Shtypi britanik Mourinhos: Turpërim, poshtërim, skuadër kaotike…

Turpërim. Poshtërim. Skuadër kaotike. Një turp. Këto janë komentet e shtypit britanik për Tottenham, një ditë pas eliminimit nga “Europa League” në duart e Dinamo Zagreb. Dhe shpërthimi i José Mourinho në Zagreb, drejtuar lojtarëve të tij, shihet si çështje anësore. Për shkak se “hat-trick” i Mislav Orsic solli përmbysjen e avantazhit 2-0 të “Spurs”, në ndeshjen e parë, dhe eliminimin e tyre shokues.

Portugezi, si komunikues i zgjuar që është, e komplimentoi Dinamon, duke hyrë në dhomën e zhveshjes së saj, në fund të ndeshjes së të enjtes mbrëma. Por, nuk ishte e mjaftueshme për ta zhvendosur fokusin. Kjo ndoshta shërbeu për ta qetësuar gjumin disa orë, por jo për ta bërë zgjimin më pak të ashpër.

Për shkak se Tottenham, në mes të marsit e sheh veten jashtë “Europa League”, “FA Cup” dhe është i teti në kampionatin anglez; 6 pikë prapa Chelsea, që zë vendin e katërt (“Spurs” kanë një ndeshje më pak se blutë).

Për të shpëtuar sezonin e Mourinhos janë disa gjëra: të fitojë Kupën e Ligës në finalen e 25 prillit kundër Manchester City dhe ta mbyllë Premier League në katër vendet e para, që përkthehet ndryshe në Champions, sezonin e ardhshëm. 

Asnjëri nga këto mini-objektiva të mbetur në lojë nuk është i thjeshtë. Për shkak se Manchester City është skuadra më e mirë europiane, së bashku me Bayern Munich, para së gjithash (në një ndeshje të vetme gjithmonë mund të shpresosh, por në kampionat, “qytetarët” kanë 26 pikë dhe dy ndeshje më shumë se Tottenham) dhe së dyti, sepse Mourinho ka humbur 12 nga 25 ndeshjet kundër Guardiolës.

Kalendari “Spurs” në Premier League siguron “vetëm” 3 nga 10 ndeshjet e mbetura kundër ekipeve që i paraprijnë aktualisht (Manchester United, Everton dhe Leicester). Pak optimizëm, prandaj në shtëpinë e Mourinhos duhet të rezistojnë. Përgatitja është shumë e komplikuar, por ndoshta shtytja e atyre që janë jashtë zonës Champions për momentin (le të mos harrojmë Liverpool dhe Arsenal, me “Topçinjtë” edhe më larg se “Special One”) do ta bëjë fazën finale të kampionatit anglez tepër interesante.

José, pas ndeshjes në Zagreb, u hodh kundër lojtarëve të tij, duke i bërë fajtorë se nuk e kishin dëgjuar. Pasi duartrokiti kundërshtarët, portugezi përdori “fjalor” tjetër për të besuarit e tij. Lloris foli për “turpërim”, duke shtuar se “ekipi pasqyron atë që po ndodh brenda klubit”. Duke na lënë të supozojmë, pra, se ajo që shihni në fushë është vetëm një pjesë e vogël e asaj që ndodh brenda dhomës së zhveshjes.

Prandaj, disfata në Zagreb rrezikon të përfaqësojë fundin e historisë midis trajnerit portugez dhe klubit londinez. A mund të çojë marrëdhënia e dobët me grupin në divorc? Pyetja është e ligjshme, referuar dhe asaj që i ndodhi portugezit te Manchester United; pavarësisht nga fakti se kontrata e tij ka afat fundor vitin 2023.

Ngjarja paraprake

Përplasjet mes partive në Shqipëri/ KQZ del me apel për aktorët politikë

Ngjarja e ardhëshme

33-vjeçari nga Haraçina vdes nga Covid-19

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian