Shtetet e Bashkuara dhe Kosova me marrëveshje për nxitje investimesh

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett dhe kryeministri i Kosovës, Avdulla Hoti, nënshkruan të enjten një marrëveshje për nxitjen e investimeve, që i mundëson Korporatës amerikane për Zhvillim Financiar Ndërkombëtar (DFC) shtrirjen e një game të plotë financiare në Kosovë.

Marrëveshja e sotme rrjedh nga dakordimi i 4 shtatorit për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që u nënshkrua në Shtëpinë e Bardhë në praninë e presidentit amerikan, Donald Trump.

Një komunikatë e ambasadës amerikane citon zotin John Jovanoviç, drejtor menaxhues i zyrës rajonale të DFC-së për Ballkanin Perëndimor dhe Egjeun të ketë thënë se marrëveshja “forcon përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për shtrirjen e mjeteve financiare në dispozicion për zhvillimin e ekonomisë së Kosovës, veçanërisht sektorit të saj privat”.

“Ne shohim mundësi të mëdha për DFC-në që të ndihmojë mobilizimin e investimeve që krijojnë vende pune dhe mbështesin zhvillimin për popullin e Kosovës”, citohet të ketë thënë ai.

Marrëveshja e së enjtes pason vizitën që Adam Boehler, kryeshef ekzekutiv i DFC-së, zhvilloi në Kosovë në muajin shtator, gjatë së cilës ai nënshkroi një deklaratë të përbashkët me kryeministrin Hoti për zgjerimin e përqendrimit të investimeve të DFC-së në Kosovë për forcimin e infrastrukturës transportuese, energjisë, teknologjisë dhe industrive të tjera, thuhet në njoftim.

DFC-ja, e cila filloi punën në vitin 2020, bashkëpunon me sektorin privat për financimin e zgjidhjeve të sfidave më të rënda me të cilat përballet bota në zhvillim. Ajo investon në sektorë të ndryshëm përfshirë sektorin e energjisë, kujdesit shëndetësor, infrastrukturës thelbësore dhe teknologjisë. DFC-ja gjithashtu ofron financim për biznese të vogla dhe gratë sipërmarrëse për të krijuar vende pune në tregjet në zhvillim. Të gjitha investimet e saj u përmbahen standardeve të larta dhe respektojnë mjedisin, të drejtat e njeriut dhe të drejtat e punëtorëve, thuhet në një njoftim të ambasadës amerikane.

Kosova është vendi i parë në Ballkanin Perëndimor nënshkroi marrëveshje për Nxitjen e Investimeve me DFC-në.

“Kjo marrëveshje shpreh vullnetin e përbashkët të Republikës së Kosovës dhe SHBA-ve për të inkurajuar aktivitetet ekonomike në Kosovë që promovojnë zhvillimin ekonomik dhe kapacitetet prodhuese të vendit tonë”, thuhet në një komunikatë të qeverisë së Kosovës.

Marrëveshja, thuhet në njoftim, “hap rrugë dhe garanton investimet amerikane në Kosovë, efektet e së cilës do të shihen gjatë vitit 2021, si dhe është një hap konkret drejt maksimalizimit të efekteve ekonomike të Marrëveshjes së Washingtonit.

Ngjarja paraprake

Merkel: "Kohë të vështira për vendin tonë"

Ngjarja e ardhëshme

Trump, Biden japin mesazhe me rastin e Vitit të Ri

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian