SHBA ndërmjetëson marrëveshjen për njohje reciproke mes Izraelit dhe Marokut

Në një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, Izraeli dhe Maroku kanë rënë dakord të njohin njëri-tjetrin.

Kjo pason tre vende të tjera arabe, Bahreinin, Sudanin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, që së fundmi vendosën lidhje me shtetin hebraik, i cili disa herë që nga themelimi i tij modern në fund të viteve 1940 e ka gjetur veten në luftë me fqinjët e tij me shumicë myslimane.

Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi të enjten marrëveshjen midis Marokut dhe Izraelit në Twitter, duke e përshëndetur atë si një përparim historik dhe masiv për paqen në Lindjen e Mesme dhe një vazhdim të diplomacisë së tij rajonale të njohur si Marrëveshjet Abraham.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, në një mesazh për festën hebraike të Hanukkahs, e quajti vendosjen e lidhjeve me mbretërinë e Afrikës së Veriut “një dritë tjetër e madhe e paqes”. Ai tha se kjo do t’i hapte rrugën fluturimeve të drejtpërdrejta midis dy vendeve dhe hapjes së misioneve diplomatike.

Image

Morocco King

Mbreti maroken Mohamed, gjatë një bisede telofonike me Presidentin Trump të enjten, konfirmoi planet për fluturime direkte për turistët izraelitë drejt Marokut.

Si pjesë e marrëveshjes, Shtetet e Bashkuara ranë dakord të njohin sovranitetin e Marokut mbi tërë Saharanë Perëndimore, një ish- territor spanjoll, për të cilin negociatorët ndërkombëtarë nuk kanë arritur të zgjidhin një mosmarrëveshje të gjatë.

Oborri mbretëror i Marokut tha se Uashingtoni do të hapte një konsullatë në Saharanë Perëndimore si pjesë e marrëveshjes.

Maroku e ka quajtur territorin si “provincat e tij jugore” në kundërshtim me Frontin Polisario, me qendër në Algjerinë Jugore, i cili ka luftuar për pavarësinë e Saharës Perëndimore.

“Kjo nuk do të ndryshojë asnjë pëllëmbë të realitetit të konfliktit dhe të drejtën e vetëvendosjes së njerëzve të Saharës Perëndimore”, tha përfaqësuesi i Polisarios në Evropë, Oubi Bchraya, i cili u zotua se lëvizja do të vazhdonte luftën e saj.

Një surprizë

Njoftimi i së enjtes nga Uashingtoni për Saharanë Perëndimore i kapi diplomatët në befasi.

Zëdhënësi i OKB-së, Stephen Dujarric u tha gazetarëve se organizata botërore mësoi për lajmin nga postimi i Presidentit Trump në Twitter në të njëjtën kohë kur të gjithë të tjerët e dëgjuan atë. Lidhur me çështjen e sovranitetit, ai tha se qëndrimi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së mbetet i pandryshuar: Ajo (çështja e Saharasë Perëndimore) duhet të zgjidhet në përputhje me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

I pyetur në lidhje me mesazhin e tij për banorët e Saharasë Perëndimore, zëdhënësi i OKB-së u përgjigj duke thënë se duhet “shmangur çdo veprim që mund ta përkeqësonte situatën e tensionuar”.

Image

Jared Kushner

Jared Kushner, këshilltari i lartë dhe dhëndri i Presidentit Trump, nuk iu përgjigj drejtpërdrejt një pyetjeje nga Zëri i Amerikës nëse diplomatët e Kombeve të Bashkuara dhe subjekteve të tjera u konsultuan në lidhje me njohjen nga Shtetet e Bashkuara të sovranitetit të Marokos mbi këtë territor.

“Kjo është njohje pashmangshme që eventualisht do të ndodhte, por kjo gjithashtu mund të ofrojë mundësinë e tejkalimit të ngërçit, duke ndihmuar në avancimin e çështjeve në Saharanë Perëndimore”, tha Kushner gjatë një konference me gazetarë të enjten në Shtëpinë e Bardhë. Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara dëshironin që “njerëzit e Polisarios të kishin një mundësi më të mirë për të jetuar një jetë më të mirë” dhe Trump “ndjeu se ky konflikt po i pengonte ata të ecnin përpara.”

Zyrtarët e administratës Trump parashikuan se më shumë vende do të normalizonin lidhjet me Izraelin.

“Frytet e këtyre përpjekjeve janë bërë shumë të dukshme”, u tha Kushner gazetarëve. “Por ne gjithashtu besojmë se do të ketë më shumë rezultate pozitive në aspektet afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë”.

Kushner përmendi në mënyrë specifike Arabinë Saudite si një vend që eventualisht do të vendosë marrëdhëniet me Izraelin.

Kjo mund të mos ndodhë para mbarimit të mandatit të Presidentit Trump më 20 janar. Ai humbi zgjedhjet muajin e kaluar ndaj ish nënpresidentit Joe Biden.

“Për më shumë se katër vjet, ai nuk nisi anjë luftë. Ai u dha fund luftërave”, tha Kushner për Presidentin Trump. “Ai tregoi forcë. Dua të them se ai veproi kur ishte e nevojshme. Ai ka zbatuar vijat e tij të kuqe. Ai është i pëlqyer, është i respektuar dhe të tjerët janë të frikësuar nga ai, gjë që është kritike në rrugën drejt përparimit në Lindjen e Mesme dhe zonat përreth.”/VOA

Ngjarja paraprake

Nëse Vjosa bëhet bashkë me Albinin, VV do të marrë deri në 65 % të votave

Ngjarja e ardhëshme

Abilekaj: Vështirë të vihet drejtësia për Klodian Rashën

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian