‘S’ka asnjë letër në Kuvend ku demokratët kërkojnë…’/ Murrizi: PD dhe LSI punojnë bashkë kundër hapjes së listave

Deputeti i opozitës parlamentare, Myslim Murrizi akuzoi në Ilva Now opozitën jashtë-parlamentare se po punon bashkë me shumicën socialiste kundër hapjes së listave të kandidatëve.

Gjatë intervistës me gazetaren Ilva Tare, Murrizi tha se “me 11 deputetët që mbështesin grupin e tij parlamentar” do t’i kundërshtojë propozimet e socialistëve për të ndryshuar sërish Kodin Zgjedhor.

Murrizi u shpreh se Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim treguan të premten se punojnë bashkë kundër hapjes së listave.

“Në politikë kërkohet sa takat ke dhe është e vështirë që një opozitë me tre grupe parlamentare dhe 13-14 deputetë jashtë këtyre grupeve t’i imponohesh kësaj mazhorance me 75 mandate dhe kur ka ortakë nga krahu tjetër pjesën që ka qenë aty dhe që ka dalë jashtë sistemit… ngjarjet e fundit tregon që janë së bashku,” – tha Murrizi.

Deputeti tha se “bashkëpunimi mes palëve u tregua në mbledhjen e orës 18:00 me përzgjedhjen e kandidatëve për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve”.

“Tre kandidatë propozon PS-ja, Celibashin, ish-kryetarin e KQZ-së në kohën e Dushkut ku PD-ja brodhi 6 muaj me dosje në Strasburg dhe Ardian Myslimin ish-deputetin e PS-së dhe Ilir Rusmalin ish-zëvendëskryeministrin e PD-së… dhe PD-ja përjashton zëvendëskryeministrin e vet dhe ia beson zgjedhjet atij që i thamë 4 vite rresht se na ka vjedhur zgjedhjet… pra ka më shumë besim te ata [socialistët] se sa te të vetët,” – analizoi Murrizi.

Për sa i përket listave të kandidatëve, Murrizi ishte i mendimit se në tërësi partitë e mëdha i druhen reformës në drejtësi dhe synojnë të mbajnë të sigurta postet në Kuvend me lista gjysmë-të hapura. I pyetur se përse duhej mandati i deputetit, pasi në tërësi është thënë se atyre u është hequr imuniteti, Murrizi pretendoi të kundërtën duke kujtuar rastin e ish-ministrit të Brendshëm Tahiri.

“Kanë deputetët imunitet, sepse gjashtë ditë makina e policisë mbeti poshtë shtëpisë së Saimir Tahirit, implikimi në trafiqe… erdhën dy prokurorë në komision të ligjeve vajtën s’ia hoqën imunitetin dhe harxhuan 600 kilogramë naftë te Kodra e Diellit,” – shtoi ai më tej.

“Nenin 163 nuk do ta votojmë, do të ngrihem të propozoj versionin e parë që patëm, nëse nuk e marrin parasysh do ta çojmë në Gjykatën Kushtetuese,” – u shpreh Murrizi i cili pretendoi se brenda muajit tetor kjo Gjykata Kushtetuese do të bëhet funksionale me plotësimin e dy vakancave të shpallura së fundmi nga Kuvendi dhe Presidenti.

“Damiani [Gjiknuri] është harruar… s’flitet më për dosjet e vjedhjes së votave, [ata të opozitës] i thonë të lutem Damian, këtë që kemi qejf ne, futi një firmë ti dhe katër deputetë të tjerë të PS-së dhe ta çojnë në Kuvend, ta bëjmë ligj,” – tha Murrizi duke vijuar më tej qëndrimin e tij se opozita jashtë-parlamentare “i ka vetëm fjalë” propozimet e propaganduara në media.

“Nuk ka fije letër në institucionet që bëhen ligjet që PD-ja kërkon hapjen e listave… Këshilli Politik… është Damiani [Gjinuri]… ai duhet t’ia përcillte Kuvendit ose 20 mijë zgjedhës me firma… edhe 5 qershori [marrëveshja] nuk erdhi në Kuvend prej Ogertit [Bylykbashit], por prej deputetëve socialistë,” – theksoi Murrizi duke këmbëngulur se opozita jashtë-parlamentare nuk ka konkretizuar ligjërisht asnjë prej propozimeve të saj dhe mbetet “në lojën e socialistëve”.

Ngjarja paraprake

Lideri i Koresë së Veriut i dërgon mesazh solidarizimi presidentit amerikan Trump

Ngjarja e ardhëshme

Aliti i lumtur me kalimin në Zurich

të fundit nga