Si e pranuan humbjen kandidatët presidencialë në SHBA?

Pavarësisht betejës së ashpër që pati me Donald Trump, në garën presidenciale të 2016-tës, pretendentja demokrate për president Hillary Clinton e pranoi humbjen nga biznesmeni republikan.

Vetëm një ditë pas votimeve – 9 nëntor 2016 – ajo tha se të gjithë amerikanët ia kanë borxh atij një mundësi për të udhëhequr.

Pak a shumë, njëjtë vepruan edhe homologët e saj në garat e mëhershme. Dhe në këtë praktikë nuk pati dallim mes demokratëve dhe republikanëve.

Mitt Romney nuk ngurroi ta pranojë humbjen në garën e vitit 2012.

“E telefonova presidentin Barack Obama për t’ia uruar fitoren. Mbështetësit dhe ekipi i tij meritojnë të urohen po ashtu. U dëshiroj çdo të mirë, të gjithëve”, kishte thënë ai.

Njëjtë veproi edhe republikani tjetër, John McCain që u mposht po nga Obama, më 2008.

“U bëj thirrje të gjithë amerikanëve të cilët më mbështetën, që jo vetëm të më bashkohen mua në këtë urim, por edhe t’i ofrojnë presidentit tonë të ri gjithçka që atij i duhet për të gjetur mënyrat për ta bashkuar vendin”, kishte deklaruar ai.

Respekt për kundërshtarin fitues pati edhe një tjetër demokrat, Al Gore. Ai humbi nga republikani George Bush i Riu në vitin 2000 dhe pavarësisht rezultatit të ngushtë e diskutabil, e pranoi, ndonëse pas më tepër se një muaji, se rivali triumfoi.

“Ka një detyrë më të lartë se ajo që ua kemi borxh partive tona politike. Kjo është Amerika, dhe ne e vëmë vendin para partisë. Do të qëndrojmë fuqishëm pas presidentit tonë të ri”, kishte thënë Al Gore.

Deklaratë edhe më të fortë në pranimin e humbjes pati bërë republikani Bob Dole që u mposht nga demokrati Bill Clinton, më 1996.

“E kam thënë vazhdimisht në këtë fushatë që presidenti është kundërshtari, por jo armiku im. Tashti, unë i dëshiroj atij çdo të mirë dhe ia zotoj mbështetjen time për gjithçka që ka të bëjë me çuarjen e Amerikës para”.

Por, shembullin e Dole dhe republikanëve tjerë të rryer si puna e McCain dhe Romney nuk po e ndjek presidenti aktual Donald Trump. Ky nuk po e pranon humbjen nga demokrati Joe Biden.

Për më tepër, po pretendon se ai është fituesi.

“Ne po bëhemi gati t’i fitojmë këto zgjedhje. Thënë miqësisht, ne i fituam këto zgjedhje. Ne i fituam këto zgjedhje”.

Ai jo vetëm që nuk po e pranon humbjen, por po ngul këmbë se në to pati dallavere. Këtë e tha edhe një ditë pas përfundimit të votimeve.

“Ky është një mashtrim i publikut amerikan. Ky është një turp për vendin tonë”, deklaroi Trump.

Refuzimi për të pranuar humbjen nga ndonjëri prej kandidatëve për president është diçka që nuk i ndodhi demokracisë amerikane të kohëve moderne.

Zgjedhjet në Amerikë përfunduan më 3 nëntor. Sipas New York Times, Joe Biden ka fituar duke siguruar 306 vota elektorale karshi 232 të Donald Trump. Demokrati doli para edhe me votë popullore, pasi mori 78.9 milionë sosh, 5,5 milionë më shumë se republikani që siguroi 73.2 milionë.

Ngjarja paraprake

“Xavi do të jetë trajner i Barcelonës në të ardhmen”

Ngjarja e ardhëshme

Luis Enrique: Fitore të tilla vijnë rrallë, kemi bërë gjithçka mirë

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian