Skënder Shabani – lojtar i Gjeneratës së Republikës: Ja si bënim be para policisë së pushtuesit serb

Sa herë që niseshin për ndonjë ndeshje jashtë Vushtrrisë, gjithmonë e mendonin më të keqen, madje edhe rrahjen, arrestimin nga milicia e pushtuesit serb.

Skënder Shabani i takon Gjeneratës së Republikës, i cili ishte ndër hendbollistët më të talentuar të viteve të 90-ta dje pjesë e skuadrës së Kosovës së Vushtrrisë. 

Shabani kur kujton ato kohëra (1991-1999), i çohen flokët përpjetë por është krenar që me mijëra sportistë iu kundërvunë regjimit kriminal serb. 

Ai tregon edhe disa detaje, madje si bënin be para policisë së pushtuesit serb, vetëm për të shpëtuar kokën!

“Ishin vitet 95-96 kur Tefik Mikushnica kishte arritur pas një pauze me ndihmën e kryesisë, Faik Pretenin e Fatmir Bejtën, Mahmut Spahiun e Istref Sadriun, dr Fazli Jetullahun, Musa Abazin ta konsolidojnë ekipin dhe përsëri filluam garat e organizuara nga Federata e Hendbollit e Kosovës. 

Edhe pse ishim në llupën e okupatorit për çdo veprim duke pasur parasysh se KH Kosova vitet 80-90-ta me kryesinë e lartpërmendur kishte arritur majat e suksesit në hendbollin ish jugosllav, këta veprimtar dhe ky klub ishin si gjilpër në sy për okupatorin dhe serbët lokal. 

Gjithnjë kishim probleme me ta ku u takonim duke na shantazhuar e frikësuar, gjëja se ne duhet te kthehemi në objektet sportive dhe të zhvillojmë garat në ligat e Serbisë.

Mirëpo, ne ishim të vendosur pa marrë parasysh dhunën dhe maltretimet gjatë çdo udhëtimi që bëhej ndaj neve, kishim vendosur që garat mos t’i ndërpresim dhe t’i qëndrojmë besnikë FHK-së dhe Republikës së Kosovës në zhvillimin e garave me kurajon dhe vetëbesimin se liria ishte afër”, thotë Shabani për gazetën kombëtare “Bota sot”. 

Shabani kujton edhe disa ngjarje të dhimbshme të vitet të 90-ta: “Kam shumë storie të dhimbshme në ballafaqim me okupatorin gjatë asaj kohe njëra me ka mbetur në mendje dhe kurrë nuk do të harroj, se si anëtari i kryesisë, tashmë i ndjerë Mahmut Spahiu arriti me mençuri dhe trimëri t’i mashtroj policinë serbe.

Kishim zhvilluar një turne me juniorë në Podujevë dhe duke u kthyer në makinë, të cilin e ngiste Mahmut abeji ashtu e quanim ne lojtarët me emrin përkëdhelës, se ishte gjithmonë i dashur për ne, në makinë ishim edhe katër lojtarë, ndër ta Gëzim Feka, ishte ndër më të rinjtë dhe talent i madh, policia serbe na ndali në një postbllok në fshatin Lluzhan.

Ata a i kërkuan letërnjoftimet, ne tre lojtarët kishim, kurse Feka nuk kishte sepse ishte ende pa i mbush të 15-tat, filluan të na shajnë dhe t’i bërtasin Mahmut abejit dhe donin Gëzimin ta ndalnin. Ai i thoshte s’kini drejt se ky është fëmije dhe se ky është djali im dhe quhet Gëzim, policia serbe erdhi në makine duke mos i besuar Mahmutit, po na pyeste neve se si e ka emrin Gëzimi, ne te gjithë i thonim Gëzim.

Mahmut abeji duke pasur frikën se mos po i dështojmë ne, vjen dhe paksa nervoz në gjuhën serbe i drejtohet policit serb: ‘Nuk po me beson a (pasha Zotin Gëzimi është djali im), polici tjetër serb iu drejtua kolegut të tij: ‘Lere më, a s’po e sheh se njeriu po betohet (po bën be), pas një ore maltretimi na liruan duke u shtyrë Mahmut abeji me ta (shpirti dritë i pastë).

I mashtroi serbët po edhe pse u betua ai nuk gënjeu (nuk bëri be rrejshëm se djali i tij në shtëpi që e kishte edhe ai quhej Gëzim), por më pat befasuar gjeturin e tij, se si arriti t’i mashtroj policinë serbe. Kjo ishte njëra ndër sfidat e shumta e të vështira të asaj kohe por ne e kishim vullnetin dhe guximin që të jemi protagonist të ngjarjeve të asaj kohe për ndërtimin e Republikës.

Uroj që gjeneratat e reja të kenë kushte sa ma të mira, ta duan dhe të punojnë shumë për Republikën!”.

Ngjarja paraprake

Largim i papritur nga KB Bashkimi

Ngjarja e ardhëshme

Bulliqi reagon për anulimin e projektit të Spitalit të Podujevës, thotë se u bë si hakmarrje e LDK-së për rezultatin e zgjedhjeve

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian