Shkëndija mobilizohet për Rigën! Gjoka: I kemi studiuar

Shkëndija nga Tetova debuton të enjten në kompeticionin më të ri të UEFA-së, Conference League, kur në transfertë përballet me kampionin e Letonisë, FC Riga.

Trajneri i Shkëndijes, Ernest Gjoka, shprehet optimist:  “Riga është kampione e Letonisë dhe është ekip i fortë, kompakt dhe që kërkon të eci përpara dhe ka ambiciet e saja si ne që kemi në këtë rrugëtim.

I kemi studiuar deri në detaje dhe në qoftë se do të arrijmë të bëjmë detyrat ashtu siç kemi kërkuar dhe si kemi punuar me ekipin, them që pavarësisht vështirësive mund ta kalojmë këtë ndeshje me objektivat tona.

Janë dy ndeshje dhe ne duhet të jemi të kujdesshëm duke ditur se luajmë të parën në transfertë. Të bëjmë detyrat këtu, pastaj pjesën tjetër do e flasim në ndeshjen e dytë”.

Futbollisti Armend Alimi, beson në rezultat pozitiv: “Na pret dyluftim i fortë me Rigën. Dimë se janë kampionë, kanë ekip cilësorë, mirëpo duhet të jemi të vetëdijshëm se asgjë nuk vendoset në ndeshjen e nesërme. Mendoj se gjithçka do të vendoset në ndeshjen e kthimit në Shkup. Duhet të jemi të mençur, të matur dhe të marrim atë që kërkojmë prej fillimit”.

Bruno Dita dhe Jan Krivan janë mungesa të rëndësishme para sfidës me Riga-n e Letonisë, pa harruar edhe Leard Sadriun që akoma mbetet jashtë shkaku i dëmtimit. Mungesa e Krivakut vjen për motive pezullimi, pas kartonit të kuq kundër Mura-s në eliminatoret e Champions League. Ndërkohë Dita akoma ka shqetësime me gjurin e këmbës dhe nuk ka udhëtuar fare me ekipin drejt Letonisë.

Kundërshtari

Pozita momentale: Lider në kampionatin letonez!

Ecuria: Riga udhëheq renditjen në Letoni me 35 pikë nga 17 duele të zhvilluara, por një pikë më pak ka skuadra e vendit të dytë që ka luajtur tre takime më pak. Deri tani Riga numëron 11 fitore, dy barazime dhe 4 humbje. 

FC Riga është formuar në vitin 2014 dhe ka fituar tre tituj kampion (2018, 2019 dhe 2020).

Në raundin e parë në eliminatoret e Champions League u eliminuan nga Malmo e Suedisë, pasi humbën 1:0 në transfertë, ndërsa barazuan 1:1 në Letoni.

WWW.GAZETA.MK

Ngjarja paraprake

Daçiq paralajmëron ndërprerjen e negociatave Kosovë-Serbi

Ngjarja e ardhëshme

Këngëtarja Valentina Rama është dukur kështu sot

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian