Shpallet fajtore për vrasjen e bashkëshortit autorja e “Si të vrasësh burrin tënd”

Një grua u shpall fajtore për vrasjen e burrit të saj në qytetin amerikan të Portland, në Oregon. Disa vite përpara se të vriste bashkëshortin, Nancy Crampton Brophy kishte shkruar një ese të titulluar “Si të vrasësh burrin tënd”.

Juria prej 12 personash e shpalli 71-vjeçaren fajtore për vrasje të shkallës së dytë të mërkurën, për vrasjen e Daniel Brophy. Brophy, një kuzhinier 63-vjeçar u vra më 2 qershor të vitit 2018, teksa po bëhej gati për punë, në Institutin Kulinar të Oregonit në Portland.

Crampton Brophy nuk pati reagim teksa u njoh me vendimin në sallën e gjyqit të mbushur me njerëz.

Lisa Maxfield, një nga avokatet e saj, tha se ekipi mbrojtës do ta apelojë vendimi.

Shkrimi i të pandehurës, i publikuar në vitin 2011, kishte opsione të ndryshme, të detajuara, për kryerjen e një vrasjeje të pagjurmueshme.

Gjykatësi Christopher Ramras e kishte përjashtuar esenë nga gjyqi, duke vënë në dukje se ishte botuar disa vite më parë. Jurisë nuk iu lejua që ta merrnin në konsideratë atë në gjykimin e tyre.

Prokurorët thanë se Crampton Brophy e kreu vrasjen e motivuar nga problemet me paratë dhe për të përfituar nga paratë e sigurimit të jetës.

Megjithatë, Crampton Brophy tha se ajo nuk kishte asnjë arsye për ta vrarë burrin e saj dhe problemet e tyre financiare ishin zgjidhur kryesisht duke arkëtuar një pjesë të planit të kursimeve të pensionit të Brophy.

Gruaja kishte në pronësi të njëjtën markë dhe model të armës së përdorur për të vrarë të shoqin dhe në sallë të gjyqit u shfaqën pamjet e marra nga kamerat e sigurisë ku ajo shfaqej duke shkuar e më pas duke u kthyer nga instituti i kuzhinës ku punonte i shoqi.

Prokurorët thanë se gruaja kishte blerë dy armë dhe kishte shkëmbyer pjesët e tyre.

Deri më sot, policia nuk ka mund ta gjejë armën me të cilën u vra Brophy.

Avokatët mbrojtës pretenduan se Crampton Brophy planifikonte të shkruante një tjetër libër, ndaj dhe kishte blerë armën, ndërsa aluduan se Brophy ishte vrarë gjatë një tentative grabitjeje.

Vetë 71-vjeçarja tha se prania e saj në vendin ku punonte i shoqi, ditën kur u vra, ishte rastësi dhe se ajo kishte parkuar në atë zonë për të punuar me librin e saj.

Crampton Brophy ka qëndruar në paraburgim që prej arrestimit të saj në Shtator të vitit 2018. Dënimi për të do të jepet më 13 Qershor.

“Më duket më e lehtë të dëshirosh vdekjen e një personi sesa ta vrasësh atë”, shkruante Brophy në 2011. “Nuk dua të shqetësohem për gjakun dhe trutë të shpërndarë në muret e mia. Dhe me thënë të drejtën nuk jam shumë e zonja për të mbajtur mend gënjeshtrat e mia. Por ajo që di për vrasjen është se secili prej nesh e ka aftësinë për ta bërë nëse shtyhet në limite”.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Tahir Batatina: Për kupa kam lindur dhe me kupa do ta mbylli karrierën

Story i radhës

Një nuse tradicionale si Leonora Jakupi

Të fundit nga