci u transferua në burgun e Nishit, ku ishim në një dhomë.
Në një dhomë ishim rreth 30 veta, unë, Albin Kurti, Enver Dugolli, Avni Klinaku, pastaj kemi qenë të pandashëm që nga burgu i Lipjanit e deri në fund, në atë te Nishit e ata janë Vehbi Muharremi dhe Isak Hoti, si dhe shokë të tjerë. Në janar të vitit 2000 jam liruar nga burgu”, tregon Lumi për gazetën kombëtare “Bota sot”.