Shembja e ujëvarës së ngrirë vret një e plagos disa të tjerë në Lindjen e Largët ruse

Të paktën një person është vrarë dhe tre të tjerë janë plagosur nga shembja e akullit të një ujëvare të ngrirë në gadishullin Kamchatka, në lindjen e largët të Rusisë.

Grupet e shpëtimit kishin arritur në ujëvarën 40m të lartë në zonën Vilyuchinsky pasi katër njerëz kishin mbetur të bllokuar.

Të gjithë ata u nxorrën nga akulli, prej të cilëve një djalë i vogël dhe babai i tij u dërguan me helikopter në spital.

Qeveria rajonale tha se djali i vogël është në kujdes intensiv me plagë të rënda.

“Babai është në spital me të birin,” tha Marina Volkova, zv. ministre e shëndetësisë në territorin e Kamchatka duke shtuar se një ditë më parë ata kishin ardhur nga Vladivostok.

Disa grupe të tjera turistësh u larguan nga vendngjarja pa lëndime dhe nuk u raportuan të tjerë të prekur.

Ministria ruse e emergjencave tha se kishte dislokuar një helikopter me grupe shpëtimi, mjekë dhe hetues të fenomenit të shembjes së akullit.

Mediat ruse raportonin se një ortek nga një vullkan në një zonë të afërt mund të ketë shkaktuar shembjen e bllokut të akullit, por kjo nuk është konfirmuar.

Ujëvara Vilyuchinsky e njohur gjithashtu edhe si Akullnaja e Carit, formohet nga shkrirja e akujve në faqen e vullkanit Vilyuchinsky.

Me lartësinë e saj prej 40m, ujëvara është një nga objektet më atraktive turistike të gadishullit dhe tërheq shumë vizitorë çdo vit.

Ngjarja paraprake

Qeveria e Sri Lankës do të vazhdojë zbatimin e djegies së kufomave të viktimave të COVID-19

Ngjarja e ardhëshme

Gjekmarkaj për vizitën e Ramës në Turqi: Po spostohet boshti nga BE! Redi Shehu: Ankaraja thekson që Ballkani të integrohet në BE…

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian