Shqipëria “refuzoi” kreditë për rrugë! Nuk u aplikua në BE për grante, por u dhanë koncesione me çmime të larta

Qeveria shqiptare nuk ka nevojë për grante apo kreditë e buta që mund të vijnë nga Bashkimi Europian, për ndërtimin e rrugëve pasi mbështetjen e gjen tek koncesionarët privatë.

Bashkimi Europian akordoi një grant 3.5 milion euro për studimin e fizibilitetit të rrugës Adriatiko-Joniane dhe projektimin e saj. Shqipëria parashikohet të ndërtojë vetëm 256 km rrugë, për ta lidhur me arterien kryesore Europiane të quajtur TEN-T.

Si një vend para anëtarësimit në BE ajo mund të kërkojë fonde apo grante nga Unioni për rrugët nga Muriqani në Kakavijë, por qeveria as nuk ka denjuar ta tentojë.

Top Channel ka siguruar të dhënat nga koordinatori i Komunitetit të Transportit në Tiranë, i cili shprehet kështu”

“Pas studimit të fizibilitetit për autostradën Adriatiko-Joniane të financuar nga KE dhe të finalizuar në 2019-ën, qeveria jonë bëri kërkesë për studim të detajuar vetëm për segmentin Muriqan-Lezhë. Pas studimit, qeveria do bëjë kërkesë për grant investimi deri në vlerën 40%, ndërsa pjesa tjetër do merret kredi nga BERZH, institucion që e ka mbështetur projektin që në fillimet e tij. Ndërkohë për 212 kilometrat e tjera nga Lezha deri në Kakavijë nuk ka asnjë kërkesë për grante, studim të thelluar apo mbështetje me kredi të buta nga qeveria shqiptare drejt BE-së apo institucioneve ndërkombëtare.”

Ato do jepen të gjitha me koncesion dhe qeveria preferon që t’ja marrë dy herë lekët e rrugës qytetarëve se sa të ulë barrën fiskale mbi ta.

Një kontrast i frikshëm me vendet e tjera që sapo janë anëtarësuar në Bashkimin Europian të cilat kanë ndërtuar mijëra kilometra rrugë me fondet e BE-SË. Kroacia, Greqia dhe Sllovenia janë rastet më të freskëta dhe më të pastra, se si BE mbështet rrugët kryesore.

Ndërkohë, në përmbledhjen e granteve dhe projekteve të mbështetura nga WBIF në lidhje me ndërlidhjen e Ballkanit Perëndimor me Europën, Shqipëria ka numrin më të ulët të projekteve të mbështetura dhe grantet me vlerë më të ulëta, edhe më pak se Kosova, ndërsa pjesën e luanit e ka Bosnjë Hercegovina.

Top Channel ka bërë edhe një kërkesë tek Ministria e Infrastrukturës për arsyen pse nuk është preferuar metoda e financimit nga grantet e BE-së për rrugën, por mbetet prej tre javësh pa përgjigje.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Pasardhësi i Haaland lumturon tifozët

Story i radhës

Pse nuk duhet të vishni pizhame të trasha as në dimër, pasojat që as nuk i keni menduar

Të fundit nga