Shqipëri: NATO-ja hap me ceremoni stërvitjen “Defender Europe 21”

Drejtuesit e stërvitjes “Defender Europe 21” zhvilluan sot në portin detar të Durrësit ceremoninë e Ditës së Vizitorëve të Shquar.

Image

Tod D. Wolters

Komandanti Suprem i NATO-s për Europën, njëkohësisht komandant i komandës së SHBA-ve në Europë, gjeneral Tod D. Wolters tha para autoriteteve më të larta shtetërore të Shqipërisë se ky vend anëtar dinjitoz i Aleancës ka shpërndarë dhe shpërndan në rajon dhe në kontinent vetëm siguri dhe paqe.

Ai shtoi se NATO nuk do të lejojë, që pandemia të shndërrohet në çështje të sigurisë, ndaj stërvitja po e sfidon pandeminë.

“Stërvitja “Defender Europe 21” angazhon mbi 30 mijë trupa ushtarake të gjithë llojeve nga mbi 25 shtete anëtare të NATO-s. Qëllimi është të koordinohen veprimet në shërbim të sigurisë dhe mbrojtjes së përbashkët. Ne sot jemi më të sigurtë se kurrë më parë, sepse bashkë jemi më të fortë” – tha gjen. Wolters.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, tha se stërvitja është një mundësi e shkëlqyer për të provuar aftësitë profesionale, në drejtimin e NATO-s, e cila si garantja më e madhe e paqes sot në botë, ka mbështetjen maksimale nga populli shqiptar.

“Stërvitja ka rëndësi të madhe për rajonin tonë, për ndërveprim në shërbim të sigurisë dhe paqes. Jam i sigurtë se forcat tona do të kryejnë detyrat me përpikmëri” – tha zoti Meta.

Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim tha se kjo është një ngjarje historike për rajonin dhe për angazhimin e Shqipërisë në NATO.

“Ne e njohim trimërinë tuaj dhe jemi të nderuar t’iu quajmë Aleatët tanë – iu drejtua ambasadorja Kim forcave shqiptare. – Roli i Shqipërisë në NATO – tha ajo – është sot më i rëndësishëm se kurrë; ajo mirëpriti më tepër pjesë të kësaj stërvitje se vendet e tjera në rajon, dhe qëndron krah për krah me NATO-n, SHBA-të me trupa të saj në një numër konfliktesh nëpër botë”.

Kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria dëshiron të jetë gjithmonë e më e denjë si dhe më e vlefshëm brenda Aleancës së vlerave më të larta të demokracisë. Kjo stërvitje, sipas tij, është një tjetër provë e rëndësishme për ngjitjen në pikën më të lartë të marrëdhënieve të Shqipërisë me NATO-n dhe SHBA-të.

“Me angazhimin në këtë stërvitje Shqipëria jep edhe një mesazh për rajonin dhe për këdo që ka nevojë për përgjigje të drejtpërdrejta lidhur me qëndrimin tonë të vendosur brenda kësaj Aleance në krah të SHBA-ve, së bashku me shtetet e tjera anëtare, që kanë vendosur që për lirinë dhe demokracinë të paguajnë çdo çmim” – tha zoti Rama.

NATO ka nisur në Shqipëri stërvitjen ushtarake “Defender 21” me mijëra trupa nga SHBA dhe vende të tjera anëtare të saj.

Sipas përfaqësuesve të ushtrisë amerikane, kjo është stërvitja më e madhe në Ballkanin perëndimor qysh nga Lufta e Dytë Botërore. Në të marrin pjesë mbi 30 mijë trupa nga 25 shtete, ku Shqipëria është pjesëtare dhe një qendër mikpritëse e saj.

Krahas përdorimit të gjashtë bazave detare, tokësore dhe ajrore, Shqipëria, anëtare e NATO-s që nga viti 2009, do të angazhojë 1 mijë trupa.

Shqipëria vlerësohet nga NATO si një një aleate e vendosur dhe një partnere e vlerësuar e sigurisë në nivel rajonal dhe global. Krahas

Shqipërisë, në stërvitje marrin pjesë edhe vendet e tjera të Ballkanit perëndimor, anëtarë të NATO-s; Kroacia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.

Ngjarja paraprake

Biden: Deri më 4 korrik do të imunizohen 70% e amerikanëve të rritur

Ngjarja e ardhëshme

Plani i Xavit

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian