Shqipëri, harta e re gjyqësore, avokatët vendosin “bojkot pa afat”

Në Shqipëri, Këshilli i përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë vendosi të bojkotojë pa afat seancat gjyqësore, në shenjë kundërshtie ndaj hartës së re gjyqësore të propozuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Vendimi u mor gjatë një mbledhjeje disa orëshe të Këshillit, dhe parashikon këtë herë një masë tjetër ekstreme, atë të bojkotimit edhe të seancave për masat e sigurisë.

Greva, përveç se rrezikon të rëndojë dhe më tepër situatën problematike që vuan sistemi, me vonesat në gjykime, mund të ketë dhe pasoja të drejtpërdrejta në rastet e masave të sigurisë, apo djegien e afateve të paraburgimit në raste të tjera.

Sipas Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), nga 22 gjykata të shkallës së parë do të mbeten vetëm 13 të tilla, nga 6 gjykata administrative vetëm dy, ndërsa për të gjthë vendin do të funksionojë vetëm një gjykatë Apeli në Tiranë.

Avokatët kundërshtojnë këtë hartë, me argumentin se cënohet rëndë qasja në drejtësi e individëve dhe personave juridik si dhe rriten kostot dhe shpenzimet. Dy javë më parë ata zhvilluan një tjetër grevë 4 ditore, ndërkohë që në disa rrethe bojkotimi i seancave vijoi dhe më gjatë.

Nga ana e tij Këshilli i Lartë Gjyqësor, e ka mbrojtur propozimin e vet, duke theksuar se ndër të tjera, “harta e re rrit efiçencën e sistemit gjyqësor për qytetarët” apo dhe “realizon shpërndarjen e drejtë të ngarkesës së punës midis gjykatave dhe gjyqtarëve”.

Gjatë një seance në Komisionin parlamentar të Ligjeve, drejtuesja e KLGJ-së Naureda Llagami shpjegoi se është vepruar në respekt të detyrimeve ligjore. “Parashikimi ligjor është që madhësia e një gjykate është jo më pak së 7 gjyqtarë. Katër gjykata ishin me katër gjyqtarë. Pra nuk plotësonin kriteret. Dy gjykata me pesë gjyqtarë. Dy të tjera me gjashtë gjyqtarë në strukturë. Pra dhe këto nuk plotësonin kriterin ligjor. Nëse shohim produktin e analizojmë statistikat do arrijmë në atë përfundim që kemi arritur dhe ne”, u shpreh ajo.

Reduktimi i fortë i numrit të gjykatave duket se lidhet ngushtë me largimet e ndjeshme të gjyqtarëve nga sistemi për shkak të procesit të vettingut. Afro gjysma e tyre tanimë janë shkarkuar.

Vendimi i KLGJ-së është kritikuar dhe pritur me shqetësim dhe nga organizatat e shoqërisë civile të angazhuara në procesin e konsultimeve për hartën e re gjyqësore, të cilat veç përmbajtjes, kanë shprehur pakënaqësi dhe për faktin se sugjerimet e tyre nuk janë marrë në konsideratë.

Dhe sot njëra prej tyre, Instituti për Studime Publike dhe Ligjore (ISPL), u shpreh se “me numrin rekord të dosjeve të mbartura që kanë prekur tashmë gjykatat, greva e propozuar nga Dhoma e Avokatisë, është gjëja e fundit që i duhet sistemit të drejtësisë shqiptare, ndaj dhe të gjitha palët duhet të ulen për ta parandaluar atë”.

Në postimin në Twitter të ISPL-së theksohet më tej se “kjo grevë do të rrisë ngarkesën e gjykatave dhe vonesat e gjykimeve duke i lënë palët të përballen me pritje të papranueshme për drejtësi. Qeveria Shqiptare duhet të kthehet në tryezë me Dhomën e Avokatisë Shqiptare”

Pak ditë pas publikimit të hartës së propozuar nga KLGJ-ja, edhe presidenti Ilir Meta foli me tone kritike duke kërkuar rishikimin e variantit të paraqitur./VOA

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Qeveria e Kosovës merr vendim të ri për targat dhe për ata që hyjnë në vend me dokumente serbe

Story i radhës

Richard Branson viziton aeroportin e dëmtuar pranë Kievit

Të fundit nga

AlbanianMacedonianEnglish