Shkrimtari Visar Zhiti: Nuk jam për shembje dhe revolucion! Sulmi ndaj Berishës? I frikshëm dhe kriminal

Shkrimtari Visar Zhiti ka komentuar zhvillimet e fundit në Shqipëri, nga dhuna ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha në protestën e 6 dhjetorit, tek shembja e paligjshme e Prestige Resort.

Në një intervistë për News24, ai thotë se nuk i preferon shembjet dhe as revolucionit. Sipas tij, me evolucion bëhet ajo që duhet.

Zhiti: Unë nuk jam për shembjet, nuk jam për  revolucionet. Unë i besoj shumë natyrës. Me evolucion të bëhet ajo që duhet.

Ndërsa sulmin ndaj ish-kryeministrit Berisha, Zhiti e quan një akt kriminal të frikshëm. Ish-ministri i Kulturës thotë se nuk mund të përdorësh dhunë ndaj asnjë personi.

Zhiti: Jo vetëm si ish ministër i tij.   Nuk ka  nevojë të kesh qenë ministër i tij për ta ndjerë që ajo ishte e turpshme, e frikshme, kriminale.  Nuk mund të përdorësh dhunë kundër asnjë qytetari, jo më ndaj një lideri që ka mbështetje, që ka pasues. Ishte absolutisht e rëndë dhe e dënueshme.

Pjesë nga intervista e Visar Zhitit:

“Kishte kaluar mesnata po pa zbardhëllyer ende, teatrin e shembën. Nën rrënoja kishte mbetur njëri nga aktorët. Në atë orë, bëheshin edhe pushkatimet. Se kush kishte thënë, apo ai vetë. Eskavatori i madh doli nga parku në rrethinë të kryeqytetit dhe me rrapëllima e gulçe, mori kthesën e bulevardit kryesor. Presat, para, ato të kohës së hekurt, vezullonin si thika të gjata prej dritave të herëpashershme, në shtyllat ndanë këmbësorëve pa njerëz, pa dëshmitarë. Në këtë orë bëheshin edhe pushkatimet”.

– Nis kështu romani më i ri i Visar Zhiti, “Këpuca e aktorit” që është një sagë familjarëve sipas tij, por është edhe një sagë e vendit. Romani, nis me shembjen e Teatrit Kombëtar. Pse Teatri Kombëtar në nisje të veprës së Visar Zhitit?

Visar Zhiti: Ndoshta e solli koha. Libri kishte më herët. Por drama e shembjes së teatrit më goditi dhe më dukej se lidhej me atë shqetësim e gjakim që kisha duke shkruar librin. Është një ngjarje që diçka përcaktoi dhe kjo mendoj se ishte arsyeja e parë që një vend shemb teatrin e tij. Një vend me shumë drama. Një vend që i ka dramat  edhe nëpër rrugë. Një vend që është vetë teatër do thoja. Ndoshta në thellësi, apeli është që të mos ndërtojmë për të prishur,    por të ndërtojmë për të ndërtuar.  Një gabim nuk mund të rregullohet me një gabim tjetër më të madh.

– Dhe ju tregoni në roman, që teatri nuk ishte vetëm teatri, teatri ishte edhe historia e tij, gjyqet komuniste që u mbajtën në 1945 kundër antikomunistëve dhe me shembjen e tij, në një farë mënyre u fashit e gjithë kjo, përtej të qenit  teatër i dramës, i tragjedisë, apo i komedisë. U bë një teatër  fateve njerëzore në Shqipëri.

Visar Zhiti: Po ashtu është. Në vepër disa i dalin në mbrojtje teatrit, siç ndodhi në realitet ndërsa një pjesë janë për shembjen e tij për të pasur një teatër modern për një metropol.  Unë vetë isha me mendimin që duhej një teatër i ri, por jo me çdo kusht të prishej teatri ekzistues që mbart histori, që mbart mesazhe, që është vetë personazh, edhe teatër edhe personazh i historisë së kryeqytetit. Gati ishte në moshën e kryeqytetit. Ndodhën tërë ato ngjarje, siç thatë edhe ju. Nisi në kohën e mbretërisë, u përurua në kohën e pushtimit. Pati emrin “Kompleksi Skanderbeg”, dolën aktorë, diktatura në skenën e atij teatri nuk hipi aktorë por hipi intelektualë  personazh të gjallë të vërtetë si të pandehur, dh enjë trupë gjykuese të vërtetë ku Shqipëria po gjykonte të kaluarën e vet dhe po godiste traditën e saj. Në atë teatër u zhvilluar një histori e tërë,  erdhën aktorë të shquar, u vendos realizmi socialist, u dënuan aktorë, u dënuan regjisorë, aty ka qenë akademi, ka qenë lidhja e shkrimtarëve. Pas zhvillimeve të 90-ës pati prapë një histori. Në këtë kuptim mendoj se teatri në këtë roman është një metaforë, që duhej braktisur aq sa braktiset ajo që s’duhej dhe duhej ruajtur si një monument i kujtesës, si një monument i kulturës, si një dëshmi e vetë historisë së kryeqytetit por dhe të kombit.

– Visar ju, e krahasoni orarin kur ndodhi, me orarin kur bëheshin pushkatimet. Pra në të gdhirë.  Ka pasur artistë e intelektualë që e kanë cilësuar si një Blitzkrieg ?

Visar Zhiti: Zakonisht ashtu bëheshin pushkatimet. Pas mesnate, pa zbardhëllyer mirë. Ka ardhur vetvetiu një paralele e tillë, një tronditje e tillë. Mund të kishte marrëveshje. Shteti, klasa politike që drejton,  nuk duhet të jetë kundër vendit të vet, kundër popullit të vet. Duhet të jenë në një simbiozë, në një bashkëpunim, në një dashuri,  megjithëse duket shumë fjalë e madhe në raste të tilla.

– Duhej pritur vendimi i gjykatës, që nuk u prit kurrë? 

Visar Zhiti: Po s’kishte nevoje as për gjykatë, një marrëveshje. Njerëzit e donin- mbaje. Ka një histori, ka një kujtesë ka një histori- mbaje. Është i vogël, nuk bën- bëj një më të mirë se ai.

– Elementi i mospritjes  së vendimit të gjykatës,  të kujton pushkatimet pa gjyq, siç bëheshin në fakt gjatë regjimit komunist, ku është një pjesë e shtratit historik të veprës suaj.

Visar Zhiti: Mendoj se është kuptuar drejt. Unë jam për, dhe e përsëris prapë, se mbase romani nuk është ai që mendoj unë se ka mendimet e personazheve, dhe të ikën në një drejtim që nuk e ndal dot. Unë si lexues, jo si autor- them se duhet të ishin marrë vesh. Ai mund të ishte, duke u bërë tjetri më i mirë siç shpresohet, dhe pse nuk ka nisur.

-Kur regjimi komunist ra në ‘90-ën, ju ishit në një moshë tjetër dhe prisnit lirinë, si shumë të tjerë.  Ka tri dekada, dhe duket se liria nuk ka ardhur, në formën që qytetarët dhe intelektualët shqiptarë e prisnin. Vetëm një javë më parë, ne ishim dëshmitarë të shembjes së një hoteli, po ashtu, pa pritur vendimin e gjykatës,  pa një marrëveshje, pa paralajmërim.

Visar Zhiti: Ndoshta është shpjeguar edhe në libër, kjo që po flasim. Unë ngul këmbë që të mos ndërtojmë për të prishur. Të ndërtojmë për të mirën e atij që e ndërton dhe gjithkujt që do bashkëpunojë  ose do ketë të bëjë me të. Në këtë mënyrë, e përsëris atë që thashë më parë, se nuk duhet të  korrigjojmë një gabim duke bërë një gabim më të rëndë se ai. Unë vë re se Shqipëria aktuale e korrigjon veten me gabime më të rënda. Në këtë drejtim ne duhet të mësojmë shumë dhe duhet të veprojmë shumë. Duhet të bëjmë më të mirën e përbashkët. Kujtoj një thënie të një filozofi bashkëkohor francez, Andre Glucksmann, i cili thotë se “askush nuk ka të drejtë që të mirën e vet t’ia imponojë të tjerëve, por ama të gjithë së bashku duhet të merremi  vesh se çfarë është e keqja”. Në  këtë drejtim ne sikur i kemi ndarë gjërat që e mira jote, nuk është e mira ime. E keqja ime, nuk është e keqja jote.

– Kështu e patë, apo si e patë shembjen e Prestige Resort një javë më parë, çka shtyu, edhe intervistën tonë?   

Visar Zhiti: Unë nuk jam për shembjet, nuk jam për  revolucionet. Unë i besoj shumë natyrës. Me evolucion të bëhet ajo që duhet.

– Ju keni qenë ministër i Kulturës në vitin 2013, i mandatuar nga ish-kryeministri Berisha, i cili së fundmi pati një sulm në një protestë. Si e patë këtë, si intelektual ose si ish ministër i tij, gjestin dhe atë që ndodhi ditën që në Tiranë mbahej samiti i BE?

Visar Zhiti: Jo vetëm si ish ministër i tij.   Nuk ka  nevojë të kesh qenë ministër i tij për ta ndjerë që ajo ishte e turpshme, e frikshme, kriminale.  Nuk mund të përdorësh dhunë kundër asnjë qytetari, jo më ndaj një lideri që ka mbështetje, që ka pasues. Ishte absolutisht e rëndë dhe e dënueshme.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

FIFA hap hetim ndaj Messit

Story i radhës

Buxheti 2023, Trençevska: Ka mjete për masa të reja antikrizë

Të fundit nga