Spanja heton vdekjen e një gruaje pas marrjes së vaksinës AstraZeneca

Ministria e Shëndetësisë së Spanjës dje tha se janë duke shqyrtuar tri incidente serioze të mpiksjes së gjakut, përfshirë një vdekje, që mund të lidhen me vaksinën AstraZeneca, transmeton Anadolu Agency (AA).

Spanja të hënën ndaloi përkohësisht administrimin e vaksinës pasi u shfaqën më shumë raporte të një lloji specifik të trombozës.

Gjatë fundjavës, zyrtarët spanjollë zbuluan një rast tromboze pas vaksinës, e cila karakterizohej nga trombocite të ulëta të gjakut, që zyrtarët evropianë po dyshojnë se mund të jetë një efekt i rrallë anësor.

Ministria tha se dy raste tjera të ngjashme dolën në sipërfaqe në Spanjë, njëra prej të cilave përfundoi me vdekjen e një mësuese të martën.

Mediat lokale e kanë identifikuar mësuesen si një nënë 43-vjeçare e dy fëmijëve pa asnjë gjendje shëndetësore para-ekzistuese.

Ajo ishte vaksinuar në fillim të marsit dhe menjëherë më pas shkoi te mjekët duke u ankuar për dhimbje të mëdha koke, por mjekët thanë se ishte një efekt tipik anësor i vaksinës dhe e dërguan atë në shtëpi.

Disa ditë më vonë, ajo u kthye në spital, ku mjekët zbuluan hemorragji të rëndë cerebrale që çoi në vdekjen e saj, theksuan mediat lokale.

Zyrtarët shëndetësorë insistuan se ata po studiojnë tri raste të izoluara “në kontekstin e 975.661 personave të vaksinuar në Spanjë” me AstraZeneca.

Në të njëjtën kohë, nuk ka asnjë garanci se ngjarjet janë të lidhura drejtpërdrejt me vaksinën, e jo thjesht të rastësishme.

“Megjithëse këto ngjarje janë të rralla, ato mund të ndodhin në popullatën e përgjithshme”, tha Ministria në deklaratë.

Zyrtarët spanjollë theksuan se shpresojnë që pauza e përkohshme të ndihmojë në përcaktimin nëse ka ndonjë shkak midis vaksinës dhe mpiksjeve të rralla të gjakut. Nëse ka, do të dëshirojnë të dinë nëse ka ndonjë faktor të veçantë rreziku për mpiksjen e gjakut, kështu që njerëzit në rrezik mund të marrin vaksina të ndryshme.

Spanja dje raportoi 228 vdekje të tjera nga COVID-19, duke e çuar numrin e vdekjeve në gati 73 mijë.



. .

Ngjarja paraprake

Laporta paralajmëron kundërshtarët

Ngjarja e ardhëshme

Gresa Behluli feston ditëlindjen, nuk do ta besoni moshën e saj

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian