Shtëpia e Bardhë kritikon guvernatorin e Teksasit për çështjen e emigrantëve

Shtëpia e Bardhë akuzoi të hënën guvernatorin e Teksasit, Greg Abbott për rrezikim të jetës së emigrantëve pasi autobusët me emigrantë nga kufiri jugperëndimor në Teksas lanë pranë banesës së nënpresidentes Kamala Harris në Uashington, emigrantë në mot të ftohtë, natën e Krishtlindjes.

Republikani Abbott, një kritik i zëshëm i politikave të imigracionit të administratës së Presidentit Joe Biden, nuk e ka pranuar përfshirjen në dërgimin e emigrantëve në Uashington natën e Krishtlindjes dhe zyra e tij nuk ka marrë përgjegjësinë për këtë.

Rreth 110 deri në 130 emigrantë që kërkonin azil në Shtetet e Bashkuara, shumë prej tyre familje me fëmijë, u vendosën në autobusë nga zyrtarët e Teksasit, thanë të dielën organizatat që ndihmojnë emigrantët pasi ata mbërritën në kryeqytetin amerikan.

“Guvernatori Abbott braktisi fëmijët, duke i lënë ata në anë të rrugës në temperatura nën zero në prag të Krishtlindjes, pa koordinuar me autoritetet federale apo ato lokale”, tha në një deklaratë zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Abdullah Hasan.

“Lojërat politike nuk arrijnë asgjë, ato vetëm rrezikojnë jetë”, shtoi zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë.

Teksasi ka transportuar mijëra emigrantë me autobusë në Uashington, Nju Jork dhe Çikago. Disa kritikë e kanë quajtur këtë një lojë mes një debati kombëtar mbi numrin e lartë të emigrantëve që po hyjnë në Amerikë nga zona të ndryshme përgjatë kufirit SHBA-Meksikë.

Guvernatori Abbott ka thënë më parë se shteti i tij po transportonte qëllimisht emigrantët në qytetet, ku nuk po zbatohet ligji për dëbimin e tyre.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Abdullah Hasan tha se administrata e Presidentit Biden është e gatshme të punojë me demokratët dhe republikanët për zgjidhjen e çështjes së emigrantëve./VOA/

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

E konfirmon Kurti: Jo muaj, as javë, barrikadat do të hiqen brenda ditësh

Story i radhës

3 të vdekur pasi një helikopter u rrëzua në një aeroport në kryeqytetin e Nigerit

Të fundit nga