Shqipëria synon fitore ndaj Islandës

Nis një edicion i ri, nën shenjën e ngjyrave kuqezi, me më tepër ëndrra dhe me më shumë shpresa. Në Rejkjavik, kombëtarja do të nisë rrugëtimin e saj në Nation League, që kurrë më parë nuk merr kaq shumë vlerë për kuqezinjtë për të arritur Evropianin e ardhshëm.

Në Gjermani, parë nga shorti, nga rritja e vazhdueshme në cilësi, nga protagonizmi i lojtarëve tanë në klube dhe nga ambiciet, lind një detyrë për të qenë të pranishëm.

Nuk do të jetë sigurisht një rrugëtim i thjeshtë, por në vetëm 4 ndeshje në Nation League ne mund të presim biletën tonë të Europianit, pa u varur nga eliminatoret. Detyra është e thjeshtë, të dalim të parët përballë Islandës dhe Izraelit. Nuk kemi qenë ndër ata që kemi synuar të dalim të parët, por fitimi i grupit në Ligën C, kalimi në Ligën B, shorti i favorshëm dhe përjashtimi i Rusisë kanë krijuar terrenin e përshtatshëm për kuqezinjtë, që në këtë start të synojmë të jemi të parët në finish.

Islanda dhe Izraeli nuk janë më ato të dikurshmet, janë në një rigjenerim brezash, ndërsa ne identitetin tonë e kemi krijuar. Sigurisht që nuk fitohet në letër por në fushë dhe aty këmbët e rënduara të sezonit mund të ndikojnë, por në Islandë këtë herë do të shkojmë për të fituar.

3 vjet më pare, ndaj Islandës, Edi Reja zhvillonte një prej ndeshjeve më të bukura në karrierën e tij kuqezi dhe tanimë nevojitet një tjetër sfidë si ajo.

Nëse Shqipëria renditet e para në grupin e saj, do të ketë një biletë për në play-off-in drejt “Euro 2024”, teksa nga Nations League do të jenë 3 ekipet që do të kualifikohen nga 24 vende në dispozicion, për në Europian. Mbi të gjitha, fitimi i Grupit B, do të na jepte mundësinë të ngjiteshim edicionin e ardhshëm në Ligën A dhe aty nga 2025 do të jenë dhe Brazili dhe Argjentina, përveç emrave më të mëdhenj të futbollit europian, duke i krijuar mundësinë Shqipërisë që të luajë me emrat më prestigjiozë të futbollit botëror.

Por nuk ëshë vetëm kjo, pasi qenia në Ligën A, për Botërorin e 2026, duke qenë se pjesa më e madh e skuadrave të Ligës A kualifikohen, mund të na japë shansin të shkojmë në play off-in e Botërorit, nëpërmjet Nations League, për herë të parë në histori. Ndaj ky rrugëtim që do të nisë në Islandë, nuk është vetëm një ecejake drejt një suksesi të tanishëm, por dhe një gur themeli për të prekur objektiva të pamenduar më parë.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Pas ndarjes nga Shakira, lajme të këqija për Pique. Barcelona do ta largojë?

Story i radhës

Momenti kur në Badovc fundoset vetura, brenda saj po flinte një 5-vjeçar

Të fundit nga