Shefi i diplomacisë ruse: Fokusi i ekonomisë globale do të zhvendoset nga Euro-Atlantiku në Euroazi

Ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergey Lavrov, ka deklaruar se fokusi i ekonomisë globale vazhdon të zhvendoset nga rajoni euro-atlantik në Euroazi dhe se “politika po ndjek shembullin”, transmeton Anadolu.

Në një artikull për revistën ruse të lajmeve ‘Razvedchik’, Lavrov tha se Moska gjithashtu i jep përparësi zhvillimit të lidhjeve me vendet euroaziatike pasi nuk ka më asnjë iluzion për “t’u pranuar” në Evropë ose për krijimin e një “hapësire të përbashkët” me Bashkimin Evropian (BE).

Lavrov tha se Moska vazhdon t’i analizojë perspektivat e pjesëmarrjes në organizatat ndërkombëtare, organet drejtuese të të cilave janë nën kontrollin perëndimor.

Ai përmendi veçanërisht Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), e cila sipas tij, u krijua si një platformë për të zhvilluar një dialog të ndershëm evropian, por u shndërrua në një “agjenci kufitare ku Perëndimi po grumbullon gënjeshtra”.

“Është e qartë se OSBE-ja nuk mund të merret më me çështje serioze të sigurisë evropiane. Perëndimi vazhdon përpjekjet për të eliminuar aftësitë e mbetura të OSBE-së, në veçanti, duke iniciuar një ‘bashkësi politike evropiane’ ekskluzive që është mbyllur për Rusinë dhe Bjellorusinë”, theksoi Lavrov.

Ai tha se marrëdhëniet e Rusisë me SHBA-në dhe BE-në janë në “pikën më të ulët” që nga fundi i Luftës së Ftohtë.

Konfrontimi me Perëndimin, tha shefi i diplomacisë ruse, ndikon në punën e misioneve diplomatike të Rusisë të cilat kryejnë detyrat e tyre në “kushte ekstreme”.

“Ne kemi nxjerrë përfundimet e nevojshme nga kjo. Nuk do të ketë përsëri ‘biznes si zakonisht’. Ne nuk do të trokasim në derë të mbyllura, e lëre më të bëjmë lëshime të njëanshme. Nëse Perëndimi vjen në vete dhe ofron një rifillim të kontakteve, ne do të shohim se çfarë ofrojnë saktësisht dhe do të veprojmë bazuar në interesat e Rusisë. Çdo marrëveshje hipotetike me Perëndimin duhet të jetë ligjërisht e detyrueshme dhe duhet të përfshijë një mekanizëm të thjeshtë të verifikimit të tyre”, tha Lavrov.





Story i mëparshëm

Procesorët konsumatorë të segmentit të lartë Threadripper 7000 mund të debutojnë drejt fundit të vitit

Story i radhës

Inceneratori i Fierit, GJKKO pushon çështjen për një prej të pandehurve, avokati: Është dënuar njëherë

Të fundit nga