Shkarkimi i Metës, Kume: Lënda në Kushtetuese, më shumë përmbajtje politike e pak argumente

Në seancën e fundit të mbajtur në Kushtetuese, ishte radha e Presidentit që t’u përgjigjej 72 pyetjeve që gjykatësit ia bënë të premten e javës që shkoi. Në vend të përgjigjeve, trupa gjykuese u njoh me disa qëndrime shtesë të asaj që Presidenti e quan shkelje të procedurave ligjore nga ana e Kuvendit.

Që në nisje të seancës, përfaqësuesi i Presidentit i tregoi trupës se Kuvendi ka manipuluar me provat shkresore që i ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese, për të hedhur poshtë pretendimet e kreut të shtetit se organi ligjvënës ka vepruar në paligjshmëri gjatë mbledhjeve për shkarkimin  e Metës.

Në një lidhje direkte me “Radari Informativ” në ABC, juristi Kristaq Kume u shpreh se është shumë e rëndësishme që asgjë të mos anashkalohet nga Kushtetuesja.

Kume theksoi se Kuvendi mund ta emërojë Presidentin e Republikës, por nuk është institucioni që mund t’i ndërpresë mandatin.

“Jemi republikë parlamentare, Kuvendi e cakton presidentin. Me ndryshimet që i janë bërë Kushtetutës, emërimi i presidentin tani jo vetëm që është vendim politik, por është kthyer në vendimmarrje të mazhoracës. Ky ndryshim i Kushtetutës ishte i tillë dhe nuk u shty më tutje. Këtu kam parasysh se pavarësisht se Kuvendi është institucioni që e emëron presidentin, nuk është institucioni që i ndërpret mandatin.”

Sipas juristit, lënda që është çuar për gjykim në Gjykatën Kushtetuese ka më shumë përmbajtje politike dhe shumë pak argumente.

“Nuk janë 17 nene të Kushtetutës të shkelura, por janë 17 çështje…Presidenti i Republikës ka kryesisht një instrument që vepron dhe është dekreti. Dhe ky nuk atakohet në këtë rast.”

Duke folur për akuzat që Kuvendi ngre ndaj kreut të shtetit, Kristaq Kume tha se duhet të argumentohet e të provohet se përse mund të konsiderohen nga Kushtetuesja akuzat si shkelje të rënda të Kushtetutës, “në të kundërt kreu i shtetit nuk shkarkohet dot.”

Story i mëparshëm

Jetojmë nga një rritje e çmimeve në tjetrën

Story i radhës

5 ide për ta bërë ditën e Shën Valentinit sa më të veçantë

Të fundit nga