Shtohen përpjekjet për vëzhgimin e zgjedhjeve në balotazhin presidencial në Turqi

Në prag të balotazhit presidencial të 28 majit në Turqi, vëzhguesit e pavaruar të zgjedhjeve po forcojnë përpjekjet për mbikqyrje të procesit, mes shqetësimeve të zgjedhësve që raportuan parregullsi gjatë raundit të parë të votimeve.

Në prag të balotazhit presidencial të kësaj të diele, këto vullnetare kanë ardhur për t’u trajnuar për vëzhgimin e zgjedhjeve. Ky takim është organizuar nga Platforma për Mbrojtjen e Grave, një grup në mbështetje të të drejtave të grave. Takimi trajnues vjen në kuadër të një mobilizimi më të gjerë të shoqërisë civile, si reagim ndaj zemërimit qytetar lidhur me paaftësinë për të mbikqyrur zgjedhjet, gjatë raundit të parë të votimit, në 14 maj.

“Të gjithë u kthyem në shtëpi plot dëshpërim. Ditën tjetër kur u takuam me mikeshat tona thamë se duhej që patjetër të bënim diçka. Prandaj dhe bëmë këtë thirrje për vëzhguese gra”, thotë Sezen Ozkan, nga Plaftorma për Mbrojtjen e Grave.

Ndërsa pritet votimi i së dielës, qindra mijëra njerëz janë regjistruar për të luajtur rolin e vëzhguesit zgjedhor.

I gjithë ky mobilizim vjen pasi kandidati i opozitës, Kemal Kiliçdaroglu i Partisë Popullore Republikane (CHP) pranoi paaftësinë për të vëzhguar zgjedhjet gjatë raundit të parë të votimit.

Partia pranoi se nuk kishte numër të mjaftueshëm vëzhguesish dhe pati ngadalësi në llogaritjen e numrit të votuseve lidhur me pretendimet për vjedhjen e votës ndërkohë që presidenti aktual Recejp Tayyip Erogan korri një fitore të papritur.

“Zoti Erdogan mund të ketë fituar gjithsesi, po është e qartë se ka pasur mjaft parregullsi, por nuk e dimë se në çfarë niveli. A është gjysmë përqindje? Një përqind? Apo më shumë. Zakonisht, nuk janë më shumë se 2%, por nuk mund të dihet për sa kohë nuk ka vëzhgues dhe përfaqësues zgjedhor”, thotë Asli Aydintasbas, nga “Brookings Institution” në Uashington.

Zoti Erdogan ka hedhur poshtë pretendimet për parregullsi të votuesve duke këmbëngulur se zgjedhjet ishin të drejta.

Në prag të balotazhit presidencial të së dielës, shqetësimet e votuesve po shtohen, edhe sepse ministri i Brendshëm Suleyman Soylu tha se grupi i njohur i vëzhguesve të zgjedhjeve Oy ve Otesi nuk do të lejohej të vëzhgonte qendrat e votimit.

“Me shumë gjasë qeveria e di se ky raund i dytë votimesh nuk do të jetë i lehtë. Gara do jetë shumë e ngushtë. Dhe ministri Soylu kërkon të sigurohet që asgjë nuk do të shkojë keq”, thotë Atilla Yesilada, nga GlobalSource Partners

Por edhe vëzhgueset e zgjedhjeve nga Platforma për Mbrotjjen e Grave janë po aq të vendosura që asgjë të mos shkojë keq në zgjedhje, duke argumentuar se çështje me shumë rëndësi rrezikohen në këto zgjedhje.

“Si grua, të kërkosh votën tënde do të thotë të kërkosh jetën tënde, praktikisht të kërkosh trupin, ekzistencen, vendin tënd. Sepse gratë përbëjnë më shumë se gjysmën e popullsisë së këtij vendi, por gratë janë cilësuar përherë si dytësore, janë bllokuar, janë lënë pa të ardhme dhe nga ana tjetër janë vazhdimisht të ekspozuara ndaj dhunës. Ja pse të kërkosh votën do të thotë të kërkosh gjithçka”, thotë Sezen Ozkan, nga Platforma për Mbrojtjen e Grave.

Zoti Erdogan ka siguruar se votimet e së dielës do të jenë të drejta. Qindra mijëra vëzhgues në të githë vendin po punojnë për t’u siguruar që të jenë vërtet të tilla./VOA

Burimi: GAZETA.MK

Story i mëparshëm

СЕНЗАЦИОНАЛЕН ВЛТ ЏЕКПОТ: 20.577.224,00 ДЕНАРИ ОСВОИ ИГРАЧ НА ВИДЕОЛОТАРИЈА

Story i radhës

Shtëpia u përfshi nga flakët, flet Mihrije Braha: Ja i kujt ishte faji

Të fundit nga