SHBA, republikanët sfidojnë presidentin për projektligjin e mbrojtjes

Në një seancë të pazakontë për ditën e parë të Vitit të Ri, republikanët e partisë së Presidentit Donald Trump në Senat pritet të ndërmarrin hapa për të anashkaluar veton që ai i vuri një projekt-ligji të rëndësishëm për mbrojtjen.

Hapi i tyre do të ishte hera e parë që ata shkojnë kundër dëshirave të tij dhe vjen 20 ditë para se presidenti të largohet nga Shtëpia e Bardhë.

Ligjvënësit republikanë kanë qëndruar kryesisht pranë presidentit gjatë katër viteve të tij në Shtëpinë e Bardhë. Që nga humbja e zgjedhjeve në nëntor, Presidenti Trump i ka kritikuar ata për faktin që nuk i mbështetën plotësisht pretendimet e tij të pabaza për mashtrim elektoral, që refuzuan kërkesën e tij për ndihmë më të madhe financiare ndaj familjeve amerikane në vështirësi dhe që po anashkalojnë veton presidenciale.

Senati i udhëhequr nga republikanët po shqyrton sot Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare (NDAA), një projektligj prej 740 miliardë dollarësh, të cilin zoti Trump nuk pranoi ta kthejë në ligj sepse nuk shfuqizon disa mbrojtje ligjore për kompanitë e teknologjisë.

Dhoma e Përfaqësuesve tashmë e ka rrëzuar veton e presidentit.

Nga ana tjetër, demokratët, në një rreshtim të pazakontë në krah të Presidentit Trump, përshëndetën thirrjen e tij për pagesa të drejtpërdrejta prej 2,000 dollarësh për familjet amerikane, nga 600 dollarë për familje të miratuara deri tani.

Për pagesa më të mëdha janë edhe një numër republikanësh, por shumë të tjerë thonë se paratë do t’u shkonin njerëzve që nuk janë në nevojë.

Presidenti Trump, i cili u kthye në Uashington të enjten nga klubi i tij privat në Florida, ka rritur trysninë ndaj republikanëve dhe i ka kritikuar udhëheqësit e partisë.

Tensionet mes republikanëve po rriten gjithashtu rreth planit të disa konservatorëve për të shprehur kundërshtimin e tyre të mërkurën e ardhshme, kur Kongresi i ri zyrtarisht do të votojë mbi rezultatet e Kolegjit Zgjedhor që konfirmon fitoren e demokratit Joe Biden në zgjedhje para se ai të bëjë betimin më 20 janar.

Sipas njoftimeve të medias, kreu i shumicës republikane të Senatit Mitch McConnell, i cili ka pranuar publikisht fitoren e zotit Biden, ngriti të enjten pikëpyetje në një bisedë telefonike me grupin e tij rreth planit të senatorit republikan Josh Hawley për të kundërshtuar në seancën e datës 6 janar. Sipas televizionit CNN, të paktën 140 republikanë në Dhomën e Përafqësuesve pritet të dalin me kundërshtime të ngjashme, pavarësisht se Kongresi në këtë rast ka thjesht një rol ceremonial.

Manovrat e planifikuara në seancë, mund të bëhen shkak për një debat të gjatë në Senat, por nuk kanë asnjë shans të përmbysin rezultatin e zgjedhjeve./VOA

Ngjarja paraprake

Messi është i lirë të negociojë me klube tjera

Ngjarja e ardhëshme

Tirana një ditë pas ndërrimit të viteve

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian