Skepticizmi lidhur me vaksinën anti-COVID, Solis: Mbi 85 për qind e shqiptarëve do mbajnë radhë për ta bërë

Leonard Solis, mjek, ish-ministër i Shëndetësisë; Fatmir Brahimaj, president i Urdhrit të Mjekëve në Shqipëri; Albert Nikolla – zëvendësministër i Shëndetësisë dhe Entela Ramosacaj, doktore e Shkencave, Infektologe diskutuan në studion e Ilva Now në Euronews Albania lidhur me procesin e vaksinimi që ka nisur tashmë në vendin tonë dhe nivelin e skepticizimit që ekziston në vendin tonë lidhur me vaksinën anti-COVID, ashtu siç në fakt ka ndodhur edhe në vendet e tjera.

Nisur nga të dhënat e nxjerra nga sondazhi i MRB në bashkëpunim me Euronews Albania nga ku rezulton se 51,8 e të pyeturve ishin pro vaksinimit dhe 47,6 kundër, mjeku Leonard Solis u shpreh i bindur se mbi 85 për qind e shqiptarëve do ta bëjnë me dëshirën më të madhe vaksinën nëse do kenë akses.

“Në Gjermani dhe Poloni ishin situata të ngjashme, por me të filluar vaksinimi radhët janë të stërgjata, jam i sigurt se mbi 85 për qind e shqiptarëve do ta bëjnë me dëshirën më të madhe nëse do kenë askes. Do të mbajnë radhë për ta bërë, duke nisur edhe nga unë”, u shpreh dr. Solis.

Për zëvendësministrin e Shëndetësisë Albert Nikolla se çdo sondazh duhet parë në kontekstin e çdo shoqërie, por mesazhi që duhet dhënë është që se vaksina duhet bërë patjetër, pasi është arma më e fuqishme për të ndalur pandeminë.

“Vaksina ka 200 vjet që mbron jetën e njeriut. Duhet bërë një luftë kulturore e fortë që të rritet numri i njerëzve që besojnë tek vaksina”, tha z. Nikolla.

Ndërkohë, sipas infektologes Entela Ramosacaj, skepticizimi ndaj vaksinës në Shqipëri, ndryshe nga sa mund të ketë ndodhur në vende të ndryshme të botës, ku zakonisht mosbesuesit e lidhin këtë gjë me një teori të caktuar, ata që e kundërshtojnë nuk janë thelluar në këtë problematikë.

“Në Shqipëri i kanë gjëra të dëgjuara dhe mendoj se janë ata njerëz që s’e kanë ndjerë problematikën e COVID, vetë apo në familjet e tyre. COVID është një sëmundje komplekse, arsyet e kundërshtimit s’janë bindëse”, u shpreh ajo.

Fatmir Brahimaj, president i Urdhrit të Mjekëve në Shqipëri tha se kjo mungesë besimi ndaj vaksinës në Shqipëri vjen edhe për shkak të lajmeve të rreme, që lidhen kryesisht me efektet anësore të vaksinimit. Sipas tij deri tani, nisur edhe nga përvoja në botë, kjo vaksinë po tregon se i ka me të njëjtën shpeshtësi efektet anësore si të gjitha vaksinat e tjera.

“Problem tjetër është se duke u nisur nga fakti se 2 vaksinat e para mbështeten në mekanizmin gjenetik, kundërshtarët e saj thonë se do të modifikojë materialin gjenetik, gjë që është e pamundur.

ARN me ADN me raportet që ka s’mund të ndryshojë”, tha z. Brahimaj.

Lidhur me situatën sa i përket procesit të vaksinimit në vend, z. Solis u shpreh skeptik lidhur me numrin e vaksinave që do të vijnë në vendin tonë, që sipas tij deri tani janë tërësisht të pamjaftueshme, ndërsa personalisht u tregua i gatshëm për të bërë vaksinën ruse dhe kineze

“Shifrat nuk arrijnë as për kryesinë e PS për t’i vaksinuar. Nuk ka ardhur. Nuk duhet politizuar kjo punë, kemi një armik të përbashkët. Kryeministri shqiptar po e personalizon në disa gjëra, në një kohë kur jemi në një gjendje skandaloze për sa i përket vaksinimit. Unë do ta bëja me kënaqësi vaksinën ruse dhe kineze”, tha z. Solis.

Nga ana e tij zv.ministri Nikolla siguroi se procesi është në rrugën e mbarë në vendin tonë, duke qenë se janë siguruar vaksina për 700 mijë persona dhe në 13 ditët në vijim pritet të vijnë 10 mijë vaksina nga ‘Pfizer’.

“Edhe 13 ditë vijnë 10 mijë vaksinat e para. Pasi të vaksinohen mjekët dhe infermierët më pas mund të fillojmë me personat e sëmurë dhe të moshuarit. Përveç COVAX kemi siguruar vaksina për 700 mijë persona. Izraeli është bërë një ndihmë për të gjithë botën për laboratorin që bëri. Pasi kanë vaksinuar 30% të personave mbi 65 vjeç, tek ky grup ka vënë re një rënie me 35% të infektuarve në këtë grup”, u shpreh z. Nikolla.

Ngjarja paraprake

Studimi, rriten vrasjet në Shtetet e Bashkuara

Ngjarja e ardhëshme

Juventus gjunjëzon Interin

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian