Shqipëria, vend ku s’duan të banojnë shqiptarët, por të ‘ambasadorojnë’ të huajt

Kryeministri i Shqipërisë e ndjen humbjen të cilës siç duket i frikohet më shumë se sa turpit. I frikohet sepse e dinë se pastaj do e braktisin të gjithë ata që tani e barazojnë me Skënderbeun dhe do duhet ta jetojë vetminw e vetmitarit që vonë ka kuptuar atë që e kanë thënë të mençurit: se një popull mund ta gënjesh gjatë një kohe të caktuar, por jo edhe përjetësisht.

Andaj ai tani don të shpëtojë duke përdorur lojna nga më të ndryshmet, siç është ftesa drejtuar kryetarit të PD-së për të bashkëqeverisur.

Ndërkohë nuk duhet harruar se Kryeministri i sotëm i Shqipërisë është prodhim i një shoqërie ku mund të bëhesh politikan e burrështetas vetëm pse je gojështhurur dhe vetëm nëpërmjet batutave.

Dhe se ‘Rilindja’ është ‘bimë’ tridekadëshe e mbirë nga fare e keqe e mbjellë në arën politike të Shqipërisë, e ku mund të bëhesh burrështetas vetëm pse ke shprehur dëshirën që i vetëm ta kesh në duar timonin e shtetit.

Njësoj siç nuk duhet harruar se edhe në zgjedhjet e shkuara edhe në të tanishmet, Piktori u tall me popullin e vet: atëherë duke ia kërkuar timonin që i vetëm ta drejtojë Shqipërinë, pa treguar se në ç’drejtim do e çojë atë, e tani duke kërkuar bashkëdrejtues, me siguri ngaqë më në fund e sheh se vendin e ka futur nëpër udhë pa dalje nga nuk din si ta nxjerrë.

Andaj me ofertën qa tani ia bën drejtuesit të opozitës, Piktori në të vërtet popullit të vet ia bën talljen në katror. Edhe atë ndoshta pse beson se votuesi shqiptar është i paaftë ta përcaktojë rrënjën katrore të marrëzisë së tij politike.

Dhe pa marrë parasysh se me 25 prill si do vendosë votuesi shqiptar, do mbetet e vërteta se ‘Rilindja’ e Piktorit nuk rrënoi vetëm Teatrin Kombëtar, por i zhbëri thuajse të gjitha institucionet e shtetit, përpos atë të Presidentit si dhe, ia doli që rrugaçërinë politika ta instalojë si institucion të vetëm që të ndihmon të bësh karrierë politike.

Pra ‘Rilindja’ e Piktorit i defaktorizoi shqiptarët, edhe atë jo vetëm pse Tiranën e bëri më të afërt me Beogradin se sa me Prishtinën e Shkupin, por edhe pse i shpërfaqi si një popull që nuk njeh e nuk ka nevojë për institucione shtetërore, popull që ende e jeton kohën e Esat Pashës, kur çdo bajraktar donte të kishte Shqipërinë dhe shqiptarët e vet.

Andaj edhe erdhi puna deri këtu ku jemi sot: që Kryebashkiaku i Tiranës ta quajë ‘Lolo’ presidentin e vendit, me çka merret vesh se për të më të rëndësishme janë institucionet partiake se sa ato shtetërore, njësoj siç merret vesh se zanati më i vjetër në botë nuk është prostitucioni që shet trupin, por jargavitja e prostitutave politike që kanë shitur trup e shpirt.

Sidoqoftë duhet nënvizuar se ‘Rilindja’ është kulmi i një piramide të vlerave të rrejshme partiake, apo kulmi i partive të shndërruan në strehimore për të paaftit, të papërgjegjshmit, të pafytyrët e madje edhe për kriminelët, e shëmtinë e të cilëve ua mbulonin me emblemat e veta partiake. Me çka të huajt gabimisht besuan se ky popull nuk dinë ta dallojë të mirin nga i keqi, dhe se e voton edhe kriminelin.

Populli gjithmonë i ka dalluar qartë ata që sjellin ndryshimin për të mirë nga kriminelët, por nëpër ‘Shqipëritë’ tona ka ndodhur që kryekriminelët që i drejtojnë partitë politike, të kenë pasur mbështetjen edhe te perëndimorët, mbase vetëm pse jepnin dhurata të shtrenjta dhe pse me të fortët e partisë, garantonin stabilitet e rrënonin shtet. Me çka viset shqiptare i bënë vende ku nuk duan të banojnë shqiptarët, por ku duan të ‘ambasadorojnë’ të huajt.

Ngjarja paraprake

Pandemia jashtë kontrollit, Brazili u kërkon grave të mos ngelen shtatzënë

Ngjarja e ardhëshme

Mariçiq kritikon opozitën: Vetëm te ne nuk mund të zbatohet votimi online

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian