“Skenaristët” në liri – “aktorët” në burg!

Ngjarjet e 9 dhe 10 majit 2015 nuk ndodhën vetvetiu, në mënyrë stihike. Ato dikush i ka ideuar dhe organizuar. Madje kjo punë u bë me bashkëpjesëmarrje. Plot individë nga Maqedonia dhe nga Kosova u kujdesën që këto ngjarje të kenë efektin dhe kontekstin e tyre. Mirëpo jo të gjithë individët u penalizuan për veprimet e tyre.

Disa humbën jetën, të tjerët u burgosën me qindra vite burg dhe jo pak u dënuan me burgime të përjetshme. Por, të gjithë këta nuk kanë qenë vetëm dhe është iluzore të mendohet se veprimet e tyre nuk e kishin njëfarë parapërgatitje dhe njëfarë koordinimi.

Mirëpo çka ndodhi? Jashtë burgut mbetën ata individë që i organizuan ngjarjet e Kumanovës? Në Kumanovë, më 9 dhe 10 maj ranë disa idealistë shqiptarë, që gabimisht u futën në agjendat e matrapazëve shtetërorë të Shkupit e Prishtinës dhe është për t’u habitur se si kjo e vërtetë vazhdon të mbetet disi e pluhusorur me tisin e misteriozitetit dhe paqartësisë.

Fatkeqësisht jo pak njerëz vullnetmirë në Kosovë më me rëndësi e kishin t’i shpallnin heronj këta djem që ranë në Kumanovë, se sa të çjerrnin maskën e harbutëve të gjithë atyre që i futën këta djem në gërshërë, në një rrugicë qorre të një lagjeje të varfër të Kumanovës, aty ku idealistët e kishin mendu të hyjnë, por kishin qenë matrapazët dhe harbutët ata të cilët e kishin mendu mosdaljen nga kjo rrugicë. Në rrugët pa dalje hyjnë ose njerëzit që nuk i njohin taktikat e luftës guerile, që nuk ishte në rastin e “grupit të Kumanovës”, ose në ato rrugë të fut dikush, me premtimin se “lehtë ia bëjmë, mjafton të shkrepen disa rafale…”.

Tani po kërkohet ekspertizë ndërkombëtare për të rishikuar edhe njëherë këto ngjarje. Por, para se të bëhet kjo ekspertizë, Prokuroria Speciale Publike e Maqedonisë është mirë t’i kërkojë dhe ti vihen asaj në dispozicion të gjitha telefonatat që janë zhvilluar në mes të pjesëtarëve të “grupit të Kumanovës” dhe individëve të caktuar që kanë punuar nëpër shërbime sekrete të Maqedonisë dhe Kosovës, para se të kenë ndodhur këto ngjarje.

Aq e thjeshtë është kjo punë dhe pa ndonjë telashe të madhe, sa që nuk ka vend më për kurrfarë ekspertize ndërkombëtare. PSP duhet të mos hezitojë në veprimet e saja parahetuese, sepse edhe zogjtë e malit e dinë se pjesëtarët e këtij grupi që u futën në atë rrugë qorre në Kumanovë, nuk kanë mundur të ndërmarrin asnjë hap pa qenë paraprakisht të “instruktuar” prej individëve të caktuar të shërbimeve sekrete.

Pse institucionet e drejtësisë po bëhen sikur nuk i dinë se kush janë këta individë? Pse politika aktuale po tregohet kaq pa sens në zbërthimin e kësaj nyjeje, që dikush para tyre e lidhi për të ngulfatur një proces? Kryeministri Zav, në bombat e famshme të tij ka edhe plot biseda të përgjuara që mund të jenë pista të sigurta hetimi për atë se kush ishte i përfshirë në organizimin e ngjarjeve të përgjakshme të Kumanovës. Është shumë e qartë se politika i ka rregullat e veta të funksionimit dhe ka shumëçka që mbetet mister, për hir të disa raporteve, proceseve e konteksteve të caktuara.

Mirëpo, nuk duhet të harrojmë se politika ka edhe moral dhe një politikë dallohet për parime të drejta, vetëm atëherë kur udhëhiqet nga morali. Nëse ngjarjet e përgjakshme të Kumanovës lihen kështu, të pasqaruara dhe të pa ndriçuara deri në fund, atëherë i bie që turli kastraveci i shërbimeve sekrete mund të kurdis, pa i munguar as një qime floku, çfarëdolloj “spektakli” dhe për këtë politika të hesht dhe të mos kërkojë llogari për autorët e atij “spektakli”.

Nëse politika legale nuk reagon ndaj deformimeve që vijnë prej njerëzve të shërbimeve sekrete, atëherë ajo politikë është bashkëpjesëmarrëse në ato ngjarje, duke iu dhënë madje edhe legjitimitet institucional. Në shtetet demokratike, madje edhe kryeministrat dhe presidentët tërhiqen nga skena politike, kur opinioni publik zbulon dallaveret e tyre, sidomos të atilla që lidhen me skenarë shtetërorë për të futur njerëz të pafajshëm në kurth.

Çka na qenkan kaq të rëndësishëm këta persona të shërbimeve sekrete që nuk nxirren para drejtësisë në mënyrë që shërbimet ku ata punojnë të lirohen nga hipotekat dhe dyshimet për veprime të paligjshme dhe tejet johumane. Cilat qenka ato “sekrete shtetërore” që nuk po bëkan të dalin në gjykatë dhe pse Parlamenti i Maqedonisë (Komisioni përkatës) nuk u mor asnjëherë me ato sekrete?

“Ngjarjet e Kumanovës” duhet ti kalohen PSP-së dhe të ndahet njëherë e përgjithmonë fajësia e atyre që erdhën pa e ditur se ku po vijnë, e që morën dënime kapitale, dhe e të tjerëve që e dinin saktësisht epilogun dhe efektin e këtyre ngjarjeve, e që aktualisht janë më të lirë se zogjtë e malit. Përderisa të mos futen në kafaz këta zogj grabitqarë, nuk mundet të flitet për kurrfarë ekspertize, qoftë ajo kombëtare a ndërkombëtare dhe “ngjarjet e Kumanovës” do të vazhdojnë të mbeten një gropë e thellë, e mistershme, ku secili e ka luksin të projektojë konspiracionet e veta.

Ngjarja paraprake

Pse gratë shtojnë peshë kur bëhen me fëmijë? Shkencëtarët japin një shpjegim

Ngjarja e ardhëshme

Sot nisë vaksinimi i personave mbi 65 vjeç kundër koronavirusit

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian